“Dukagjini i vjetër” dhe pasuritë e tij, çfarë fsheh qyteti i sharrëtarëve!

1 week ago 42
Reklamë

Rrethi i Pukë, i njohur si “Dukagjini i vjetër” deri ne fillim të shekullit të XX (R.S.SH.Z.A.M.U Angleze), është i shquar për masivet e saj pyjor dhe pasuritë minerale nëntokësore. Përpunimi i lëndës së parë drusore të këtyre pyjeve nisi të bëhej në kohën e Italisë në vitin 1939, në Sharrat e Kryezit, Qafë / Malit, Gosës, Tërbunit, etj. Me shtetëzimin e tyre në vitin 1945 u krijua ndërmarrja shtetërore e sharrave të Pukës. Por, larmia dhe pafundësia e lëndës drusore të këtyre pyjeve dhe nevojat e shumta që kishte vendi pas Luftës së Dyte Botërore kërkonin që të rritej sasia dhe cilësia e produkteve dhe nënprodukteve të lëndës drusore, njëkohësisht kërkohej dhe rritja e mekanizimit dhe tokologjisë, gjë e cila çoj në ndërtimin e Stabilimentit të përpunimit të drurit në FushëArrëz (Fushë-Arst) në vitin 1949 duke shënuar edhe themelimin e këtij qytetit.

Në fillimet e tij Fushë-Arrzi kishte si banesa disa baraka druri te ndërtuar nga kjo ndërmarrje e sapo krijuar dhe të vendosura në vendin, ku më vonë do të ndërtohej fabrika e fibrës, pastaj filloj ndërtimi i godinave deri në 3 kate me mure guri. Ndërtesa e parë administrative është godina e drejtorisë së sharrave, për të ardhur te ndërtimet shumëkatëshe nga ndërmarrja e ndërtimit Pukë, hotel Turizmi, etj. Por, vitet 1970-”90, janë vitet e zhvillimit të vrullshëm të këtij qyteti. Në këto vite nga sektori i investimeve dhe ndërtimit të ndërmarrjes së sharave u ndërtuan disa objekte të karakterit socialekonomike, kulturor e publik, si Pallati i Kulturës së qytetit i pajisur me bibliotekë, kinema dhe grupet artistike të saj të cilat përformonin në marrë rrethin e më gjerë duke mbajtur gjallë jetën artistike e kulturor, godina e postë telegraf telekomunikacionit (P.T.T) dhe zyrat administrative ku sot është Bashkisë e qytetit, si dhe në një kohë rekord u ndërtua ujësjellësi i ri me gjatësi rreth 8km, i cili merrte ujin nga mali i Krrabit dhe e sillte në Fushë-Arrëz. Në këtë mënyrë qendra e qytetit mori formën urbane të cilën ka edhe sot.

Ky qytet shumë shpejt nga një qytet i sharrëtarëve do të shndërrohej në një qytet të industrializuara.

Në vitet 1970-”80 të shekullit të kaluar në këtë qytet u ngritën edhe dy fabrika të përpunimit të bakrit. Njëkohësisht industria përpunuese e drurit tashmë kishte hyrë në një fazë të re dhe rreth viteve “80 të shekullit të XX, lindi nevoja e mbylljes së ciklit nga nxjerrja e lëndës së parë e deri tek produkti dhe nënproduktet e gatshme. Në këtë periudhë u ndërtua stabilimenti i ri, fabrika e fibrës, fabrika e Kollofonit. Po ashtu u ndërtua reparti i zdrukthëtarisë (marangozit, mobilierisë), reparti i ofiçinës së riparimit të mjeteve e mekanizmave, por, veç tjerash kjo ndërmarrje kishte dhe një sektor të veçantë atë të investimeve dhe ndërtimit, duke i dhënë trajtën e një kombinati të përpunimit të drurit, më i madhi në vend. I gjithë ky vrull i zhvillimit industrial do të lindë edhe ndërmarrje të tjera ndihmëse sikurse ishin ato të shërbimeve, Parkut të Makinerive e Mallrave ndër më të mëdhenjtë në vend, Ndërmarrjes së Rrugëve, Ndërmarrjes Pyjore, Degët e Kujdesit Shëndetësorë e Arsimorë, kësisoj qyteti do të rritej e zhvillohej duke arritur deri në rreth 7 000 banorë bashkë me rrethinat, por dhe do të gjallërohej, duke u shndërruar në një nga qytetet me industrialë të kohës në Shqipëri, një qytet i ri dhe i vogël, në zemër të Shqiptarisë, por me banorë e njerëz me kontribut, shpirt e vlera të mëdha.

Bërthama, promotor, lokomotive e kësaj rritje e zhvillimi pa dyshim do të ishte ndërmarrja e përpunimit të drurit apo siç ndryshe thuhet ajo e Sharrave, e cila arriti të kishte deri në 17 000 punëtorë ne vit, me degët, nëndegët dhe sektorët e saj.

