Duka: Bashkimi me Berishën dhe Bashën, i vështirë

8 months ago 36
16:12 03/02/2024

“Po vijoi kakofonia, shohim punët tona”

Dokumenti i propozuar prej tij dhe partive të vogla opozitare ende nuk ka gjetur dakordësinë brenda demokratëve, të cilët përplasjet brenda llojit po i reflektojnë edhe në grupimin rreth një federate të gjithë spektrit opozitar. Agron Duka, i cili kryeson agraro-ambientalistët ngërçin e sheh tek konflikti për kryesimin brenda kampit blu.

“Është një proces shumë i vështirë formimi i kësaj federate. Duhet të ketë një PD, kjo duhet të marrë fund.”

Për këtë arsye thotë se kësaj federate nuk i nevojitet një lider, duke përjashtuar Berishën e Bashën nga kryesimi i saj. Të dy këta protagonistë të kampit opozitar nuk i sheh përbashkues për arritjen e një qëllimi final, largimin e Edi Ramës nga pushteti.

“Nuk besoj që nëse ne shkojmë përreth Berishës i ndihmojmë bashkimit, përkundrazi i ndihmojmë përçarjes, apo anasjelltas, ndaj kemi thënë mos kapemi me dy individë Basha apo Berisha, por e gjithë masa e opozitës të bashkohet që t’i imponohemi mazhorancës për padrejtësitë që i bën opozitës, ndërmjet të tjerave edhe Reforma Zgjedhore”.

Por edhe këtu sheh një tjetër ngërç, që sërish sipas tij lidhet me individin që duhet të bashkëkryesojë tryezën e zgjedhores.

“Jemi përpara një fakti. Duam të ndryshojë Reforma Zgjedhore, nëse këto dy individë Basha e Berisha arrijnë ta ndryshojnë, atëherë bujrum po shkojmë pas ndonjë individi pas tyre, por unë nuk e shoh të realizueshme këtë.”

Dhe në kushtet e mungesës së dakordësisë dhe besimit mes palëve ajo që i mbetet është distancimi nga demokratët.

“Nëse do vazhdojë kakofonia partitë e vogla do rigrupohen në kushtet e një Kodi Zgjedhor diskriminues për to, për të mbijetuar, por shanset për rrotacion pushteti unë i shoh shumë, shumë të vështira”.

Me qëllim fitoren në zgjedhjet parlamentare të 2025, në Dhjetor të vitit të kaluar partitë e vogla opozitare propozuan krijimin e një federate që të kryesohej nga 4 koordinatorë.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article