Dhoma Amerikane e shqetësuar për marrëdhëniet aktuale të Kosovës me aleatët e saj: Dështimi për të siguruar anëtarësimin në KiE, shembull i rënies së mbështetjes

2 months ago 10

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me iniciativat e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e të cilat nuk janë koordinuar me aleatët dhe partnerët strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Në reagimin e kësaj Ode thuhet se veprimet e tilla kanë ngritur shqetësime tek shtetet që e kanë mbështetur me vendosmëri Kosovën përgjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt shpalljes së pavarësisë dhe në procesin e vazhdueshëm të shtet ndërtimit.

“Oda Amerikane është veçanërisht e shqetësuar me deklaratat e partnerëve kryesorë të Kosovës në lidhje me zbehjen e entuziazmit për mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Dështimi i fundit për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës është një shembull i qartë i rënies së mbështetjes”, thuhet në reagim.

Më tej OEAK shprehet se ‘suksesi i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me marrëdhëniet e forta që ajo ka kultivuar me aleatët e saj. Këto partneritete jo vetëm që kanë forcuar pozitën politike të Kosovës, por gjithashtu kanë qenë jetike në nxitjen e rritjes ekonomike. Kur Kosova vepron në përputhje me pritjet dhe udhëzimet e partnerëve të saj strategjikë, ajo dërgon një sinjal të fuqishëm të stabilitetit, besueshmërisë dhe përkushtimit ndaj vlerave të përbashkëta, cilësi këto thelbësore për tërheqjen dhe ruajtjen e investitorëve’.

“Veprimet e pakoordinuara, veçanërisht ato që janë në kundërshtim me këshillat e aleatëve kryesorë, rrezikojnë ta izolojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe të dobësojnë pozitën e saj në negociatat e rëndësishme. Ato gjithashtu mund të krijojnë një mjedis pasigurie që mund të dekurajojë investitorët potencialë, të cilët kërkojnë garanci se klima politike dhe ekonomike është e qëndrueshme dhe e parashikueshme. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë e rëndësishme në përparimin e Kosovës dhe çdo cenim i kësaj mbështetjeje mund të ketë pasoja me shtrirje të gjerë, si për ambiciet diplomatike ashtu edhe për ato ekonomike të vendit”.

Gjithashtu, Oda Amerikane është thellësisht e shqetësuar me diskursin e promovuar nga Qeveria, i cili po i kontribuon sentimenteve jomiqësore ndaj partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës. Një retorikë e tillë është e rrezikshme dhe mund të minojë ndjenjat e forta proamerikane dhe properëndimore që janë pasqyruar vazhdimisht në sondazhet e organizatave të njohura, duke përfshirë edhe atë të kryer së fundmi nga Instituti Republikan Ndërkombëtar. Çdo përkeqësim në këtë aspekt mund të ketë implikime serioze për të ardhmen e Kosovës, ndërsa qeveria aktuale duhet të jetë e vetëdijshme se do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo gërryerje të këtij besimi dhe mbështetjeje në mesin e popullatës.

“Oda Amerikane beson fuqishëm se Qeveria e Kosovës duhet t’i japë përparësi qasjes bashkëpunuese, duke shfrytëzuar fuqinë e aleancave të saj. Duke ruajtur kursin historik, i cili u ndërtua mbi bazën e besimit, dialogut dhe respektit të ndërsjellë me aleatët e saj, Kosova mund të vazhdojë të avancojë integrimin e saj euroatlantik, të përmirësojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të krijojë një klimë më të favorshme biznesi dhe investimi”, thuhet në reagim.

Oda Ekonomike Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në dialog të hapur dhe të sinqertë me partnerët e saj ndërkombëtarë, duke siguruar që të gjitha nismat e rëndësishme koordinohen me kujdes, me qëllim të mbrojtjes së interesave afatgjata të shtetit dhe ruajtjes së marrëdhënieve të forta të krijuara ndër vite./ Monitor

Read Entire Article