E Diela Shqiptare – Emisioni 17 Dhjetor 2023

10 months ago 30
19:31 17/12/2023

#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave”- Ana vs Klaudio

“Kujdes shëndetin”- Kirurgjia e kockave, Liv Hospital

“Ka një mesazh për ty”- Ëndrra e madhe e Mimozës

Theu tabunë e fshatit, dashuria që u kthye në një tragjedi: Ai vdiq disa ditë pas dasmës

Mimoza, nënë e dy fëmijëve vjen nga Gjermania ku jeton prej 25 vitesh në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Përpara  se të zbulojë arsyen e ardhjes së saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ajo nis të rrëfejë vitet e kaluara në Shqipëri.

Mimoza vjen nga një zonë rurale e Kukësit dhe në moshën 18-vjeçare provoi për herë të parë ndjenjën e dashurisë. Në vendin ku jetonte, dashuria ishte një “mollë e ndaluar” sepse fshati njihte vetëm traditën e zakonin ndaj ndjenja e saj u sprovua për dy vite. Më pas, kur mendoi se arriti gjithçka, Mimozës iu desh të provonte dhimbjen.


Mimoza: U dashurova me një bashkëfshatar timin që në bazë të traditave të atij fshati vajza duhej të martohej me shkuesi. Dashuria ishte tabu.

Ardit Gjebrea: Vërtet, nuk kishte çifte që dashuroheshin dhe që martoheshin më pas apo ishte vetëm shkuesi?

Mimoza: Unë të flas, në atë kohë nuk njoh dikë që në fshatin tim ishte fejuar ose martuar me dashuri.

Ardit Gjebrea: Por ti u dashurove.

Mimoza: Po. U dashurova duke menduar se njeriu do ta vlerësojë një ndjenjë që lind nga Zoti.

Ardit Gjebrea: Si shkoi dashuria jote?

Mimoza: Dashuria ime u gjykua, u paragjykua, u dënua nga i gjithë fshati, gjë që reflektoi edhe te familja ime.

Ardit Gjebrea: Si e priti familja jote?

Mimoza: Të ndierë nën presionin e opinionit, nuk ishin dakord për atë lidhje dhe u munduan prej dy vitesh që të më largonin.

Ardit Gjebrea: Ah, pse zgjati dy vjet?

Mimoza: Po.

Ardit Gjebrea: Nga 18 deri në 20 vjeç.

Mimoza: Po.

Ardit Gjebrea: Dhe?

Mimoza: Pas dy vjetësh, mbase babi im i ndjerë që sot më mungon, reflektoi dhe e pa gjendjen time  psikologjike që unë isha shumë e vendosur për atë lidhje dhe e kurorëzoi me martesën tonë.

Ardit Gjebrea: Pra më në fund babi pranoi dhe tha “martohu me atë që do”.

Mimoza: Po.

Ardit Gjebrea: U bë dasma?

Mimoza: Natyrisht që u bë dasma po mbase kur njeriu mendon që ka arritur majat ose ka bërë një ëndërr realitet, ndodhi që pas vajtjes time te salla, te familja e burrit ku bëhej dasma që ne të dy të përfundonim në spital.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi, patët ndonjë helmim nga ndonjë ushqim a çfarë?

Mimoza: Dikush tha që ndonjë magji, dikush… nga zemra vuante por unë mendoj që gjendja psikologjike jona ishte rënduar këto dy vjet dhe ndodhi ajo që pas pak ditësh pas martese unë mbijetova por ai vdiq. Këtu mendova se nuk ka më ditë nesër për mua. Mendova që… aty ishte shpresa e çdo ëndrre që unë deri atëherë kisha menduar ta shoh realitet.

