Myslim Murrizi, anëtar i Këshillit Kombëtar, iu bashkua protestës në mbështetje të Sali Berishës, duke i bërë thirrje ish-kryeministrit që të mos e mbajë mirë me të gjithë dhe të mos qëndrojë peng i fjalës së dhënë.
“I bëj thirrje doktor Berishës, të mblidhet Këshilli Kombëtar. Këta po miratojnë ligje online, le të na flasi nga aty ku është dhe të zbresin në terren. 20 shkurti është afër, duhet të dalim në shesh së pari, anëtarësia e PD dhe ta që janë realisht opozitar. Unë nuk e di që partia jonë do jetë paria e gjithë popullit, sepse nuk kemi pse mbrojmë as patronazhistët, as enveristët. Ne duhet të ndahemi qartë që jemi qendra e djathtë dhe t’ju bëjmë thirrje asaj anëtarësie, 35 mijë anëtarë që kanë votuar për ta zgjedhur këtë burrë për kryetar, nëpërmjet këtyre qytetarëve opozitar. Nuk kemi ndroje për të dalë në shesh për të mbrojtur cilido qytetar të këtij vendi, jo më liderin tonë”, tha Murrizi.
Për deputetët e opozitës të cilët nuk mblidhen në selinë e Partisë Demokratike, Myslim Murrizi kërkoi Berishës që mos merret më me ta.
“Dr Berisha, megjithë se kemi që në 2004 që nuk kemi qenë vaj bashkë, por unë nuk rrumbullakasem dot, kam paguar me qejf kostot e të qenurit njeri i lirë dhe 100 vjet të më jepte zoti do bëja të njëjtën gjë. Mos qëndro peng i fjalës së dhënë, ndaje shapin nga sheqeri, i mirë me të gjithë nuk ke pse bëhesh. Ata deputetë që i pash sot të përjashtuar, janë 95% nga Rithemelimi, që kanë mbështetur Berishën që nga 9 shtatori. Ata deputetë që i thonë vetes opozitar dhe kanë turp të vinë këtu, që kanë ndroje të mblidhen në selinë e PD, që kërkojnë të bëjnë mbledhje në fushë asnjëanëse, lëri të lirë, se kur kanë ikur kanë humbur si vesa para diellit”, tha ai.
Top Channel