Dy shqiptarë – “spiunë” të Serbisë, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë rrezikun për Kosovën

4 months ago 9

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë dy personat e arrestuar në Ferizaj gjatë të mërkurës, nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA) të cilëve u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë nga Policia.

Shabani është një ish punëtor i Doganës së Kosovës, që raportohet se është larguar në vitin 2004.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në kanë bastistur shtëpitë e dy të arrestuarve.

Burime nga institucione të larta të sigurisë thanë se njëri nga të ndaluarit është bashkëpunëtor i hershëm i Shërbimit Sekret Serb (BIA) që nga vitet e ’90-ta.

I njëjti, sipas këtyre burimeve kishte si detyrë të mblidhte informata dhe të trillonte me qëllim të njollosjes së imazhit të Kosovës duke ndërtuar narracione të njëjta me Serbinë edhe në kontekstin e ndryshimit të fakteve historike.

Të ndaluarit, janë përcjellë me vite nga institucionet e sigurisë. Po ashtu, ky burim bën të ditur se të ndaluarit i kanë raportuar një oficeri të shërbimit sekret serb me emrin Sërgjan Rosiq.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gasmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

Mirëpo, si janë aktive shërbimet inteligjente të huaja në Kosovë? A duhet që të ketë një hetim me të thellë në Kosovë qoftë brenda apo jashtë institucioneve shtetërore për njerëz të tillë? Sa e cenon sigurinë dhe sa e komprometon shtetin prania e personave të tillë?

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për ‘Bota sot’ kanë folur njohësit e çështjeve të sigurisë.

Kështu, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi thekson se ky operacion i Policisë është për tu përshëndetur dhe në aspektin teknik të tij, sepse Policia e Kosovës dhe Agjencia për Inteligjencë, janë duke punuar edhe në çështje të ndjeshme siç është spiunazhi.  

“Këtë operacion të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë për Inteligjencë e shohim si të domosdoshëm, sidomos pas deklarimeve të shumta që janë bërë nga Presidentja e Republikës së Kosovës , kryeministri e ministra se në Kosovë veprojnë shërbime sekrete serbe dhe për një kohë të gjatë, nuk kemi pasur të ndaluar apo të arrestuar për arsyen e spiunazhit”, vlerëson ai.

Image

Bedri Elezi

Elezi: Jemi të shqetësuar edhe për faktin se, Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë kanë folur dhe kanë paralajmëruar shumë rreth këtij rasti

Eksperti Elezi thotë se në kodin penal të Republikës së Kosovës janë paraparë edhe vepra e spiunazhit edhe forma e ndjekjes së veprës së spiunazhit.

Po ashtu, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë kanë njësitë e posaçme për ҫështjen në fjalë dhe duke parë në aspektin e shpenzimit të parasë dhe buxhetit të Kosovës me ҫështjen në fjalë, këto njësi, kanë të gjithë mbështetjen tekniko-operative dhe financiare për të marr veprimet e duhura në luftimin e këtyre problemeve, për të cilat më parë kanë folur edhe përfaqësuesit e institucioneve më të larta në Republikën e Kosovës

“Në këtë rast kishim vlerësuar me notat e larta, për dy arsye. E para sepse, arrestimi i personave nuk ka të bëjë me ndonjë profil të personat të cilët punojnë në zbatimin e ligjit dhe të cilët do të kishin mundësi të marrjes së informacioneve të dobishme për llogari të shërbimit sekret serb, dhe nuk janë persona që kanë ndonjë peshë publike. Por në kuptimin e operativ teknik, ne e dimë se edhe në arsyen e biznesit apo arsye të tjera, këta persona mund të kenë shërbyer dhe të njëjtit do të dalin para drejtësisë nën dyshimet që kanë punuar për spiunazh, por që nuk na bën të besojmë që kemi të bëjmë me një presion të posaçëm të zbatimit të ligjit në luftimin e shqetësimit të fundit në lidhje me spiunazhin”, thotë ai.

Elezi ka shfaqur shqetësimin se Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë kanë folur dhe kanë paralajmëruar shumë rreth këtij rasti.

Në anën tjetër, ai përmend faktin se ky rast i është dhënë një prokurori që është në fund të mandatit të tij, që është para pensionit. Sipas tij, kalimi nga një prokuror tek një prokuror tjetër, i një rasti kaq të ndjeshëm, nuk konsiderohet si qasje e duhur dhe serioze sa i përket performancës së institucioneve të sigurisë”.

