Debati për rritjen e pagave në Kushtetuese/ Pas propozimit të Tabakut, Gogu: Jam plotësisht dakord që ta shtyjmë shqyrtimin e projektligjit, por…

11 months ago 17
Reklamë

Balkanweb app Get it on Google Play

Deputetët e opozitës kërkuan sot në Kuvend shtyrjen e shqyrtimit të shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Duke marrë fjalën në seancë plenare, deputetja e PD-së Jorida Tabaku sqaroi se nuk kërkohet thjesht shtyrja e ligjit me një javë, por që ligji të jetë brenda parimeve të sistemit duke ruajtur hierarkinë.

“Kërkesën në fjalë për Gjykatën Kushtetuese çojeni tek komisioni që është ngritur për ndryshimet në reformën në drejtësi. Rritjani pagën gjithë sistemit të drejtësisë. Rritjani GJKKO dhe t’ia rrisim edhe Gjykatës Kushtetuese. Sistemin e pagave të sistemit të drejtësisë ta përcaktojmë me ndryshimet e reformë në drejtësi”, tha Tabaku.

Deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi argumentoi se “Gjykata Kushtetuese nuk ka depozituar në Kuvend asnjë propozim për rritje të pagave”.

“Nuk jemi kundër asnjë ligji që rrit eficencën, përkundrazi jemi në grup pune ku po punojmë prej disa muajsh në një paketë ndryshimesh në ligjet e reformës në drejtësi, në bashkëpunim me partnerët. Ne kemi rënë dakord që nuk do të pranojmë asnjë ndryshim që kërkohet për privilegje apo përfitime shtesë të gjyqtarëve apo prokurorëve, por do të fokusohemi te eficenca”, tha ai.

Sipas tij, “ky nuk është sulm ndaj Gjykatës Kushtetuese, por tentativë e qartë ku qeveria do t’i bëjë një favor Gjykatës Kushtetuese për ta pasur tërësisht në kontroll”.

Nga ana e tij, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Toni Gogu u shpreh se PS është dakord për ta shtyrë këtë projektligj për një seancë tjetër, ndërsa informoi se Gjykata Kushtetuese e ka sjellë projektin në Kuvend në 21 qershor.

“E përshëndes propozimin tuaj. Jam plotësisht dakord që ta shtyjmë, por janë ca të vërteta që duhen thënë dhe nuk ka nevojë t’i shtrembëroni”, tha Gogu.

“Gjykata Kushtetuese ka ndjekur procedurën ndaj ne sot e sjellim këtë propozim, por jemi plotësisht dakord ta shtyjmë në një seancë tjetër. Gjykata Kushtetuese e ka bërë këtë gjë kur ne miratuam ligjin për pagat. Gjyqtarët kushtetues gjithmonë kanë qenë më të mirëpaguarit për shkak të punës, sepse garantojnë sundimin e ligjit në këtë vend. Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë e sistemit gjyqësor, këtë e dinë jashtëzakonisht mirë deputetët e opozitës sepse siguron që të drejtat e njeriut dhe procesi i rregullt ligjor të respektohen siç thotë Kushtetuta”, tha ai.

Gogu theksoi se PS është plotësisht dakord që ta shtyjë shqyrtimin e projektligjit. “Urojmë që të reflektojnë edhe kolegët për të mos hedhur baltë mbi institucionet kushtetuese të vendit që kontrollojnë dhe vendimet tona”, tha ai.

“Gjyqtarët kushtetues kanë qenë gjithmonë më të mirëpaguarit. Le të rregullojmë padrejtësinë në zemër të sistemit të drejtësisë. Nuk mund t’i mbani peng duke ju ulur pagat dhe bërë pazar me ta. Nuk mund të hidhni molotov në Gjykatë Kushtetuese se ka ikur ajo kohë”, iu drejtua ai deputetëve të opozitës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article