Drejtësia po ndodhë! Ja pse nuk duhet të na habis dënimi i Pjetër Shalës me 18 vjet burg

2 months ago 8
Reklamë

Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është dënuar të martën me 18 vjet burgim për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale.

Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

Pati reagime të shumta pas vendimit e madje i njëjti u qujat i padrejtë.

Haziri: Vendim i gjykatës është një dëshmi se drejtësia po ndodhë

Analisti Nexhat Haziri në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se është e habitshme që ka kësi reagimesh për proces gjoja jo të drejtë.

“Së pari Gjykata Speciale është gjykatë e formuar nga Kosova dhe të gjitha vendimet që merr kjo gjykatë duhet të respektohen nga shoqëria kosovare, për të dhënë shembull në respektimin e institucioneve të drejtësisë dhe funksionimit të ligjit dhe demokracisë në vend. Pra, edhe në rastin e Pjetër Shalës të dënimit të tij nga ana e kësaj gjykate. Është e habitshme qe ka reagime gjoja për proces jo të drejtë, reagime këto më shumë emocionale se sa që vendimi i Gjykatës mund të kundërshtohet me fakte, pasi faktet dhe dëshmitë nuk ka mundur t’i rrëzojë as mbrojtja e të dënuarit në fjalë”, thotë ai.

Image

Analisti Nexhat Haziri

Tutje, ai thotë se ky vendim i gjykatës është një dëshmi se drejtësia po ndodhë dhe për këtë kanë nevojë viktimat, familjet e tyre dhe në përgjithësi shoqëria e Kosovës.

“E them se është e habitshme këto reagime edhe për faktin se askush nuk flet për viktimat e vrara në rrethana të pasqaruara siç ishte ajo në fabrikën e metalit në Kukës. Prandaj ky vendim i gjykatës speciale, është dëshmi se më në fund drejtësia po ndodhë dhe për këtë kanë nevojë viktimat, familjet e tyre dhe në përgjithësi shoqëria kosovare. Ne kemi dëshiruar që këtyre viktimave t'u japim drejtësi dhe kjo do të duhej të na shqetësonte dhe tani kur po ndodh në Gjykatën Speciale në Hagë, natyrisht se lexohet si dështim i ynë për të pasur drejtësi e gjyqësi të pavarur në Kosovë”, deklaron ai

Bajraktari: Gjykata Speciale po e aplikon një politikë ndëshkimore mjaft të ashpër, veçmas gjykata e shkallës së parë

Lidhur me këtë, avokati Ardian Bajraktari në një bashkëbisedim me “Bota sot” ai tha se Specialja po e aplikon një politikë ndëshkimore shumë të ashpër.

Ai në vendimin e sotëm, sheh edhe mangësi, siç e cek rastin “më ose rreth datës 5 qershor 1999,...”.

“Sot u bë publik aktgjykimi dënues për z. Shala, me ç’ rast i njëjti u dënua me 18 vite burgim. Ajo çfarë kemi parë edhe në rastin e parë, kur është dënuar z. Mustafa, Dhomat e Specializuara, apo siç njihet ndryshe në publik Gjykata Speciale, po e aplikon një politikë ndëshkimore mjaft të ashpër, veçmas gjykata e shkallës së parë.

Ajo që vlen të theksohet, gjithnjë duke ju referuar asaj që u publikua, kur jemi tek përshkrimi faktik i veprimeve që si rregull duhet të jenë përshkrim i saktë dhe i detajuar, ndryshe nga që u tha sot, për shembull, ndër të tjera thuhet se: “më ose rreth datës 5 qershor 1999,.....”, një përshkrim i tillë është tejet i mangët. 

Megjithatë po flasim vetëm për vendimin e shkallës së parë, ndaj të cilit sigurisht se palët, me thekës të veçantë pala mbrojtëse do të shfrytëzoi të drejtën e ushtrimit të mjetit juridik, ankesës, sikurse parashihet me legjislacionin përkatës në fuqi”, thotë ai.

Image

Ardian Bajraktari

Tutje, vërejtje e sheh edhe transparencën, për të cilën thotë se procedurat gjyqësore duhet të jenë transparente.

“Vlen të ceket se përgjithësisht proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara janë duke u shoqëruar me mungesë të theksuar të transparencës, e kur jemi tek kjo pjesë, procedurat gjyqësore duhet me qenë transparente, ngase parimi i publicitetit të procedurës është njëri prej parimeve bazë, kurse kufizimi i publicitetit mund të bëhet në rrethana përjashtuese”, deklaron ai.

Gjini: Dënimi jomeritor i Shalës nga Gjykata Speciale shkelje e standardeve të drejtësisë ndërkombëtare

Edhe avokati Gent Gjini, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se kjo gjykatë po sjellë vetëm padrejtësi për shqiptarët.

