“Dënimi i Belerit nuk prek minoritetin grek”, Murati: Berisha mund të mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, opozita të përgatitet

7 months ago 5

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare Erl Murati, i ftuar në studion e News24 ka folur rreth zhvillimeve të fundit politike duke u ndalur te dënimi i Fredi Belerit dhe situatën brenda opozitës.

Murati u shpreh se çështja e Belerit është personale e tij me drejtësinë, ndërsa theksoi se rasti nuk prek të drejtat e njeriut apo ato të minoritetit grek në Shqipëri.

Ai shtoi se edhe strukturat ndërkombëtare nuk kanë mbështetur tezën e Greqisë për shkelje dhe kanë bërë thirrje për vijimin e procesit të integrimit të Shqipërisë.

“Impakti politik dhe diplomatik që ka kjo çështje në lidhje me Greqinë vlen për t’u komentuar. Greqia është një partner strategjik i Shqipërisë, por gjatë muajve të fundit nuk ka mbajtur qëndrim miqësor dhe prej partneri duke penguar Shqipërinë në procesin e integrimit. Vetëm pak ditë më parë komisioneri Varhelyi u shpreh se kjo çështje nuk mund të pengojë Shqipërinë për integrimin e saj. Komuniteti ndërkombëtar po ashtu nuk e ka pranuar tezën greke që kjo çështje bie ndesh me të drejtat e njeriut”, tha ai.

Kjo nuk është një çështje që prek minoritetin grek, nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut për minoritetin, pasi do të shihnim të gjithë strukturat ndërkombëtare që do të kundërshtonin këtë veprim. Fredi Beleri është një individ dhe çështja e tij është personale me drejtësinë.

Sa i përket zhvillimeve brenda opozitës, Murati u ndal te emërimi si nënkryetarë të Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkajt, duke thënë se për këtë veprim ka akuza nga anëtarë të PD se po shkelet statuti duke mos zhvilluar votim.

Pavarësisht këtij bashkimi, ai nënvizoi se opozita mbetet larg arritjes së qëllimit final, një bashkimi të të gjithë frontit opozitar.

Ai tha se ish-kryeministri Berisha në gjendjen aktuale rrezikon të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të humbasë mandatin e tij të deputetit, ndaj edhe opozita duhet të përgatitet për këtë skenar.

“Ka një akuzë nga disa anëtarë të PD që po shkelet statuti me emërimin e dy nënkryetarëve. Këtu kemi të bëjmë me një formacion politik që nuk ka nevojë për nënkryetarë, pasi Berisha është vetë kryetar dhe nënkryetar. Nuk luajnë një rol thelbësor pasi Berisha luan rolin kryesor. Nga pikëpamja administrative ka zëra që kritikojnë emërimet e Bardhit dhe Gjekmarkajt, pasi sipas statutit nënkryetarët duhet të zgjidhen dhe jo të emërohen. Megjithatë opozita është në një moment të vështirë dhe interesi politik për bashkim prevalon.

Në situatën aktuale bashkimi me Bashën më duket tejet i vështirë. Shpëtim Idrizi është larguar në disa qëndrime nga Berisha, Meta nuk mori pjesë në protestën e 20 shkurtit. Megjithatë shoh se opozita është larg qëllimit final të bashkimit final. Berisha rrezikon të djegë mandatin dhe të mos marrë pjesë si kandidat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është një skenar real, pavarësisht asaj që duan të besojnë mbështetësit e tij. Në këto rrethana ky është një skenar real dhe opozita duhet të përgatitet që Berisha mund të mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Megjithatë nëse Berisha do të largohet nga drejtimi i opozitës, kjo e fundit do të pësojë një traumë tjetër”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article