“Do të hapet kutia e Pandorës”, ja çka pritet të ndodhë me Kosovën dhe Serbinë nëse Trump fiton zgjedhjet në SHBA

4 months ago 13

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rezultatet e tyre mund të kenë ndikim në Ballkan dhe në dialogun Kosovë- Serbi.

Drejtoresha ekzekutive e nismës së re sociale në Serbi, Jovana Radosavljeviç ka bërë një analizë sesi pritet të ndikojnë zgjedhjet në SHBA në dialogun Kosovë- Serbi.

Sipas saj, nëse fiton Donald Trump, dy vendet do i rikthehen qasjes së dialogut që kishin gjatë mandatit të tij të parë, por me disa mësime të nxjerra. Megjithatë ajo shtoi se ka shumë të panjohura se si do të vazhdojë ky proces.

 “Kuptohet, dy përfundime do të ketë. Nëse kemi fitoren e Trumpit, ndoshta mund të mendojmë t’i rikthehemi qasjes ndaj dialogut që kishim gjatë mandatit të tij të parë. Kjo do të thotë gjithashtu se do të kemi Riçard Grenellin në një lloj marrëveshjeje me Ballkanin Perëndimor. Kështu që, mund të mendojmë vetëm për periudhën e mëparshme kur Trumpi ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Grenelli në fakt ngulmoi drejt marrëveshjes së Uashingtonit.

Pra, pa dyshim, qasja e SHBA-ve do të ishte ndryshe nëse vendosin që Ballkani Perëndimor është një prioritet për Shtetet e Bashkuara në këto ndryshime globale dhe po e shohim në këtë pikë. Nëse do të kishim vazhdimin e qeverisjes së demokratëve, qasja do të ishte pak a shumë e njëjtë, por edhe me disa mësime të nxjerra”.

“Mendoj se është shumë interesante për t’u vërejtur se si kjo qeveri në Prishtinë ka arritur të mos i prishë, por t’i përkeqësojë marrëdhëniet me partnerët dhe aleatët më të besuar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe me të dyja administratat, Republikanen dhe Demokratiken. Pra, në këtë kuptim, mendoj se ka shumë të panjohura se si mund të evoluojë më tej, por mendoj se do të varet edhe nga ajo që do të shohë presidenti i ardhshëm i SHBA-së ose departamenti tjetër si përparësi për Shtetet e Bashkuara dhe ku do të jetë Ballkani Perëndimor në listën e përparësive”, ka thënë Jovana Radosavljeviç.

Analistët politikë kanë folur për “Bota sot” rreth asaj se çfarë do të ndodhte me Kosovën dhe Serbinë në rast të rikthimit në pushtet të kandidatit Donald Trump.

Xani: Cilido president që do të vjen në pushtet nuk konsideroj se do të rrezikohet Kosova

Analisti politik Visar Xani thotë se për Kosovën nuk duhet të ketë shumë vëmendje kush vjen në pushtet në SHBA.

Image

Visar Xani

Sipas tij, liderët në Kosovë nuk duhet të krijojnë preferenca për ndonjë lider apo tjetër.

“Konsideroj që për Kosovën nuk duhet të ketë shumë vëmendje se kush do të vjen në pushtet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse është në politikën e mirë dhe në qasjen strategjike mos të rreshtohemi si Kosovë dhe të matemi mirë sa i përket deklarimeve të tilla, dhe sidomos liderët politikë dhe shtetëror të Kosovës me qëllim të mos krijojmë asi lloj përshtypje se ka  preferenca një lider më shumë apo më pak”, deklaron Xani.

Politika amerikane nuk ndryshon shumë pavarësisht kush vjen në pushtet, thotë Xani, gjersa rikujton se në kohën e Trump Kosova ka arritur ta sjellë njohjen e Izraelit.

“Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është në vazhdimësi mbështetëse për Kosovën dhe cilido president që do të vjen në pushtet nuk konsideroj se do të rrezikohet Kosova. Përkundrazi, për shembull aspektet strategjike të dialogimit i kanë dinamika të veta, mbase kemi pritur shumë më shumë nga Biden, sepse është dhe ka qenë mik i Kosovës, por aspektet strategjike të tyre sigurisht e parashohin në agjendë të caktuar dhe vështirë për të ndryshuar diçka të tillë. Prandaj, mos të harrojmë që në kohën e Trumpit Kosova ka fituar edhe njohjen nga Izraeli dhe kjo ka qenë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra ka pasur edhe zoti Trump dhe Grenell një angazhim të jashtëzakonshëm në Kosovë dhe politika amerikane nuk ndryshon shumë pavarësisht kush do të vinte president”, shprehet analisti.

Në anën tjetër, profesori  amerikan Edëard P. Joseph, i cili është njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan parashikon trazira në rajon nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë si president.