Dokumente, punë dhe shtëpi në Gjermani, Mimoza përgatit dhuratën më të bukur për vëllain

Pasi humbi tragjikisht dashurinë e parë dhe ra “nga shiu në breshër”, siç u shpreh ajo, Mimoza u bë nënë e dy fëmijëve. Mes shumë vështirësive ajo ia ka dalë si nënë e vetme të krijojë një jetë të re në Gjermani ku ndodhet prej 25 vjetësh.

Por arsyeja që e ka sjellë në “Ka Një Mesazh Për Ty” është vëllai, Shkumbini që njëkohësisht ka qenë shoku,  miku, krahu i saj i sigurt përgjatë jetës edhe pse nuk kanë qenë afër fizikisht. Në vitin 2015, Shkumbini me bashkëshorten dhe 3 fëmijët u përpoqën të zhvendoseshin në Gjermani.

Edhe pse Mimoza punon si drejtoreshë e emigracionit, ai nuk i kërkoi ndihmë për mos ta vendosur në një pozitë të vështirë. Shkumbini qëndroi për 2 vite e gjysmë në Gjermani, por dokumentacioni nuk u aprovua dhe u detyruan të ktheheshin.

Mimoza përshkruan “tmerrin” e kthimit i cili sot do të shndërrohet në emocione të forta. Ajo ka zgjedhur që nëpërmjet rubrikës së programit  “E Diela Shqiptare” në Tv Klan t’i japë Shkumbinit dhe kunatës një lajm të shumëpritur.


Mimoza: Kthimi është e vërtetë që ishte një tmerr, po nisem te vetja. Lidhja ime me vëllain, respekti i nuses që e kam si motër, mosha e fëmijëve të mi dhe mosha e fëmijëve të tij na bëri një familje që e ndjemë veten që po, ishte një moment shumë i bukur…

Ardit Gjebrea: Dhe i vështirë.

Mimoza: Pastaj i vështirë.

Ardit Gjebrea: Sot për kë ke ardhur?

Mimoza: Për vëllain, Shkumbinin, bashkë me nusen e tij.

Ardit Gjebrea: Ai nuk e di që ti ke ardhur, sigurisht.

Mimoza: Jo, nuk e di.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë do t’iu thuash?

Mimoza: Të enjten i kam marrë lejeqëndrimin për në Gjermani.

Ardit Gjebrea: Vetëm atij apo famijes?

Mimoza: Edhe familjes.

Ardit Gjebrea: Të gjithëve?

Mimoza: Të gjithëve.

Ardit Gjebrea: Dhe ai nuk e di këtë gjë?

Mimoza: Ai e dinte që unë po merrem me këtë punë…

Ardit Gjebrea: Por nuk e di që e ke përfunduar. 

Mimoza: Nuk e di që e kam përfunduar dhe pas shumë pyetjesh që ka pyetur se “çfarë bëhet, kam lënë takim këtej, çfarë bëhet për andej”, unë e kam anashkaluar këtë përgjigje se kam dashur të vë qershinë mbi tortë.

Ardit Gjebrea: Po faleminderit që zgjodhe tortën tonë që t’i vësh qershinë!

Mimoza: Ju falenderoj edhe juve që më dhatë këtë mundësi!

Ardit Gjebrea: Unë të falenderoj shumë, tani do të fillojë edhe kalvari i të gjitha sikleteve që le ta quajmë kështu sepse ai duhet të gjejë një punë që të vijë aty…

Mimoza: Ai do të fillojë punë ditën e hënë, në orën 08:00.

Ardit Gjebrea: Nesër?

Mimoza: Po, nesër.

Ardit Gjebrea: Po kur do vijë ai?

Mimoza: Sot pas emisionit që do mbarojmë këtu ka edhe biletën e kthimit me mua.

Ardit Gjebrea: I ke bërë biletën?

Mimoza: Po.

Ardit Gjebrea: Tani vetëm shtëpia mungon.

Mimoza: Mendoj që edhe për atë kam menduar dhe çelësin ia kam marrë me vete.

