DASH tha se Rusia kërkon tensione ndëretnike në Kosovë/ Njohësit komentojnë situatën

2 months ago 12
Reklamë

Tensione nuk ka, por rreziku nuk ka kaluar në Kosovë. Përveç deklaratave nga krerët shtetërore të Kosovës se Serbia po përgatitet për sulm, një paralajmërim të tillë e bënë edhe Departamenti amerikan e shtetit, se një tension në Ballkan është i mundshëm nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara vënë gishtin te Rusia e cila sipas tyre po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të krijojë “jo stabilitet dhe të pengojë integrimin e rajonit në institucionet euroatlantike”.

Është e qartë se Rusia nuk mbështet të ardhmen e njëjtë evropiane për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ata vetë kanë zgjedhur dhe që njerëzit në rajon e meritojnë”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për REL.

Kurse, zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA-ja vazhdon të jetë e shqetësuar se tensionet lokale mund të përshkallëzohen në tensione serioze politike në rajon.

Ne mbesim të shqetësuar lidhur me rrezikun që tensionet lokale të shndërrohen në tensione serioze politike që mund të stagnojnë shtetet e rajonit, si për shembull në veri të Kosovës dhe duke pasur parasysh kërcënimet për shkëputje në Bosnje e Hercegovinë. Ne po vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët për të minimizuar këto rreziqe”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Bilalli: Deklarata e zëdhënësit të DASH, shpreh një shqetësim real për ndikimin rus

Njohësi i çështjeve politike, Lutfi Bilalli në një përgjigje për “bota sot”, ka thënë se deklarata e DASH-it shpreh një shqetësim real të ndikimit rus në Ballkan.

Image

Lutfi Bilalli

“Deklarata e zëdhënësit të DASH, shpreh një shqetësim real për ndikimin rus në ngritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor e në veçanti në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës. Sigurisht që dikasteret e sigurisë së shërbimeve amerikane kanë informacione të sakta rreth aktiviteteve të shërbimeve ruse GRU (shërbimi inteligjent i ushtrisë ruse) dhe SVR (shërbimi i jashtëm i inteligjencës ruse). Të dy këto shërbime së bashku me të ashtuquajturën “Qendrën Humanitare Ruse” në Nish operojnë pa ndalur në luftën e tyre speciale duke përhapur propagandë dhe pakënaqësi te publiku sllavofolës (në veçanti në Serbi, entitetin serb në B dhe H, në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut por edhe në vendet tjera në Ballkan) për të penguar dhe shprehur pesimizëm rreth integrimeve euro-atlantike”, thotë ai.

Sipas tij, Rusia po përdor propagandën e cila operon në domenin e luftës hibride, duke shtuar se vet Rusia po ndikon që të hapet një vatër lufte në pikat më të ndjeshme të Ballkanit.

Vlen të theksohet se makineria propagandiste ruse operon në domenin e luftës hibride me të gjitha kapacitetet (propagandë, sabotazh, mbjell frikë dhe me një fjalë pos mjeteve- armëve konvencionale përdor gjithë arsenalin për të mbajtur rajonin të tensionuar).

Sigurisht që Rusia po ndikon me të madhe për të aktivizuar një konflikt të ri në pikat e ndjeshme në Ballkan. Besoj që komponenta e sigurisë amerikane është e vetëdijshme dhe e përgatitur për këto sfida për të penguar dhe neutralizuar sigurisht që edhe institucionet dhe resoret e sigurisë së R. së Kosovës duhet të jenë të përgatitur dhe kooperues me faktorin amerikan në rrjedhën e çdo informacioni dhe përgatitje me sfidat që munden të na presin”, deklaron Bilalli.

Dashevci: Natyrisht se raporti i DASH është i drejtë dhe real

Lidhur me këtë edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci ka thënë se deklarata e DASH-ti, është reale, por ai ka shpjeguar pse Rusia po vepron në këtë mënyrë kundrejt SHBA-së dhe Evropës.

