Dhuna pezullon futbollin në Turqi

10 months ago 14
13:26 12/12/2023

Presidenti i klubit të Superligës godet gjyqtarin, Erdogan: Sport do të thotë paqe!

Dhuna godet futbollin turk. Ngjarja e rëndë u shënua në takimin e Superligës, ku protagonist u bë presidenti i skuadrës, Ankaragucu, Faruk Koça. I indinjuar me vendimet e gjyqtarit kryesor në barazimin ndaj Rizespor, ai hyri në fushë për ta goditur me grusht në pjesën e poshtme të syrit të majtë. Një goditje që solli përleshje të ashpër mes dy stafeve, pasi mbi Meler u qëllua edhe me shkelme, ndërsa për të qetësuar situatën ndërhyri policia.

Pas ngjarjes, Koça, i cili po dilte nga spitali, u shoqërua mes brohorimave të tifozëve të skuadrës së Ankaragucu në komisariatin e policisë për të dhënë shpjegimet. Ata mbështeten presidentin për veprimin, teksa në koret e tyre dëgjohen fjalët ’President i madh’. 

Në fjalët e tij para policisë, ai ka pranuar se nuk kishte qëllime për ta goditur arbitrin kryesor, por vetëm për ta sulmuar verbalisht. Tre persona akuzohen si shkaktor të dhunës në fushën e blertë, teksa autoritet e futbollit në vend pezulluar për një kohë të pacaktuar kampionatin e të gjithë niveleve në Turqi.

“Klubi përgjegjës, presidenti i klubit, drejtorët e tij dhe të gjithë kriminelët që sulmuan Halil Umut Meler do të dënohen në mënyrën më të rëndë”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e Federatës Turke të futbollit.

Rreth ngjarjes së turpshme në futbollin turk reagoi edhe presidenti, Rexhep Taip Erdoan.

“Dënoj sulmin ndaj gjyqtarit dhe i uroj shërim të shpejtë. Sport do të thotë paqe dhe vëllazëri. Sporti është i papajtueshëm me dhunën. Nuk do të lejojmë kurrë që të ketë dhunë në sportet turke”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Gjyqtarët në Turqi shpesh kritikohen nga drejtuesit dhe presidentët e klubeve për vendimet e tyre, por rrallëherë janë objektiv i sulmeve të dhunshme. Probleme me gjyqtarët ka edhe në Greqi, ku prej ditësh nuk zhvillohen takimet e Superligës, për shkak të bojkotit të tyre për të gjykuar sfida me një presion të lartë në fushë.


Të ngjashme

Read Entire Article