“E ka porositur Vuçiqi”/ Paralajmëroi vizitë në Kosovë, vijnë reagime të ashpra ndaj Lajçakut: Qeveria ta shpall “non-grata”!

1 week ago 41
Reklamë

Raportet Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë të tensionuar, derisa dialogu mes dy shteteve vazhdon të stagnojë.

Është pala serbe ajo që në vazhdimësi nuk respekton dhe zbaton marrëveshjet e arritura.

E fatkeqësisht dhe padrejtësisht, Kosova po vazhdon të ketë presionin më të madh nga bashkësia ndërkombëtare.

E së fundi, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një vizitë në Prishtinë për të përgatitur rundin e ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh.

“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të nisem për në Bled për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit dhe në Prishtinë, për të përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve”, tha Lajçak, duke mos dhënë detaje të tjera rreth vizitës në Prishtinë.

Javë më parë, Bashkimi Evropian tha se dëshiron që të fusë në agjendën e dialogut çështjen e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Autoritetet në Kosovë e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se për çështjen e hapjes së urës mbi Ibër, palët veçse kanë arritur marrëveshje vite më parë.

Bashkësia ndërkombëtare po e kundërshton hapjen e urës tani, duke u thirrur në shkaqe sigurie.

E këtë vizitë të Lajçakut e komentuan njohësit e çështjeve politike, të cilët dhanë këndvështrimet e tyre.

Mehazi: Koha ka treguar se vizitat e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçakut në Prishtinë janë bërë të neveritshme

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Sulejman Mehazi.

Image

Sulejman Mehazi.

Fillimisht, ai vizitat e emisarit sllovak në Kosovë i cilësoi si të neveritshme, pasi që dihet se do kërkojë nga Qeveria e Kosovës të pajtohet me kërkesat e Beogradit.

“Koha ka treguar se vizitat e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçakut, në Prishtinë janë bërë të neveritshme për Kosovën pasi dihet se pro serbi i BE-së do kërkojë nga Kurti që të pajtohet me kërkesat politike të Beogradit. Ardhjen e Lajçakut në Kosovë e paralajmëroi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha "se dialogu me Serbinë është i përmbysur" dhe se duhet nisur nga fillimi, por jo me pro serbët Lajçak e Borell, por me ndërmjetësues serioz e të pa anshëm që do baraspeshonin dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Ardhja e Lajçakut në Prishtinë është vetëm për të arsyetuar mëditjet e majme mujore të marra jo vetëm nga BE-ja, por edhe nga Serbia, asgjë më shumë”, nënvizoi profesori.

Po ashtu, ai tha se Lajçakut duhet t’i bëhet me dije se është i padëshirueshëm dhe i padrejtë ndaj Kosovës.

Madje, kërkoi që edhe të shpallet “non-grata”.

“E mira e Kurtit dhe Kosovës do të ishte që i dërguari i Serbisë e jo i BE-së, Lajçaku, të paralajmërohet se është i padëshirueshëm, i padrejtë dhe i pabarabartë gjatë dialogut me Serbinë dhe se qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin, sllovakun Lajçakun duhet shpallur "non grata", pasi hapur vërehet se ky farë evropiani me emrin Mirosllav është zëdhënës i Vuçiqit e kurrsesi i dërguari BE-së”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Preqi: Po dihet shkaku i një vizite që ka paralajmëruar Lajçaku në Kosovë, sepse e ka porositur Vuçiqi

Kurse, edhe opinionisti Dedë Preqi kishte disa kritika për emisarin sllovak, para vizitës së paralajmëruar në Kosovë.

Ai vlerësoi se Lajçak është bërë përcjellës i fjalëve të Vuçiqit, derisa gjatë tërë mandatit të tij në dialogun mes dy palëve, vazhdimisht ka anuar për Serbinë dhe nuk ka sjellë asnjë gjë pozitive për Kosovën.

Image

Dedë Preqi

“I dërguari special i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, paralajmëron një vizitë në Prishtinë, duke planifikuar për të përgatitë terrenin për raundin e ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por po shihet dhe po dëshmon vet se emisari Llajçak, sikur është bërë si «kurir» i fjalëve të Vuçiqit dhe jo më shumë deri sa do ta përfundonte mandatin dhe misionin e tij të dështuar deri më tani.

Duhet të thëmi pa paragjykime se emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk ka bërë asgjë të suksesshme për të sjellë Kosovën dhe Serbinë, në binarët e duhur të marrëveshjeve në mes tyre, dhe në kuptimin e vërtetë të fjalës, e gjithë kjo periudhë e mandatit të tij, së cilës i ka skaduar afati, nuk kemi diçka konkrete dhe të arritshme në përmirësimin e marrëdhënieve në mes këtyre dy vendeve, sepse shihet hapur dhe ditën për dielli se emisari Lajçak, anonte në anën e Serbisë”.