Rreth viteve 80 të shekullit të XX, ne fëmijërinë time në vizitat e shpeshta në këtë ndërmarrje, kudo shikoja ndjenja e krenarisë tek punonjësit e saj. Kudo ndjehej dinamika dhe gjallëria në impiantet e gatrave të Herkulezit, Kaçinarit, etj., tek Çekulari i traversave, staxhionimit, elevatorit të stivimit dhe ajrosjes së dërrasave, tek zdrukthëtaria me repartet e arredimit dhe mobilimit, etj. etj. Në këtë kohë ishte bërë traditë që nxënësit dhe studentët punësoheshin në ndërmarrjet e këtij qyteti në pushimet verore. Kur e morën vesh se unë isha në shkollë ndërtimi me orientuan tek Ndërmarrja e Ndërtimeve Industriale Laç, kantieri Fushë-Arrëz i cili po ndërtonte fabrikën e fibrës dhe aty krijuan një brigadë të re sezonale, enkas me nxënës dhe studentë ku me vendosen si brigadier i saj nga qershori deri në shtator.

Me traversat e prodhuara nga ndërmarrja e Sharave të Pukës u shtruan linjat hekurudhore të Shqipërisë: Me parketin e prodhuar prej saj u shtruan objektet e ndryshme qeveritare, social-kulturore dhe banesat anë e mbanë vendit e më gjerë. Me mobiliet e prodhuar në këtë ndërmarrje u arreduan institucionet vendore, qendrore dhe banesat për mbarë popullatën. Binarët, dërrasat e prodhuar në këtë ndërmarrje qenë suporti kryesore i ndërmarrjeve të ndërtimit në Shqipëri. Kollofoni i kësaj ndërmarrje furnizoi industrinë kimike në vend dhe u eksportua jashtë. Lënda drusore e prodhuar nga pyjet dhe sharrat e Pukës që burimi kryesor dhe i vetëm i ngrohjes në vend. Madhështia e kësaj ndërmarrje dukej kudo aq sa sikurse thekson Ing. Jani Male, ish punonjës i ndërmarrjes së sharrave të Librazhdit, “Sharrat e Pukës” i konsideronim si “Ndërmarrjen Kampione” të Shqipërisë. Me zhvillimet pluraliste të viteve 1990, si shumë ndërmarrje ekonomike në mbarë vendin edhe Ndërmarrja e Përpunim Drurit Fushë-Arrëz shkoj drejt privatizimit dhe shuarjes së saj. Ndërkohë që lindën shumë subjekte të reja privat të përpunimit dhe trajtimit të drurit. Por, ajo mbeti simboli i këtij qyteti. Sikurse “Wolsvagen” është krenaria e qytetit të Wolsbugut në Gjermani, ashtu janë pyjet dhe sharrat, krenaria e Fushë-Arrzit dhe Pukës në Shqipëri.

Tashmë kjo ndërmarrje u shua, por jo historia e saj. Pasi, për këtë ka menduar grupi autorëve: Gjon Fierza, Pjetër Dema, Preng Prenga, të cilët përmes një pune të madhe, voluminoze dhe cilësore sjellin para lexuesit dhe ruajnë në kujtesën e kombit këto vlera njerëzore e historike përmes librit: Pyjet dhe sharrat e Pukës në vite. Botim i cili u mundësua nga Lazër Mëhilli-sponsor Gjeneral.

Autorët, përmes kësaj vepre sjellin para lexuesit dokument, fotografi, ngjarje e ndodhi autentike të kohës të trajtuara në tre kapituj, në 532 faqe. Ata, shpjegojnë se në rrjedhat e kohës, Pyjet dhe sharrat e Pukës u organizuan në: Ndërmarrjen Pyjore; Ndërmarrjen e shërbimit Pyjore; Ndërmarrja e Përpunimit të Drurit Fushë-Arrëz.

1- Në kapitullin e parë trajtohen pyjet dhe sharrat e Pukës në një vështrim historik nga viti 1912 e deri në vitin 2016.

2- Në kapitullin e dytë jepet përshkrimi i njësive kryesore të prodhimit: Stabilimeti Fushë-Arrëz njësia me e rëndësishme e ndërmarrjes, Ofiçina, fabrika e Fibrës, fabrika e Kollofonit, Stabilimentet: Kunor-Dardhë, Tuç, Krrabë, Kaçinar, ndërmarrja e shfrytëzimit pyjore Fushë-Arrëz, Sektori i investimeve të ndërmarrjes së sharrave N.P.D. Fushë-Arrëz dhe në mbyllje veprimtaritë e shfrytëzimit të pyjeve si ndërmarrje shtetërore.

3- Në kapitullin e tretë, jepen mbresa dhe kujtime për pyjet dhe sharrat e Pukës, nga ish- punonjës, inxhinier, ekonomistë, specialistë dhe drejtues ndër vite në sharrat dhe pyjet e Pukës.