“Ne kemi pasur fatin të kemi një zhgënjim sa i përket  Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, sepse e njëjta ka arrestuar një zyrtar të saj të lartë, përkatësisht shefin e IT-së për rrjedhje të informacioneve, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete me rastin, pastaj është i dënuar një ish drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i  cili dha dorëheqje për lejimin e përdorimit të informacioneve sekrete të një shteti”, thotë ai.

Eksperti Elezi numëron edhe disa raste të tjera, ku kjo agjenci ka dështuar.

“Rast tjetër ishte ai i qytetarëve të Turqisë ku arrestohen dhe dëbohen Gulenistët nga Kosova dhe po ashtu kemi edhe raste të tjera. Po ashtu edhe një vrasje ka ndodhur në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, largimi i një numri të madh të zyrtarëve nga institucioni për inteligjencë dhe shumë çështje të tjera, por rasti i Erion Zenaj, fëmijës për të cilin Agjencia për Inteligjencë, ishte munduar të i faturoj sukseset, kur dihet se atë e kishte kthyer Fitim Lladrovci një pjesëtar i ISIS-it, i cili kishte vendosur ta vjedhë nga ISIS fëmijën dhe ta sjellë në Kosovë. Dhe shumë ngjarje të cilat mund të themi se e kanë konsideruar një performancë të dobët të Agjencisë për Inteligjencë, marrë parasysh edhe rastin e personave për helmimin e liqenit të Badovcit, ku ky rast ka përfunduar në një proces komplet qesharak nga ajo për të cilën është vepruar nga Agjencia për Inteligjencë  dhe Policia e Kosovës”, vlerëson Elezi.

Ai thotë ndër të tjera se, ”mund të themi, që edhe ky rast urojmë të mos ketë fatin e njëjtë me rastet e tjera, por që Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjensinë e Kosovës për Inteligjencë kanë përdorur të gjitha mjetet e tyre, tekniko-operative dhe të gjitha angazhimet ligjore për të siguruar prova, me të cilat prokuroria mund të ngritë një aktakuzë me të cilën gjykata mund të punoj në drejtim të fajësisë të personave në fjalë dhe jo të merremi me veprimet që më shumë doken si veprime të cilat janë për të konsumuar aspektin medial dhe për të ushtrua gjoja gatishmëri tek institucionet në luftimin e zbatimit të ligjit për çështje të ndjeshme se sa realisht për zbatimin e ligjit sipas detyrave dhe përgjegjësive që kanë institucionet relevante në çështjen në fjalë”.

Gecaj: Nuk mund të fokusohemi se vetëm në një kategori e njerëzve punojnë për Serbinë

Po ashtu për këtë çështje ka folur edhe njohësi i sigurisë, Hysen Gecaj. Ai thotë se informacionet për gatishmërinë tonë si shtet për t’iu kundërvënë një krize të madhe eventuale me veriun janë të rëndësishme për palën tjetër.

“Kjo sepse sipas atyre informacioneve ata dinë dhe përgatisin planet për një eventualisht sulm ose demonstratë që shkakton probleme të mëdha dhe çrregullime në vend, por qoftë edhe një invasion ushtarak. Informacione ka të shumta, sepse secili institucion, secila ministri, agjencinë i sigurisë qoftë FSK-ja, policia, AKI-ja apo dikush tjetër ka një gamë të dokumenteve të veta, të cilat janë sekrete, plane të ndryshme të cilat po ranë në duart e palës kundërshtare apo armikut, i shkaktojnë një dëm të madh vendit”, thekson ai.

Image

Hysen Gecaj

Gecaj thotë se bashkëpunëtor me Serbinë mund të ketë në çdo sferë të jetës por dhe në institucione të ndryshme.

“Nuk është për tu befasuar se mund të gjendet dikush në secilin nivel të shoqërisë i cili punon këtë rast për armiqtë. Mund të ketë të tjerë edhe patjetër dhe nuk mund të fokusohemi se vetëm në një kategori e njerëzve punojnë për Serbinë, kjo mund të ndodhë edhe brenda institucioneve të ndryshme”, thekson ai.

Ai thotë se bashkëpunimi i një ish-pjesëtari të PK-së me BIA-n serbe mund të paraqesë rrezik.

“Natyrisht që rasti i tillë paraqet rrezik të madh, prandaj gjatë rekrutimit të Policëve duhet të ketë një kontroll më të rreptë se kush po pranohet”, vlerëson ai.

Read Entire Article