Sipas tij, dënimi i tyre po bëhet në mënyrë subjektive pa u bazuar në prova dhe faktet e argumentimit.

“Se që kjo Gjykate Speciale, që nga fillimi i themelimit të saj, do të sjellë vetëm padrejtësi për faktorin shqiptar, ka qenë ajo se gjykimi për krimet e luftës që ka ndodhur në Kosovë do të bëhet ndaj palës shqiptare të cilët kanë mbrojtur atdheun e tyre, e jo për kriminelët serb ushtarak, dhe polic, të cilët kanë bërë krime makabre ndaj popullatës civile shqiptare, duke punuar si aparat shtetërore i organizuar dhe strukturuar mirë, për spastrimin etnik të popullatës shumicë shqiptare. 

Pra, prandaj edhe kjo Gjykatë Speciale, faktorin dhe palën shqiptare, si organizim ushtarak i pranuar edhe ndërkombëtarisht si ushtri e rregullt, për mobililizimin për mbrojtjen e atdheut, dhe të popullatës shumicë shqiptare, po i dënon të njëjtit në mënyrë subjektive, pa u bazuar në prova dhe faktet e argumentimit, dhe me dënime kapitale, me burgosje faktorin shqiptar, para vëmendjes të ndërkombëtarëve me këtë po e paraqet padrejtësisht si palë kriminale, për detyrën e tyre fisnike që  kanë mbrojtur atdheun e tyre nga regjimi serb”, thotë ai.

Image

Gent Gjini

Tutje, për dënimin e Shalës thotë se është skandaloz, është dënim shumë i ashpër dhe kapital, madje thotë se “është dënim që shkel edhe praktikën gjyqësore ndërkombëtare të Tribunalit të Hagës për krimet e luftës të bëra në Ish-Jugosllavi”.

“Unë në cilësi të avokatit, pra nga këndvështrimi im profesional, dënimin me burg prej 18 viteve për Pjeter Shalën, për pretendimet e krimeve të luftës ndaj popullatës ciivile, këtë dënim e vlerësoj si skandaloz, dhe është dënim shumë i ashpër dhe kapital, që i është shqiptuar atij, për të pasur një gjykim të drejt dhe objektiv, dhe është dënim që shkel edhe praktikën gjyqësore ndërkombëtare të Tribunalit të Hagës për krimet e luftës të bëra në Ish-Jugosllavi.

Pra, përse dënimi si ky, nga Gjykata Speciale ka më shumë karakter të dënimit politik, e jo dënim mbi bazën faktike të provave, është ajo se Gjykata Speciale themelimin e saj dhe funksionalizimin e punës së saj, e ka të bazuar vetëm në një raport të pa verifikuar në filtrat juiridik, e ky është raporti Dik Martit, e pikërisht është ky raport i euro deputetit, që duke mos e ditur origjinën e provave dhe fakteve, dhe vlefshmërinë  e tyre, se si dhe në çfarë mënyrash këto janë mbledhur, andaj mjafton për neve që këtu fare lehtë e kemi për të kuptuar se këto prova janë absolutisht si prova vetëm të fabrikuara, prova selektive, të montuara dhe prova juridiksht të paqëndrueshme dhe të paprovuara”, deklaron avokati.

Në fund, ai punën dhe vendimet e kësaj gjykate i vë në dyshim duke thënë se me rastin e djeshëm Gjykata po e bazon gjykimin e saj në procese jo të drejta, duke shqiptuar dënime politike.

Pra, përse për faktorin shqiptar kjo gjykatë sjell vetëm drejtësi selektive, është ajo se përderisa ish Tribunali i Hagës për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, ka gjykuar gjithë akterët dhe palët si serbë, shqiptarë, kroatë, përse ky krim i Pjetër Shalës, në atë kohë nuk është shfaqur, pra nuk është zbuluar krimi ndaj popullatës civile, e që më pas edhe ky krim të gjykohet dhe të dënohet, ngjashëm si krimet të tjera që janë trajtuar dhe gjykuar nga Gjykata e Hagës.

Prandaj është pikërisht kjo, që lë shumë dyshime që në rastin e Pjetër Shalës, Gjykata Speciale ka tejkaluar mandatin e saj, për të sjellë drejtësi për faktorin shqiptar, dhe me këtë ajo e ka konfirmuar se kjo gjykatë, gjykimin e saj e bazon në procese jo të drejta, duke shqiptuar dënime politike, pa pasur prova për faktorin shqiptar, që kanë mbrojtur atdheun e tyre në formacionin ushtarak si UÇK e njohur ndërkombëtarisht edhe nga vet Departamenti i Shtetit i shtetit amerikan”, përmbylli ai për “Bota sot”.

Kujtojmë, se në vitin 2022 është dënuar edhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

"Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim", kishte thënë krye gjykatësja Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

Read Entire Article