Në librin e studiuesit Ibrahim Hamza, “Nëpër vitet e jetës”, f,359, autori shpjegon se në vitin 1991 rrethi i Pukës kishte një popullsi rreth 53 000 banorë, duke e krahasuar atë me numrin 17 000 mijë punonjës të sharrave Pukës, që bashkautorët e këtij libri sjellin, rezulton se afërsisht në çdo tre banorë një ka punuar në sharrat e Pukës, ç’ka do të thotë se nuk ka familje në Pukë që në një formë apo në një tjetër të mos këtë pasur një të punësuar në këtë ndërmarrje. Ç’ ka mendoj se përbën një rast unik në vend dhe është një tregues i qartë për madhështinë e kësaj ndërmarrje.

Në këtë ndërmarrje u formuan breza të tërë specialistësh, inxhinierësh, ekonomistësh, etj., duke i dhënë asaj vlerat e një “Akademie”, të cilët i shërbyen vendit deri në nivele të larta të hierarkisë vendore e qendrore, të tillë si: Ismet Seit Hamza-drejtor; Kol Mëhilli – drejtor dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë; Pali Miska- drejtor, ministër e zëvendës Kryeministër i Republikës së Shqipërisë; Pal Gjoni Prenga-drejtor dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë; Zef Doçi- inxhinier, drejtor, kryetar Komiteti Ekzekutiv të rrethit Pukë; Pjetër Dema, ekonomist, drejtor, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Pukë, zv. Ministër i Industrisë, Kryetar i Entit Kombëtar të Energjisë; Ndue Çuni inxhinier, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Pukë dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë; Palush Alija-inxhinier, Drejtor; Preng Prenga Inxhinier, Drejtor ndërmarrje dhe Drejtor i policisë Pyjore të Shqipërisë; Gjergj Sokoli- ekonomist, drejtor; Gjon Fierza, inxhinier, kryetar dege dhe shef i seksionit të pyjeve të Shqipërisë; Luk Gjini; Qamil Brahimi; Zef Cara, etj.

Binomi “Pyjet dhe sharrat e Pukës” të cilin grupi i autorëve: Gjon Fierza, Pjetër Dema, Preng Prenga e kanë zgjedhur si titull të këtij libri është simbiozë e bashkëjetesës dhe ndërveprimit në dekada mes pyjeve dhe sharrave të Pukës. Ndërveprim të cilin aq mirë jepet nga Muharrem Neziri në parathënien e këtij libri e mbishëruar nga pylltarët me idiomën: “Mund të presim një dru pasi të mbjellim dhjetëra fidanë”. Siç shpjegon Ibrahim Hamza, në librin e tij “Nëpër vitet e jetës”f.372, vetëm në vitet 1983-1990 u mbollën në Pukë çdo vit mesatarisht 700 ha duke zënë vendin e parë në shkallë Republike.

Autorët përmes këtij punimi japin të dhëna konkrete dhe me shifra për sipërfaqet e pyllëzuara, fidanët që prodhueshmërinë, fidanët që mbilleshin dhe fidanishtet e rrethit. Jepen të dhëna për fondin pyjorë. Një e dhënë shumë domethënës është fakti se ndërmarrja e sharrave nuk mund të shfrytëzonte pyjet pa lejen e fondit pyjorë. Ndërmarrja pyjor Fushë-Arrëz reflektoi arritjet me të larta të saj kur ajo drejtohej nga Mirash Ndue Lulashi (“Qytetar nderi” Bashkia Fushë-Arrëz) dhe Inxhinieri Selim Dini, me një staf dhe grupe punonjësish tejet të kualifikuar dhe pasionuar për pyet dhe natyrën. Rëndësia dhe përparësia që kishin pyjet e Pukës në shkallë kombëtare reflektohet edhe me hapjen dhe funksionimin e shkollës së mesme Pyjore në Fushë-Arrëz, e cila nxori me dhjetëra profesionistë të kualifikuar që në të ardhmen do të bëheshin promotor të zhvillimit në vend e më gjerë, ku rasti më tipik është ai z. Tonin Alia (“Mjeshtër i Madh”) dhe Kryetar i Shoqatës ‘’Prodhuesve të Mobilieve në Shqipëri’’, njëkohësisht president i kompanisë “Ardeno” me shtrirje në rajonin e Ballkanit e deri në Itali.

Në ato vite për pasqyrimin e jetës dhe veprimtarisë së kësaj ndërmarrje gjigande e me vlera historike në qytetin e Fushë- Arrzit u ndërtua godina e “Ekspozitës së Sharrave” ndër rastet e rralla në vend. Por, tashmë në mungesë të saj dhe në nderim dhe respekt të gjeneratave që me punën dhe veprën e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme historike i propozojmë autoriteteve lokale e qendrore ndërtimin e një “Obelisku” të përmasave kombëtare ashtu siç e meriton kjo ndërmarrje dhe ky qytet, dhe caktimin e një date si “Dita e sharrëtarve” dhe festë lokale. Me datë 27 gusht 2024, në mjediset e qendrës kulturore Fushë-Arrëz, autorët: Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Preng Prenga në bashkëpunim me Bashkinë Fushë-Arrëz, me shoqatën e “Prodhuesve të Mobilieve në Shqipëri” dhe shoqatën e “Specialistëve të Pyjeve” bënë promovimin e këtij libri.

*Artkulli i botuar nga ING. KOL DEDAJ-STUDIUES

Read Entire Article