Një rreshter i policisë së New Yorkut vrau gruan dhe dy fëmijët e tij përpara se të kryente vetëvrasje gjatë fundjavës, ka njoftuar policia, shkruan Independent.
Departamenti i Policisë në Clarkstown i identifikoi viktimat në vendin ku ishte kryer krimi. Bëhet fjalë për 49-vjeçarin Watson Morgan, gruan e tij shqiptare Ornela Morgan, 43 vjeç dhe dy djemtë e çiftit, të moshës 10 dhe 12 vjeç.
Autoritetet thanë se të katër kishin plagë me armë zjarri dhe një pistoletë u gjet në vendngjarje, transmeton Telegrafi.
Trupat e tyre u zbuluan nga policia pak pas mesnatës të së premtes në shtëpinë e familjes në periferi të New York City, pasi Morgan nuk u paraqit për turnin e tij të mbrëmjes në Departamentin e Policisë Bronxville.
“Në këtë fazë të hetimit besohet se Watson vrau gruan dhe dy fëmijët e tij, përpara se të vriste veten me armë zjarri”, thuhet në një deklaratë nga Departamenti i Policisë në Clarkstown.
Watson ishte zyrtar policor në Departamentin e Policisë së New Yorkut për shtatë vjet.
Më pas ai iu bashkua policisë në Bronxville, që ndodhet në Westchester County, e në vitin 2007 u ngrit në detyrë me gradën rreshter.
Sipas një postimi në X nga llogaria zyrtare e Educators of New York, Ornela Watson ishte mësuese e shkollës publike në qytetin e New Yorkut.
Një fqinj i familjes, i cila kërkoi të mos i përmendet emri, tha për New York Post se komuniteti ka mbetur i tronditur.
“Unë kurrë në një milion vjet nuk do të prisja që [ai] të bënte diçka të tillë”, tha gruaja.
“Fëmijët ishin gjithmonë këtu duke luajtur jashtë, dhe nëna e tyre ishte thjesht personi më i ëmbël që keni takuar ndonjëherë… Jemi në shok. Të gjithë në këtë komunitet janë të tronditur”, shtoi ajo. /Telegrafi/