Ëndrra e nisur në 2015, Mimoza i dhuron vëllait çelësin dhe zarfin që do i ndryshojnë jetën

Mimoza ka ardhur posaçërisht nga Gjermania në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të realizuar një ëndërr. Në rubrikën e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ajo ka ftuar vëllain e saj, Shkumbinin dhe kunatën, Hazbijen për t’iu dhënë një mori lajmesh të gëzuara.

Përpara se Gjebrea t’u zbulonte se kush ndodhej në anën tjetër të studios, Shkumbini dhe Hazbija vunë re një zarf dhe një çelës pranë tyre. Pasi shohin në ekran se është Mimoza ajo që i ka thirrur, ka ardhur momenti të mësojnë kuptimin e dy objekteve që do t’iu ndryshojnë jetën.


Ardit Gjebrea: Çfarë është?

Shkumbin: Është diçka që e kemi kërkuar prej kohësh, por…

Ardit Gjebrea: E keni kërkuar kaq vite dhe e keni në duar.

Shkumbin: Shumë faleminderit!

Ardit Gjebrea: Ka mbaruar gjithçka.

Hasbije: Faleminderit është pak,  por për momentin s’po gjejmë fjalë.

Ardit Gjebrea: Fjalët i ka gjetur ajo që ka mbërritur sot dhe sa do të doja ta jepja unë lajmin, por i takon Mimozës.

Mimoza: Unë jam sot këtu të ndaj me ty një ëndërr të nisur nga ti. Prej vitesh më mungoi prezenca jote por jo dashuria. Prej vitesh ke qenë krahu i dajthtë i imi dhe njeriu që më ke mbështetur gjatë gjithë kohës, pa marrë parasysh çfarë dallgësh më solli jeta. Ti ishe për mua njeriu që gjeta mbështetje, ti ishe për motër, shoqe vëlla dhe çdo gjë, mund ta them ishe drita e syve të mi. E more një rrugë në 2015 e cila nuk u realizua siç ishte dëshira e ne të dyve, por nuk e lashë atë dëshirë në rrugë, vendosa deri atje ku ti deshe bashkë me mua. Vërtet ky mesazh më kishte emocionuar vetë pavarësisht shumë momentin kur të enjten mora lejeqëndrimin tënd për Gjermani. Bashkë me lejeqëndrimin është edhe leja e punës.  Tek çelësi që Arditi të tregoi është çelësi i banesës ku ti bashkë me familjen do kalosh pjesën tjetër të jetës, bashkë me familjen, nënën dhe mua afër, por kjo mbase është shumë e ngjeshur për ty se pas emisionit ke edhe biletën e fluturimit për arsye se të hënën, nesër,  në orën 08:00 do jesh në punë.

Shkumbin: Ardit, nuk kam fjalë çfarë të flas se edhe ne burrat nuk shprehemi dot, nuk e shprehim dot atë dashurinë siç mund ta shprehë motra, por me të vërtetë kjo jo se është motra ime, kjo ka bërë shumë për neve, me aq mundësi sa ka patur, kjo ka patur ato vuajtjet, sakrificat e veta. Unë gjithsesi si vëlla jam shumë falenderues, faleminderit Zotit që kam një mtoër si kjo.  Zoti qoftë me të, me fëmijët e saj, me gjithë farefisin që kemi. Ju falenderoj edhe ju, staf, publik, si emision kaq të bukur që keni! Faleminderit shumë!.

“Ka një mesazh për ty”- Një festë për jetën

“Shihemi në gjyq” – Vëllai fut motrat në sherr

Vëllai përfitoi nga sëmundja e babait dhe mori shtëpinë, Liliana: Na mbylli derën, tha bëni 10 gjyqe…

Liliana ka ardhur nga Italia për t’u përballur me “Shihemi në Gjyq” me motrën e saj, Brunën që vjen nga Turqia.  Problemi është një banesë për të cilën Liliana dyshon se Bruna ka bërë një marrëveshje të fshehtë me njërin nga vëllezërit.

Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan shpjegoi më herët historikun e familjes. Familja Malo, me dy prindërit dhe 9 fëmijët, midis tyre Liliana dhe Bruna jetonin në një banesë shtetërore në pallat gjatë periudhës së regjimit komunist. Për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës, babai i vajzave u dakordësua me një koleg, Solon Karagjozin për të ndërruar banesat sepse ky i fundit jetonte në një shtëpi private.

Komitetet ekzekutive të dy lagjeve vendosën që të shkruhej një kontratë dhurimi shtuar edhe lejimin e ndërrimit të banesave. Në vitin 1992, dy familjet u njohën si pronare respektive të banesave që kishin ndërruar. Dyshimi i Lilianës lind në momentin e privatizimit të banesës sepse në të jetonin dy prindërit, djali i madh, Bruna dhe motra e vogël, të tre beqarë. 6 fëmijët e tjerë ishin martuar, por certifikata e pronësisë rezulton nën emrin e njërit prej vëllezërve, Arqilesë që ishte martuar përpara viteve ’90.

Kjo është pikëpyetja e madhe e Lilianës, si ka ndodhur ky proces kur babai i tyre ishte kategorik në vendimin e tij që banesa të mos i përkiste vetëm njërit prej fëmijëve.


Bruna: Në vitin 1992 babai ynë sëmuret rëndë nga prostata dhe e çojmë urgjent në sital. Në kohën që ne e shtrojmë në spital, babain unë e kam patur edhe gjuetar, mbante gjithë armatimet, pistoletën, çiften, dokumentet, në një dollap të mbyllur, të kyçur që nuk ia prekte njeri, vetëm ai.

Eni Çobani: Babai ishte me armë sepse vinte nga pjesa e ushtrisë apo jo, po.

Bruna: Në këtë kohë që babai im shtrohet në spital një ditë vjen vëllai dhe babai i dorëzoi çelësin vëllait sepse kishte më siguri te vëllai, jo te mamaja, unë, t’i jepte çelës dhe ia dorëzon vëllait që ishte i martuar, i larguar. Ndërkohë ky vjen brenda në shtëpi dhe hap dollapin, ia kontrollon të gjitha dokumentet.

Liliana: Dokumentet e shtëpisë i ka bërë në emrin e vet, ka bërë sikur babi ia ka dhuruar. Babi nuk dhuronte asnjë gjë.

Eni Çobani: Pse je e sigurt që nuk dhuronte babai, Liliana? Pse nuk dhuronte babai?

Liliana: Babai nuk dhuronte sepse thoshte “shtëpia është e të gjithë kalamajve, sidomos e vajzave. Shtëpia është e vajzave sepse ti je përjashta”. Ai u martua, mori shtëpi tjetër dhe iku. E shiti atë shtëpinë që mori se ishte me Ministrinë e Brendshme që jepte shtëpi atëherë se punonin të dy në polici, burrë e grua dhe u futën. E shitën atë, mbaruan lekët, s’kishin ku të shkonin, u futën te nëna e te babai.

Bruna shton se deri në moshën 58-vjeçare ajo ka jetuar në këtë banesë sepse ishte beqare. Vëllai,  Arqileja ndërkohë i kishte kryer veprimet juridike për të marrë shtëpinë dhe nuk pranonte ta ndante.

Liliana: E nxori në rrugë vëllai, na përzuri të gjithëve, i mbylli derën të tërë motrave, i mori dokumentet. Ne i thamë që do të të çojmë në gjyq, ai tha “bëni 10 gjyqe, shtëpia është e imja”. I kërkonim dokumentet, i kërkonte babi dokumentet, i thoshte “m’i sill këtu sepse i dua unë”, ai vinte 5 minuta shihte mamin se nuk vinte kur ishte babi, por vinte kur s’ishte babi se nuk donte t’ia jepte dokumentet, t’ia kthente mbrapsht. Në njëfarë kohe, ai i kishte shitur, i kishte bërë të gjitha në emrin e vet. Shitur dhe blerë prapë me Astrit Demën, kunatin e nuses së vet. 

