Dyshohet se vrau policin serb, ekzekutohet Faton Hajrizi

2 months ago 12
Reklamë

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, ka thënë të premten se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi. Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut.

Daçiç më herët gjatë së premtes tha se autoritetet ishin në kërkim të Faton Hajrizit, i dyshuar për vrasjen e policit dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë. Ministria e Brendshme e Serbisë po ashtu publikoi fotografinë e Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim.

Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi dyshonin se personi që kreu vrasjen mund të ishte nisur në atë drejtim, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik. Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviç, helikopterët dhe dronët u përfshin në kërkim. Sulmi ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor. Sulmuesi është raportuar të ketë sulmuar me armë zjarri zyrtarët policorë, dhe më pas ka ikur. Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.

“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç.

Policia ka bërë të ditur se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e lëshuar në Kosovë në emër të Artan Hajrizit (1991) dhe një letërnjoftim i tij gjerman. Një ditë më parë, Daçiç ka thënë se po verifikohet nëse personi të cilit i janë gjetur dokumentet është vëllai i Artan Hajrizit, Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu në Kosovë, ditë më parë. Artan Hajrizi ka thënë të enjten për mediat në Kosovë se ndodhet në Gjermani dhe se vëllai i tij, Fatoni, ia ka vjedhur pasaportën.

Ndihmësdrejtori i policisë serbe, Dragan Vasileviç, ka thënë për RTS-në se policia gjermane është kontaktuar përmes Interpolit dhe se identiteti i të dyshuarit ende nuk është “konfirmuar saktë”. Ai ka thënë se autoritetet e sigurisë në Serbi po bashkëpunojnë “shumë mirë me ato të Republikës Sërpska në Bosnje -Hercegovinë, me ato të Kroacisë dhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë./ REL

Read Entire Article