Duka: Rrugëtimi më i bukur i Kombëtares. Objektivi ynë është të kalojmë grupin në Gjermani

10 months ago 14
18:51 15/12/2023

Kualifikimi i Shqipërisë në Euro 2024 po bën ende jehonë edhe për mënyrën se si u arrit si e para në grup. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në një intervistë për kanalin “TRT Ëorld” foli rreth paraqitjes entuziasmuese të kuqezinjve në ndeshjet kualifikuese që sollën 15 pikë, një rekord për Kombëtaren.

Armand Duka: Paraqitja e Shqipërisë në këtë edicion kualifikues ka qenë fantastike në të gjitha ndeshjet. Edhe kur humbëm në sfidën e parë me Poloninë, tifozët ishin të kënaqur me paraqitjen e ekipit. Ky ishte rrugëtimi më i suksesshëm për ekipin Kombëtar, jo vetëm sepse siguroi vendin e parë në grup, por edhe për paraqitjen shumë të mirë dhe golat shumë të bukur të shënuar nga lojtarët tanë.

Kombëtarja e drejtuar nga Sylvinho është një nga 6 përfaqësueset nga Ballkani, pjesëmarrëse në Europianin e vitit të ardhshëm. Ky sukses u arrit si një punë e përbashkët mes lojtarëve, stafit teknik dhe federatës. Sipas Dukës, Shqipëria do të guxojë më shumë se ndeshjet e fazës së grupeve.

Armand Duka: Për ne e rëndësishme është të bëjmë një performacë të mirë në grup dhe objektivi ynë është të kualifikohemi më tej. Shpresoj që ta arrijmë këtë objektiv, gjithesesi ne kemi arritur një sukses të madh dhe jemi pjesë e Euro 2024.

Kreu i FSHF-së përmendi edhe faktin se tashmë Kombëtarja ka një qendër moderne stërvitore pranë selisë së federatës, duke e cilësuar nga më të mirat në rajon. Në grupin e Shqipërisë janë Spanja, Italia dhe Kroacia, duke e bërë më të fortin në këtë aktivitet.

Faza finale e Euro 2024 do të mbahet prej 14 Qershorit deri në 14 Korrik në Gjermani, me TV Klan që do të transmetojë jo vetëm Kombëtaren e Sylvinhos, por 31 ndeshjet më të forta pa pagesë për territorin e Shqipërisë.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article