Dështimet e seancave, vijnë reagimet: Kuvend i paralizuar dhe i paçliruar nga fantazmat e së kaluarës, duan të...

2 hours ago 30

Rezoluta e opozitës për gjendjen në KEK ka dështuar të enjten, kjo për shkak të mungesës së kuorumit.

Deputetët opozitarë në Kuvendin e Kosovës e kanë akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje për keqmenaxhim keqmenaxhim me sektorin e energjisë dhe ndërhyrje në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Temë e diskutimi në seancën e jashtëzakonshme, më 24.10.2024, ka qenë edhe rasti i ish kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, dhe bisedat e pretenduara të koordinatores së LVV-së, Dejona Mihali.

Po ashtu, opozita ka kritikuar deputetët e LVV-në për mungesën në ketë seancë.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka thënë se për shkak të numrit të pamjaftueshëm të deputetëve në sallë, rezoluta e hartuar nga opozita, do të shqyrtohet një herë tjetër, kur në Kuvend të ketë kuorum.

Kuvendi i Kosovës ka filluar që t’i shpeshtojë praktikat e mungesës së kuorumit dhe kjo është duke u kritikuar

Jakaj: Mospjesëmarrja e deputetëve të pozitës në Kuvend dhe moszhvillimi i seancave të rregullta ka ndikim negativ

Image

Naim Jakaj

Naim Jakaj, hulumtues i Lartë në IKD, thotë se mungesat e kuorumit në seancat e rregullta kanë ardhur si pasojë që shumica parlamentare nuk ka qenë e angazhuar seriozisht të sigurojë votat për t’i kaluar projektligjet.

Sipas tij, pozita ka përdorur arrogancën ndaj diskutimeve dhe votimit të projektligjeve të rëndësishme.

“Në raportet e tona të monitorimit të punës së IKD-së, kemi thënë se në vazhdimësi Kuvendi është përballë me mungesën e kuorumit në seancat e rregullta. Kjo ka ardhur si pasojë që shumica parlamentare nuk ka qenë e angazhuar seriozisht të sigurojë votat për t’i kaluar projektligjet. Në anën tjetër, shumica parlamentare ka përdorur arrogancën ndaj diskutimeve dhe votimit të projektligjeve të rëndësishme. Kjo arrogancë ka qenë e shprehur ndaj opozitës parlamentare dhe në dhjetëra raste ndaj komenteve të shoqërisë civile në projektligje të caktuara”, shprehet Jakaj.

Ai konsideron se mospjesëmarrja e deputetëve të pozitës në Kuvend dhe moszhvillimi i seancave të rregullta ka ndikim të thellë negativ në funksionimin e kuvendit, gjersa shton se kjo sjellë paralizim të kuvendit.

“Mospjesëmarrja e deputetëve të pozitës në Kuvend dhe moszhvillimi i seancave të rregullta ka ndikim të thellë negativ në funksionimin e Kuvendit të Kosovës. Kur deputetët e pozitës nuk janë të pranishëm, kjo pengon procesin legjislativ dhe bllokon miratimin e ligjeve që janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Në këtë mënëyrë, tashmë kemi një Kuvend të paralizuar nga mungesa e pjesëmarrjes së deputetëve të shumicës parlamentare në punën e Kuvendit. Për më tepër, moszhvillimi i seancave të rregullta, siç tashmë është bërë praktikë e rregullt, e dëmton diskutimin demokratik dhe ndihmon në krijimin e mungesës së informacionit për qytetarët e Kosovës. Ata kanë të drejtë të drejtë të informohen mbi veprimtarinë e Qeverisë që duhet të jetë llogaridhënëse para Kuvendit e kur kuvendi dështon në detyrat e tij, kjo zvogëlon efikasitetin e qeverisjes dhe rrit pakënaqësitë e qytetarëve, çka mund të çojë në pasiguri sociale e politike”, thekson hulumtuesi i lartë në IKD.

Ai shton se IKD ka vërejtur se do të ketë probleme të mëdha në kalim të projektligjeve.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! tashmë i ka 53 deputetë, numër i cili së bashku me një pjesë të komuniteteve do të jetë i pamjaftueshëm për t’i votuar projektligjet që ende nuk kanë kaluar në lexim të parë, projektligjet që kanë kaluar në lexim të dytë dhe projektligjet që janë në formën e marrëveshjeve ndërkombëtare. Si IKD, vërejmë se do të ketë probleme të mëdha në kalim të projektligjeve, siç e përmenda në përgjigjen paraprake se shumica parlamentare ka përdorur arrogancën dhe ka fyer në masë të madhe opozitën – të cilës tani i kërkon bashkëpunim. Në vend se shumica parlamentare të negociojë në mënyrë transparente me opozitën dhe me deputetët e komuniteteve joshumicë, ajo përdorë numrat që tanimë nuk i ka për të treguar fuqinë që realisht nuk e ka”, shton Jakaj.

Kuvendi i Kosovës është kthyer nga pushimi në mesin e shtatorit, ndërsa gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka miraturar 36 projektligje.

Jakaj thotë se mungesa e deputetëve ka bllokuar miratimin e reformave dhe masave të nevojshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për avancimin ekonomik, veçanërisht te marrëveshjet ndërkombëtare.