E martuar prej 4 vitesh në Turqi, Bruna: Në moshën 58 vjeçe kam qenë beqare

Në çështjen e hapur mes dy motrave që kanë ardhur në “Shihemi në Gjyq”, mësohet një ngjarje interesante. Në fillim të rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, u shpjegua se Bruna ka ardhur nga Turqia ku edhe është martuar e jeton. Gjatë bisedës Bruna thotë disa herë se ajo ishte “goca e shtëpisë” nga 9 fëmijët e familjes sepse martesa e saj ka ardhur në një moshë më të vonë  se sa motrat e vëllezërit e tjerë.


Bruna: Në kohën që erdha, në 2004 pashë gjendjen jo të mirë të të dy prindërve sepse kërkonin edhe motrat që të kthehesha unë sepse unë isha goca e shtëpisë…

Eni Çobani: Ju ishit beqare në vazhdim?

Bruna: Unë isha beqare.

Eni Çobani: Ju kur jeni martuar, më fal për  pyetjen, por për të ditur për kohën që keni jetuar në banesë?

Bruna: Unë nuk jam martuar, unë tani kam shpallur martesën…

Eni Çobani: Edhe sot s’je e martuar se unë thashë “bashkëshortin turk?” Ti je e martuar tani?

Bruna: Unë jam e martuar, 4 vite e gjysmë jam martuar në Turqi dhe një vit ka që e kam shpallur këtu në Shqipëri martesën. Po 58 vjeç unë kam qenë beqare.

“Këto 12 vite kanë qenë një fakultet i dytë”, falenderimi nga zemra i Eni Çobanit

Në çelje të pjesës së dytë të “Shihemi në Gjyq”, përpara se të bënte përmbledhjen e zakonshme të zhvillimit të ngjarjeve, Eni Çobani pati disa fjalë zemre. Misioni i rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan nisi 12 vite më parë dhe ka trajtuar mijëra raste të vështira.

Çobani e cilësoi këtë eksperiencë që zgjat prej më shumë se një dekade si një “fakultet të dytë”, një “mision” si dhe falenderoi të gjithë pjesëmarrësit ndër vite për mundësinë.


Eni Çobani: Kur e fillova këtë mision para 12 vitesh, kisha menduar që kisha mbaruar një fakultet drejtësie dhe jam diplomuar shkëlqyeshëm në atë kohë dhe kisha menduar që kishte përfunduar dija ime me mbarimin dhe marrjen e kësaj diplome. Këto 12 vite, në këtë mision të përbashkët timin dhe tuajin ka qenë një fakultet i dytë dhe më lejoni të falenderoj të gjithë shqiptarët për këtë pasurim dijesh të dala nga dhimbja dhe nga vuajtja që më keni dhënë mundësinë të lexoj në këto letra dhe në këto dokumente se çfarë është bërë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

“Vija nga Italia që të kujdesesha për prindërit”, Liliana shtang studion: Vëllai e kunata thoshin “ik se…”

Problemi që ka sjellë dy motrat, Lilianën nga Italia dhe Brunën nga Turqia në “Shihemi në Gjyq” është çështja e banesës. Njëri prej vëllezërve të tyre, i cili sot nuk jeton më ka arritur që në një moment kur babai i 9 fëmijëve ishte i sëmurë të përvetësonte dokumentacionin e shtëpisë.

Liliana mendon se Bruna ka qenë në dijeni të këtyre lëvizjeve sepse ajo ka jetuar deri në moshën 58-vjeçare me prindërit ndaj e ka sjellë në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Bruna thotë se nuk ka qenë në dijeni sepse në vitin 1996 ndodhej në Itali, ndërkohë vëllai i ndjerë dhe bashkëshortja e tij qëndronin me prindërit. Në këtë pikë, Liliana shton se prindërit kanë patur kujdes prej saj sepse vëllai dhe kunata nuk kujdeseshin për ta.


