‘Dështoi’ plani për zgjedhje të parakohshme, kur do të caktohet data për zgjedhje të rregullta?

2 months ago 12

Tash e një kohë zgjedhjet parlamentare, kanë qenë në qendër të diskutimeve.

Ishin partitë opozitare që kërkonin zgjedhje të parakohshme, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi nuk arritën të kenë një marrëveshje politike për këtë çështje.

E së fundi, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, mori një iniciativë për këtë çështje, ku ftoi liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Në letrën, e cila u është dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar - 16 shkurt 2025.

“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën presidentes drejtuar liderëve të partive politike.

Kësaj ftese, iu kanë përgjigjur tashmë dy partitë më të mëdha opozitare.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo parti do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta.

Në një konferencë për medie, Çitaku ka thënë se kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

E ftesës pozitivisht iu është përgjigjur edhe i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa.

“Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do jep qëndrimet e LDK-së”, deklaroi ai.

E në lidhje me këtë ftesë të presidentes Osmanit dhe datës së mundshme për zgjedhje, për “Bota sot” e komentuan njohësit e çështjeve politike.

Elezaj: Zgjedhjet si kategori kushtetuese janë legjitimim i pushtetit për subjektin politik

Image

Rexhep Elezaj

Së pari, publicisti Rexhep Elezaj për “Bota sot” u shpreh se kërkesa e Osmanit është bërë në kohën e paraparë kushtetuese, pra gjashtë muaj para afatit të mbajtjes së tyre.

“Ftesa e presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, dërguar partive politike për takim të përbashkët me 31 korrik të këtij muaji, për konsultime lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare, është bërë në kohën e paraparë kushtetuese, pra gjashtë muaj para afatit të mbajtjes së tyre, të cilat, siç ka deklaruar presidentja, duhet të mbahen nga 26 janari deri me 16 shkurt 2025”.

Krahas kësaj, Elezaj tha se partitë politike të cilat e morën pushtetin pas pavarësisë së Kosovës dhe deri më sot, nuk mund të thuhet se i kanë përmbushur detyrat dhe premtimet e dhëna.

“Zgjedhjet si kategori kushtetuese janë legjitimim i pushtetit për subjektin politik, i cili nga votuesit e merr shumicën e votave për ta qeverisur shtetin për një mandat katërvjeçar, për t’i çuar në vend kërkesat e popullit për një jetë më të mirë, zhvillim më të madh ekonomik, social dhe shoqëror, gjë që për partitë politike të cilat e morën pushtetin pas vitit të pavarësisë së Kosovës (17.02.2008) dhe deri më sot, nuk mund të thuhet se i kanë përmbushur detyrat, premtimet e dhëna dhe obligimet e marra nga votuesit e tyre, kryesisht për shkak të paaftësisë politike, profesionale si dhe mungesës së planeve afatmesme dhe afatgjata zhvillimore, shkaqe këto që i kanë çuar disa prej tyre në humbjen e votave nga sovrani”, theksoi ai.

Nisur nga kjo, publicisti tha se liderët politikë e kanë obiligim t’iu pergjigjen ftesës së Osmanit, pasi brenda afatit kushtetues duhet ta caktojnë datën e zgjedhjeve.

“Prandaj, ftesa e presidentes për takim konsultues me partitë parlamentare për caktimin e zgjedhjeve të reja, pjesëmarrja e tyre në këtë takim është obligues, ngase duhet ta caktojnë datën e zgjedhjeve në afatin kushtetues si dhe kohën e përshtatshme, duke marrë parasysh faktin, që pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje të jetë sa më masive, me qëllim që zëri dhe kërkesat e votuesve të jenë sa më gjithëpërfshirëse, për t’ia dhënë votën subjektit më të mirë politik”.

Ndër të tjera, ai shtoi se vlerëson që data e zgjedhjes do caktohet në një kohë të përshtatshme, që i ofron kohë partive politike të përgatiten për garën zgjedhore.

“Ndërsa, datën e mbajtjes së zgjedhjeve e caktojnë me konsensus të bashkërisht në takim te presidentja partitë garuese në zgjedhje, si dhe kohën më të përshtatshme për të bërë garë politike, duke i dhënë vetes kohë të mjaftuar për fushatën parazgjedhore, me qëllim të ofrimit të programeve konkrete zhvillimore, si dhe ofertën më të mirë politike për zhvillimin e vendit, realizimin e premtimeve elektorale si dhe zbatimin e denjë të politikës së jashtme të Kosovës, sidomos anëtarësimin e saj në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Halimi: Partitë politike në Kosovë veç kanë filluar fushatën në mënyra të ndryshme

Kurse, analisti tjetër, Jeton Halimi tha se partitë politike, veçse kanë filluar tash e një kohë me fushatat e tyre politike.

Image

Jeton Halimi

Sipas tij, data e zgjedhjeve mund të zgjedhet diku në fund të muajit janar, ose në fillim të muajit shkurt.

“Më në fund, paska vendosur Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për t’i ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik, kjo për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Partitë politike në Kosovë veç kanë filluar fushatën në mënyra të ndryshme, për zgjedhjet paralamentare që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, sipas kalendarit dhe Kushtetutës Republikës Kosovës, data mundet të jetë nga fundi muajit janar apo fillimi i mujit shkurt (2025)”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Halimi potencoi se LVV e PDK kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, e këtë e kanë bërë gjatë takimit të fundit të Krasniqit me Kurtin.

“Pas takimit të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, shefit të grupit paralamentar Abelard Tahiri, me kryeministrin Albin Kurti dhe shefen e grupit parlamentar, Mimoza Kusari-Lila nga VV-ja, kanë dalë disa ide dhe janë marrë vesh për bashkëqeverisje, pas mbajtjes së zgjedhjeve. Thujase kanë ndarë edhe pozitat dhe ministrit, cilat do t’iu takojnë.

Kyretari LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj nuk kanë marrë pjesë, ata e kanë kuptuar se Albin Kurti ka dasht me u vendosë kushte për këtë takim. Ku, dështimet e veta politike t’ia faturojë opozitës dhe në fushatë të viktimizohet dhe me popullizimin e tij ta mashtrojë popullatën në Kosovë. Tani popullata duhet të mendojë tri herë a duhet ta votojë këtë mashtrues, Albin Kurtin”, përfundoi Jeton Halimi për “Bota sot”.

Read Entire Article