Diferenca mbulohet nga buxheti/ Përgjysmohet barra buxhetore për financimin e deficitit të skemës së pensioneve

2 hours ago 17

Shpenzimet buxhetore për financimin e skemës publike të pensioneve shënuan në 9 mujorin 2024 nivelin më të ulët së paku që nga viti 2012, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

Skema publike paguan për pensionet me shumë se sa arkëton nga pagesat e sigurimeve shoqërore prej punonjësve aktualë.

Diferenca është deficit që mbulohet nga buxheti, dmth nga taksat dhe tatimet e tjera që paguajnë qytetarët dhe bizneset. Kjo diferencë në vend që të zgjerohet prej rritjes gjithnjë e më shumë të numrit të pensionistëve nga plakja e popullsisë, po vjen në ulje.

Në fund të 9 mujorit 2024 deficiti i skemës së pensioneve shënoi një vlerë prej 29,1 miliardë lekësh, më e ulëta së paku që nga viti 2012, (shiko grafikun e mëposhtëm). Qeveria po shpenzon më pak para për financimin e skemës së pensioneve në një kohë që të ardhurat buxhetore në vlerë janë rritur me ritme dyshifore vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave që nga viti 2014 deri më 2024 të ardhurat buxhetore u rriten me 98 për qind, ndërsa deficiti i skemës së pensioneve në të njëjtën periudhë u ul me 10%. Kjo do të thotë, se pesha e shpenzimeve për pensionet që përballohen nga buxheti i shtetit është shumë më e ulët se 10 vite më parë.

Psh në vitin 2014 buxheti grumbullonte gjithsej 266,7 miliardë lekë të ardhura dhe 12.2 për qind të tyre i çonte për financimin e deficitit të skemës së pensioneve, ndërsa në 9 mujorin 2024 qeveria çoi për financimin e deficitit të skemës vetëm 5.5% të të ardhurave.

Kjo situatë është në favor të qeverisë, por në disfavor të pensionistëve, erdhi kryesisht për dy arsye kryesore. E para të ardhurat nga kontributet e sigurimeve janë përmirësuar për shkak të rritjes së pagave si në sektorin privat dhe atë publik me një ritëm më të shpejtë pas pandemisë Covid-19. Rritja e pagës minimale me rreth 30 për qind në harkun e një viti që nisi në vitin 2022 ndikoi pozitivisht të ardhurat nga kontributet.

Nga ana tjetër shpenzimet për pagesat e pensioneve nuk u rritën sipas parashikimeve. Pensionistët që dolën në pension vitet e fundit nuk plotësojnë kriterët për pagesa të plota. Për rrjedhojë shumica e pensionistëve përfitojnë pension social ose të pjesshëm.

Humbja e dokumentacionit për vitet e punës dhe puna në të zezë në 30 vitet e fundit kanë bërë që pjesa më e madhe e atyre që dalin në pension aktualisht të mos përmbushin kriterin për vitet e punës që është rreth 39 vite me sigurime për të përfituar pension të plotë.

Nga njëra anë ka rritje të shpenzimeve më pak se parashikimet dhe nga ana tjetër rritja e arkëtimeve nga kontributet më shumë se pritshmëritë e ka zvogëluar barrën e buxhetit për pensionet.

Në fillim të këtij viti qeveria mori mbrapsht mbi 7 miliardë lekë nga kursimi i deficitit të skemës dhe i çoi ato për investime në infrastrukturë nëpërmjet një akti normativ për ndryshimin e buxhetit 2024. Ndërkohë shumica e pensionistëve shqiptarë marrin pagesa mujore poshtë nivelit relativ të varfërisë 6.7 USD në ditë të përcaktuar nga Banka Botërore./ Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article