Liliana: Nuk i bënte hyzmet as mamit, as babit. Shkoja unë me fëmijë të vogël, rrija 3-4 muaj, hanin pinin, mbaronin çfarë kishte për të mbaruar, edhe lekët se m’i sillte burri javë për javë, mbaja familjen, i bëja hyzmet, e kam larë nënën time, babain tim, fëmijën tim njëlloj.

Eni Çobani: Bravo! Bravo kush i shërben prindërve deri ditën e fundit të jetës, është jo vetëm dashuri por edhe sakrificë e jashtëzakonshme kështu që bravo nëse i ke bërë të gjitha këto, i ke bërë për prindërit e tu! Bravo! Por kjo nuk do të thotë që ju detyrimisht duhet të kërkoni pjesë, më fal që jua them.

Liliana: Unë e kam për krenari që i kam mbajtur prindërit e mi…

Eni Çobani: I ke mbajtur prindërit por ata ishin në shtëpinë e vet, s’i ke mbajtur në shtëpinë tënde.

Liliana: Jo, jo unë vija nga Italia.

Eni Çobani: Vije nga Italia është tjetër problem.

Liliana: Rrija 3 muaj, 4 muaj dhe i bëja hyzmet. Ata hanin, pinin, mbaronin lekët e mia, mbaronin ushqimin sepse unë shkoja me makinë nga Bari-Tiranë dhe pastaj më thoshte vëllai me nusen e vëllait “ik se na mërzite! Kur do ikësh ti?”

Triumfon dashuria e motrave, konflikti shuhet me përqafimin e shumëpritur prej vitesh

Në fillim të rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, motrat Liliana e Bruna që kanë ardhur nga Italia e Turqia shprehën dëshirën që problemi mes tyre të zgjidhej. Prona e prindërve të tyre të ndjerë të cilët lanë pas 9 fëmijë është përvetësuar nga vëllai i tyre që ka ndërruar jetë.

Pavarësisht dyshimit të Lilianës se Bruna ka qenë në dijeni, kjo e fundit thotë se nuk ka bërë asnjë marrëveshje me të vëllain. Liliana shpreh si kërkesë ndaj motrës së saj se kërkon pjesën e saj të shtëpisë,  1/8 dhe Bruna është dakord.


Bruna: Unë kërkoj të më kthehet banesa ime, banesa ku unë kam jetuar me prindërit.

Eni Çobani: Ta marrësh të gjithën ti?

Bruna: Unë dhe motrat e mia, çfarë u takon motrave të mia ta marrin.

Dy motrat vijnë nga vende të ndryshme dhe jetojnë larg prej vitesh. Gjatë gjithë rubrikës është vënë re se përtej konfliktit, të dyja kanë shumë mall për njëra-tjetrën ndaj Eni Çobani, me kërkesë të moderatorit Ardit Gjebrea realizon takimin e shumëpritur mes tyre.

Eni Çobani: Bruna, mendova se do ta merrje tërë shtëpinë se tërë shtëpinë s’e merr dot.

Bruna: Jo motra, bashkë me motrën.

Eni Çobani: Tani do e takojmë motrën apo  jo?

Bruna: Patjetër, me Lilin dhe gjithë motrat. Unë e dua shumë motrën.

Eni Çobani: Kjo është shumë e rëndësishme! Faleminderit të gjithë shqiptarëve për dashurinë e jashtëzakonshme dhe kështu duhet të jenë motrat, shtëpitë, pasuritë do t’i lëmë këtu, ne do ikim, do na ngelet vetëm dashuria që kemi për njëri-tjetrin.

Mam, po ti !? 2” – Faza 4, java e 14-të Duetet 


Read Entire Article