Sipas tij, pasojat konkrete konkrete do të jenë që projektligjet që janë proceduar të cilat mund të jenë në interes të qytetarëve, të kthehen në pikën zero, ngase kështu thuhet edhe në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës

“Mungesa e pjesëmarrjes së deputetëve në punën e Kuvendit që nga konstituimi i Legjislatirës së VIII-të ka rezultuar në zhvillim të ngadalshëm të punës dhe në bllokimin e procesit legjislativ. Mungesa e tyre, fillimisht në mospërputhje me Kushtetutën dhe në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit, bllokon miratimin e reformave dhe masave të nevojshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për avancimin ekonomik, veçanërisht tek marrëveshjet ndërkombëtare. Një Kuvend, që nuk arrin të adresojë çështjet urgjente që prekin shoqërinë dhe për të garantuar një qeverisje më të përgjegjshme dhe efikase, ai Kuvend duhet sa më parë të shkojë në zgjedhje, në mënyrë që t’u hapet rrugë deputetë të tjerë, me integritet dhe me përkushtimin ndaj shoqërisë. Pasojat konkrete do të jenë që projektligjet që janë proceduar të cilat mund të jenë në interes të qytetarëve, të kthehen në pikën zero, ngase kështu thuhet edhe në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës”, përfundon Jakaj.

Kasolli: Një sabotim i tillë i Kuvendit të Kosovës ka ardhur si pasojë e publikimit të disa aferave dhe skandaleve të partisë në pushtet

Image

Afrim Kasolli

Ndërsa, analisti Afrim Kasolli, konsideron se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ballafaqohet me pasojat e veprimeve të veta.

“Strategjia e dobësimit të shtetit nëpërmjet bojkotimit të Kuvendit dhe sulmeve ndaj sistemit të drejtësisë! Kohën e fundit jeta parlamentare në Kosovë është përballur me një paradoks të veçantë. Kjo e fundit është braktisur nga pushteti, duke e pamundësuar punën e saj.

Një sabotim i tillë i Kuvendit të Kosovës ka ardhur si pasojë e publikimit të disa aferave dhe skandaleve të partisë në pushtet nga mediat dhe insistimit të opozitës për t’i diskutuar dhe adresuar ato. Nuk ka dyshim se publikimi i tyre, sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare, e ka lënduar dhe cenuar imazhin e Lëvizjes Vetëvendosje si një parti që ka pretenduar të jetë e ndryshme nga të tjerat. Prandaj, tashmë ajo nuk do të ballafaqohet me pasojat e veprimeve të veta. Mirëpo, nëse krahasohet ky refuzim së bashku me bisedat telefonike të figurës gri të Lëvizjes Vetëvendosje Dejona Mihali me drejtues të ndërmarrjeve publike në KEK, si dhe ato Shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, duke përfshirë edhe ish-nënkryetarin e saj, Milan Radoiçiq, atëbotë në listën e zezë të SHBA-ve për krim të organizuar dhe korrupsion, e deri tek sulmet e militantëve të partisë në pushtet kundër Prokurorisë për shkak të hetimeve kundër zyrtarëve qeveritarë, në fakt shpërfaqet strategjia e kësaj partie për dobësim të shtetit në funksion të forcimit të së pares”, shprehet Kasolli.

Ai thotë se shpërfillja e tanishme e Kuvendit si dhe sulmet ndaj drejtësisë, janë metodë e mirëkalkuluar.

“Dhe këtë qasje kemi pasur ta shohim edhe në politikën e jashtme, ky kryeministri i Kosovës me shumë ka preferuar të përfshihet në zgjedhjet e brendshme në disa shtete të botës, për shkak të preferencave partiake dhe personale, se sa forcimit diplomatik dhe ndërkombëtar të interesave shtetërore, (Maqedonia e Veriut është shembulli më i freskët i kësaj anomalie).

Në këtë drejtim, shpërfillja e tanishme e Kuvendit, si dhe sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, janë një metodë e mirëkalkuluar për ta diskredituar punën e tyre më qëllim të sforcimit ta narracionit populist se vetëm kjo parti është përfaqësuese e popullit. Të gjithë të tjerët janë mbetje e “ish regjimit të vjetër” që nuk kanë kredibilitet për ta sfiduar atë, sepse në këtë mënyrë ata janë duke iu kundërvënë vullnetit autentik dhe drejtësisë popullore. Janë të njohura sulmet brutale, si të kryeministrit Kurti ashtu edhe të zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, se Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet pjesë e garës elektorale”, pohon analisti.

Tutje, sipas tij, kuvendi nuk ka arritur të çlirohet plotësisht nga fantazmat e së kaluarës.

“Në anën tjetër, për aq kohë sa në Kuvendin e Kosovës ende ekzistojnë edhe përfaqësues të partive opozitare ai vazhdon të jetë i tjetërsuar dhe nuk ka arritur të çlirohet plotësisht nga fantazmat e së kaluarës. Kështu, çdo tendencë për të kërkuar përgjegjësi për qeverisjen saj nuk është popullore. Madje mbështetësit e saj janë të bindur se edhe kapja ndërmarrjeve publike nga Dejona Mihali është legjitime, sepse veprime të tilla janë funksion të forcimit të partisë.

Në këtë drejtim, kjo parti duke e injoruar punën e Kuvendit si dhe duke e orientuar artilerinë e sulmeve politike kundër pushtetit të tretë në vend, mëton ta vazhdojë dobësimin e tyre, deri sa në fund të mos mbetet asnjë qendër tjetër e mundshme e pushtetit që të ketë mundësi t’i kundërvihet asaj”, përfundon Kasolli.

Read Entire Article