Krahas kësaj, Preqi përmendi edhe disa kritika që po i bëhen Qeverisë së Kosovës në lidhje me vendimet e fundit të saj.

Ai pyeti se pse Lajçak nuk e ngriti zërin kundër Vuçiqit dhe grupit të tij kur propagandonte për mos anëtarësim të Kosovës në KiE.

“Po të marrim në shqyrtim rrethanat në të cilat po kalon Kosova, dhe ballafaqimin e saj përballë kërcënimeve të Serbisë, dhe presioneve të bashkësisë ndërkombëtare, që të mos përfillen ligjet e Kushtetutës së Kosovës, si dhe shtrirja e sovranitetit në tërë shtetin e saj, sepse po cenohen të drejtat e komunitetit serb, në realitet kritere të tilla, duke vepruar me struktura paralele dhe të kundërligjshme nuk do t’i pranonte asnjë shtet në botë.

Ku ishte deri më tani emisari Lajçak, që nuk e ngriti zërin, kur Vuçiq, me grupin e tij të pasaçëm e parandalon anëtarësimin e Kosovës, në Këshillin e Evropës, si kundër argument që të themelohet Asociacioni i komunave serbe, dhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stanoja, as që e pranon të komentoi për aventurat dhe përpjekjet e Serbisë, që e penguan shtetin e Kosovës, në këtë Këshill të Evropës”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, opinionisti komentoi edhe kritikat dhe presionet e ndërkombëtarëve dhe ndaj Kurtit për hapjen e urës së Ibriti, derisa rikujtoi se vetë Lajçak kishte premtuar në të kaluarën se do hapej kjo urë.

“Ku ishte emisari Lajçak dhe Josep Borell, pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, në detyrë dhe nuk e ngritën zërin e tyre të theksuar si përfaqësues të emisionit evropian, për të denoncuar dhe dënuar një terrorizëm të tillë, kur dihej edhe botërisht se dirigjenti i këtij akti terrorist ishte vetë Vuçiqi dhe Vulin, por autorët e këtij grupi kriminel janë të lirë dhe të graduar për merita të tilla terroriste nga shteti serb.

Dhe çfarë është situata e tanishme në Kosovë, me urën mbi lumin Ibër, e cila ishte paraparë në marrëveshjet e Brukselit, të vitit 2016-17- të, që kjo urë të funksionoj dhe të bëhet e lirë edhe për qarkullimin e automjeteve motorike, por kjo nuk ndodhi deri në ditët e sotme edhe pse vet emisari Lajçak, e kishte pohuar dhe premtuar një gjë të tillë, duke e sjellë sot situatën në një gjendje kritike, si dhe duke e fajësuar dhe kërcënuar qeverinë dhe kryeministrin Kurti, se nxitimi i hapjes së urës pa koordinimin me BE-në, dhe KFOR-in, do të ketë pasoja të rënda, si dhe masa ndëshkuese”.

Në fund, Preqi shtoi se këtë vizitë të Lajçakut në Kosovë e ka porositur Vuçiq.

Sipas tij, emisari sllovak po e “luan lojë” sipas urdhrave që po merr nga qeveria serbe.

“Atëherë, çfarë përshtypjesh ka lënë emisari Lajçak, i cili dështoi në çdo lëvizje të tij, dhe kurrgjë më shumë se në rolin e tij, duke përfunduar një mandat pa ndonjë rezultat, sepse nuk e luajti rolin e një emisari dhe ndërmjetësi të pa anshëm dhe krijimin e një trasimi të rrugës në mes palëve për të përmirësuar marrëdhëniet e tyre, por roli i tij ishte si një «kurir» i Vuçiqit, duke e luajtur lojën sipas urdhrave që e merrte nga Beogradi.

Dhe çka tani, po dihet shkaku i një vizite që ka paralajmëruar Lajçaku në Kosovë, sepse e ka porositur Vuçiqi, dhe mes shqetësimeve perëndimore për shtimin e tensioneve në veri të vendit mbas veprimeve të autoriteteve të qeverisë së Kosovës, për shuarjen e institucioneve paralele, edhe pse shuarja e këtyre institucioneve të jashtëligjshme dhe ilegale ishte paraparë në marrëveshjet e vitit 2013-të, në Bruksel.

Paralajmërimi i vizitës së tanishme e emisarit Miroslav Lajçak në Prishtinë, do ta kishte rolin e tij, që nënkupton një fillim të ri të negociatave mbas një kohe të gjatë pauze, apo si një rol kyç në vazhdimin dhe koordinimin e negociatave në mes palëve, që të gjendet një rrugë e mundshme e marrëveshjeve, por sikur kjo përshtypje e emisarit Lajçak, do të ishte më e mirë e përkthyer në këtë mënyrë, që në këtë vizitë të ardhshme do duhej që në veçanti popullit shqiptar të Kosovës, t’i kërkohet falje, sepse misioni i tij deri më tani ishte i dështuar”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

Read Entire Article