Dorëzimi i vendimit të GJKKO, oficerët në shtëpinë e Berishës

11 months ago 27
18:54 23/10/2023

Ish-kryeministri e cilëson antikushtetues. Avokati Gjokutaj: Proces i parregullt

Gjykata e Posaçme ka caktuar seance gjyqësore të marrjes në pyetje të Sali Berishës ditën e Martë në orën 14:00.

Pasditen e së Hënës oficerët e policisë gjyqësore trokitën në apartamentin e ish-kryeminsitrit për t’i dorëzuar zarfin me vendimin e gjykatës që caktoi masën detyrim paraqitje. Ende nuk dihet nëse Sali Berisha ka pranuar të marrë dijeni për këtë vendim. Ky veprim i oficerëve vjen pas refuzimit që Berisha u bëri në zyrën e tij, në selinë e PD-së.

Dy oficerët kanë qëndruar jo më shumë se dy minuta. Bashkë me ta kanë zbritur dhe dy badigardët e ish-kryeministrit.

Por Sali Berisha ka hedhur poshtë akuzat duke e cilësuar antikushtetuese vendimin e gjykatës. Sipas tij, kufizimi i lirive të deputetit merret me vendim të parlamentit.

Këtë qëndrim mbajti më herët dhe përfaqësuesi i tij ligjor i zotit Berisha para dyerve të SPAK.

“Vendimi nuk është ekzekutuar për shkak se është vendim i paligjshëm dhe si i tillë nuk mund të pranohet. Ky është një proces i parregullt ligjor dhe në momentin që zoti Berisha nuk ka marrë dijeni dhe nuk është ekzekutuar ky vendim ai nuk është pjesë e këtij procesi. Këtë ngërç procedurial duhet ta zgjidhin ato që e nisën.”

SPAK e akuzon Sali Berishën se gjatë kohës që ishte kryeministër ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Malltezit. Në dosjen e SPAK thuhet se Berisha ka vendosur strukturat e ndryshme të administratës në dispozicion të Malltezit për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Klan News








Të ngjashme

Read Entire Article