Image

Arben Dashevci

Sipas mendimit dhe në aspektin e sigurisë Rusia ka vepruar po vepron dhe do të veprojë kundrejt shteteve demokratike (SHBA-NATO dhe aleatët) në vazhdimësi dhe për këtë ekzistojnë shumë fakte:

1.Humbja e resurseve humane(ushtarëve në terren)

2.Humbja e pajisjeve teknike/ushtarake në terren, pra nuk po mundet ta mposhtë Ukrainën që gati 3 vite me tërë kapacitetin që ka në përdorim.

Për këtë arsye sipas mendimit tim Rusia kërkon me ngulm rrugëdalje ose zhvendosje të konfliktit në Ballkan ose gjetiu që ta zhvendos vëmendjen kundrejt humbjeve që po i pëson në terren.

Natyrisht se raporti i DASH është i drejtë dhe real, por në samitin e NATO në Ëashington DC u tregua përkushtim dhe vendosmëri e madhe që këto plane të Rusisë mos të kenë assesi sukses në rajonin e Ballkanit.

Është Serbia dhe establishmenti politik atje që mundohet me çdo kusht në mënyrë direkte dhe indirekte t’i zbatoj planet ruse në Bosnjë, Malin e Zi dhe Kosovë si satelit i Rusisë.

1.Duke tentuar ta ndajë Bosnjë dhe Hercegovinën (Republikën Serbe ta bashkojë me Serbinë)

2.Duke u munduar që krahun pro rus dhe pro serb ta ketë në qeverisje të plotë në Malin e Zi, dhe t’i realizoj planet e saj dashakeqe atje.

3.Duke tentuar ta destabilizoj Republikën e Kosovës dhe ta mbajë situatën në tension me grupe kriminale me ato grupe të njëjta që na rezikuan sigurinë nacionale dhe rendin kushtetues, por në Kosovë pa sukses, sepse dështuan në plotni, vigjilenca është maksimale dhe po vazhdon të jetë, NATO/KFOR ka pesëfishim të stafit ushtarak, reaguesi i parë Policia e Kosovës së bashku me të gjitha agjensionet e sigurisë janë me kapacitet të plotë në veprim.

Ka koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm mes reaguesit të parë (Policia e Kosovë, reaguesit të dytë EULEX dhe reaguesit të tretë KFOR, gjithmonë për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim dhe për një paqe të qëndrueshme”, shpjegon Dashevci.

Në fund, ai thotë se Rusia me satelitin e saj në Ballkan, Serbinë po mundohet ta destabilizojë Kosovë, nuk do të ketë sukses.

Ai madje thotë, se sulmi në Banjskë i tregon të gjitha dhe siguria atje tash është më e lartë.

“Pra, unë mendoj që synimet e Rusisë me satelitin e saj Serbinë për ta destabilizuar Republikën e Kosovës nuk do të kenë sukses në asnjë variant, ashtu siç i përmenda faktet më parë.

Në Republikën e Kosovës ka ndodhur sulmi i Banjskës kjo i tregon të gjitha, dhe pas sulmit të Banjskës Republika e Kosovës kurrë më nuk do të jetë e njëjtë në aspektin e sigurisë sepse mbrojta dhe vigjilenca nuk ka alternativë sipas mendimit tim, gjithmonë e mendoj në bashkëpunim dhe bashkëveprim me NATO, Mbretërinë e Bashkuar, BE, botën demokratike dhe gjithmonë me aleatin e përjetshëm SHBA.

E gjithë bota demokratike sipas mendimit tim është në vigjilencë të paparë deri më sot duke pasur parasysh sfidat e vitit 2024 në aspektin gjeopolitik dhe sigurisë, pra qëllimeve ruse që dihen tashmë, andaj edhe Kosova është pjesë e botës demokratike orientuar kah BE dhe NATO dhe së bashku me botën demokratike po mundohet që ta mbrojë demokracinë me tërë kapacitetin që ka kundrejt planeve ruse dhe aleatëve të saj”, përmbylli Dashevci për “Bota sot”.

Read Entire Article