“Dështimi i palëve për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja”, a po vazhdon BE ta “kërcënojë” Kosovën?

2 weeks ago 42
Reklamë

Bashkimi Evropian nuk është duke i ndalë ‘kërcënimet’ ndaj Kosovës.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, javën e kaluar ka deklaruar se dështimi i palëve (v.j. Kosovës dhe Serbisë) për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja.

Ai në një konferencë për media ka folur për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe nga institucionet e Kosovës, duke thënë se blloku vlerëson që këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, me potencial të rritjes së tensioneve.

“Ka çështje më të vjetra në tryezë që duhen shqyrtuar. Ne e konsiderojmë këtë shumë të padobishëm dhe hap tjetër të njëanshëm e të pakoordinuar që ka kapacitet të rrisë tensionet dhe të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm”, ka thënë Stano.

Ai gjithashtu, ka thënse se një takim mes palëve pritet të mbahet së shpejti.

“Takimet i paralajmërojmë kur të jetë e përshtatshme. Takimet në nivel të kryenegociatorëve nuk i paralajmërojmë zakonisht për media. Por, pa dyshim qëllimi ynë është që sa më parë të kemi takim në nivel kryenegociatorësh sepse ka një varg çështjesh për të diskutuar”, ka thënë Stano.

“Strukturat paralele do të duhej të mbylleshin një herë e përgjithmonë”

Image

Visar Xani

Analisti politik, Visar Xani, thotë se kohët e fundit në veri të Kosovës nuk ka tensione dhe veprime konfrontuese.

Sipas tij, Bashkimi Evropian do të duhej të ishte asistues dhe zbatues i marrëveshjeve, siç është marrëveshja e vitit 2014 për mbylljen e strukturave paralele.

“Konsideroj që në veriun e Kosovës, kohën e fundit nuk ka tensione, nuk ka veprime konfrontuese dhe po zbatohet marrëveshja e Brukselit për t’i mbyllur të gjitha strukturat paralele, përkundrazi Bashkimi Evropian do të duhej të ishte asistues dhe zbatues i marrëveshjeve, ku me marrëveshjen e prillit të vitit 2014, një herë e përgjithmonë këto struktura do të duhej të mbylleshin dhe BE të ishte garantues i mbylljes së tyre dhe të mos mbështeten institucionet paralele, apo strukturat paralele  me qëllim që shërbimet të jepen për serbët lokalë”, shprehet Xani.

Sipas tij, “kërcënimet” nga BE nuk duhet të merren edhe aq shumë për bazë për çështjen e strukturave paralele, por për shkak të urës, atëherë pa koordinim mund edhe të ketë tensione.

“Konsideroj se serbët lokalë duhet të kenë vetëm një burim institucional dhe atë burim institucional duhet ta shfrytëzojnë dhe ai është Kosova, sepse ajo është vendi ku ata janë duke jetuar. Prandaj këto kërcënime për ato momente sa nuk prodhohen tensione, konsideroj që nuk duhet të merren edhe aq shumë për bazë, por që potencionalisht do të duhej të jetë tension hapja e urës pa koordinim me ndërkombëtarët, por për mbylljen e strukturave paralele ka një marrëveshje në Bruksel, është duke u zbatuar dhe është zbatuar pjesërisht që nga viti 2014 dhe ajo marrëveshje duhet të zbatohet. Pra, strukturat paralele do të duhej të mbylleshin një herë e përgjithmonë dhe shërbimet qytetarët t’i marrin nga strukturat legjitime dhe ato të cilat janë realisht institucional të Kosovës, sepse jetojnë në Kosovë dhe duhet të zbatohen”, deklaron Xani.

“Askush nuk mund t’i mohojë disa veprime të mira të qeverisë së Kosovës në pjesën veriore”

Image

Nexhat Haziri

Por, ndryshe thotë analisti Nexhat Haziri, i cili mendon se disa veprimet  e qeverisë në veri janë të mira, mirëpo deklarimet për hapjen e urës bëhen për qëllime elektoriale.

Sipas tij, Brukseli dhe Ëashingtoni kërkojnë që qeveria e Kosovës të koordinohet me ta për hapat në veri.

“Natyrisht që BE nuk nxitë tensionet në Kosovë, konkretisht në veri të vendit, pasi reagimet e BE-së janë të koordinuara edhe me SHBA-n, kështu që nëse BE-ja po kontribuon në këtë drejtim siç po e shtroni pyetjen ju atëherë në këtë drejtim po kontribuon edhe SHBA-ja, pra në tensionimin e situatës në Kosovë, gjë që për mua nuk është e vërtetë. Ajo çfarë po kërkon Brukseli, por edhe Ëashingtoni është që po kërkohet nga qeveria e Kosovës koordinim me ta për hapat që po i merr në veri të vendit, disa nga këta hapa janë kryekëput për çështje elektorale siç është rasti me urën. Askush nuk mund t’i mohojë disa veprime të mira të qeverisë së Kosovës në pjesën veriore, por me veprime të panevojshme , me instrumentalizim të policisë së Kosovës, ku ministri Sveçla shkon gati çdo ditë në veri të vendit dhe e kap përdore z.shefin rajonal të policisë për të nxjerrë në pije një limonadë e pastaj të bëjë “bozë” me “syreta” në rrjete sociale, shëtitjet e panevojshme të të gjithë ministrave të qeverisë në veri, gjoja për t’u dukur dhe kjo bëhet vetëm për çështje elektorale, mos bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët tanë, sikur qeveria e ka vetëdjegur kartën e shtrirjes së sundimit të ligjit në këtë pjesë të vendit”, pohon Haziri.

Sipas tij, qeveria ka dështuar që veprimet e saja në veri t’i vazhdojë me strategji, gjersa ka shtuar se mungesa e komunikimit ka bërë që Serbia të duket si një palë e dëmtuar dhe serbët e Kosovës si të persekutuar.

“Qeveria dështoi që veprimet e saja në veri të vendit, t’i vazhdonte me një strategji që do t’iu ofronte dialog komunitetit serb, për t’i sqaruar dhe siguruar se shtrirja apo vendosja e sundimit të ligjit, nuk është luftë kundër tyre, por një mundësi për integrime e zhvillim, dhe për t’i hapur rrugë edhe investimeve në këtë pjesë të vendit. Pra, në të gjitha këto veprime, ka munguar një komunikim i sinqertë dhe serioz i qeverisë tonë me aleatët tanë, andaj Kosova që aktualisht është nën sanksione rrezikon që sërish të goditet nga Bashkimi Evropian me sanksione të tjera duke u përjashtuar edhe nga plani 9 miliard  të investimeve nga BE në Ballkanin perëndimor. Pra krejt në fund, qeveria e Kosovës që ka mungesë komunikimi dhe koordinimi me parterët tanë për veprimet e veta në veri të vendit, ka bërë që Serbia të duket si një palë e dëmtuar dhe serbët Kosovar si të presekutuar, dhe si rezultat i kësaj Kosova po paguan kosto nga veprimet e veta. Nuk duhet harruar se ne akoma nuk po mundim ta materializojmë sulmin terrorist në Bajnskë nga grupe kriminale serbe të sponzorizuar dhe ndihmuar nga Serbia ndaj territorit dhe sovraniteti të vendit tonë, dhe të bëjmë Serbinë përgjegjëse edhe para bashkësisë ndërkombëtare dhe ta marrë dënimin për këtë akt terrorist ndaj Kosovës, pikërisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe të koordinimit me partnerët ndërkombëtarë”, përfundon Haziri.

Read Entire Article