Në një skenar kur ish-presidenti amerikan, Donald Trump, rikthehet në pushtet dhe tërheq forcat amerikane nga NATO, Joseph thotë se ky do të ishte lajm i keq për Ballkanin.

“Nëse kjo është pyetja, çfarë do të ndodhte nëse forcat e SHBA-së do të zvogëloheshin, ky do të ishte një lajm shumë i keq, sepse vetëm BE-ja nuk është e aftë të ruajë paqen në rajon. Megjithatë, BE-ja po ecën më mirë, por ende nuk merret aq seriozisht sa SHBA. Shembujt kryesorë janë si në Bosnje-Hercegovinë ashtu edhe në Kosovë, ku të gjithë e shohin SHBA-në si udhëheqëse”, ka thënë ai në një panel të “Budapest Balkans Forum”.

Ramabaja: Supozohet se do të hapet kutia e Pandorës

Ndërsa, analisti Sadri Ramabaja thotë se rizgjedhja e Trump-it mund t’i gëzojë aleatët e vjetër, por edhe të shkaktojë pasiguri.

Image

Sadri Ramabaja

“Sa ishte president, D.Trump donte të tërhiqte vendin e tij nga luftërat në Lindjen e Mesme - por ai nuk mundi të largohej dot nga rajoni. Këtë e ka paralajmëruar ndërkohë se do ta bëjë edhe me rastin e Ukrainës, duke krijuar parakushte që lufta të ndalet brenda pak ditësh. E vetëkuptueshme se kjo deklaratë ka ngjallur pasiguri. Perspektiva e rizgjedhjes së tij i gëzon aleatët e vjetër, por gjithashtu shkakton pasiguri, meqë supozohet se do të hapet kutia e Pandorës, duke përshpejtuar Rendin e Ri botëror në ardhje. Lufta në Ukrainë dhe përfundimi i saj në dobi të Rusisë, sigurisht që do të rrisë oreksin e Serbisë për ekspansion. Por, ky fakt nuk paraqet kurrfarë garancioni se Serbia do të realizojë planet e saj ekspansionuese. Përkundrazi, rindezja e luftës në Bosnjë e Kosovë, është një mundësi reale që Serbia të përfundojë në një proces të federalizimit ët saj të brendshëm, ku Sanxhaku do të kishte një status politik më vete dhe fare lehtë në përputhje me atë të tamponzonave, si fazë e ndërmjetme”, shprehet Ramabaja.

Në kohën sa ishte president Donald Trump në SHBA  dhe i dërguari i posaçëm për dialog, Richard Grenell, ishte përfolur edhe ideja e shkëmbimit të territoreve.

Këtë ide e kishte mohuar kategorikisht, Grenell, ndërsa i pyetur nga “Bota sot” nëse kjo ide mund të rikthehet përkundër që ishte mohuar, Ramabaja thotë se sjellja në tavolinë  ideja “shkëmbimi i territoreve” ishte një lloj kamuflimi i idesë për ndarje të Kosovës dhe hapit të parë për krijimin e “Botës serbe”.

 “ Diplomacia perëndimore gjatë procesit të shkërmoçjes së Jugosllavisë nuk ka qenë asnjëherë unike. Le të kujtojmë se vetëm disa javë para se të fillonte ai proces, SHBA-të ishin për ruajtjen e Jugosllavisë si tërësi unike dhe demokratizimin në rrethanat e pluripartizmit që po etablohej gjithandej në fillim të erës së demokracisë plurale. Por, vetëm disa ditë pas shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë, Austria dhe Gjermania do të promovonin interesat e tyre gjeopolitike në rajon, duke njohur këtë pavarësi. Sjellja në tavolinat e negociimit e idesë së ashtuquajtur "shkëmbim i territoreve", në fakt ishte një lloj kamuflimi i idesë së ndarjes së Kosovës dhe hapit së parë për krijimin e "Botës serbe". Në këtë rrafsh kishin kontribuar edhe politikanë të pa përgjegjshëm shqiptarë të Prishtinës dhe Tiranës. Sindromi esadist kishte çitur kokë. Revolucioni demokratik i heshtur, siç i cilësoj unë zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, e kishte dërguar në sirtarët e historisë edhe atë kapitull turpi që kishte prodhuar ky sindrom. Atë ide nuk do ta ringjallte dot as "Ballkani i hapur" që kishte pretendime ta ringjallte Jugosllavinë e re të dominuar sërish nga Serbia, pa Slloveninë e Kroacinë, por me Shqipërinë politike. Futja e veriut të Kosovës në kontroll të plotë dhe funksionalizimi i i Republikës si shtet sovran edhe në veri, i ka dhënë fund kësaj ideje”, shton Ramabaja.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen në nëntor të këtij viti.

Read Entire Article