Edi Rama uron Fatos Nanon për ditëlindje: Mbajti timonin e PS në të përpjeta e tatëpjeta

1 year ago 46
Reklamë
16:50 16/09/2023

Në 71-vjetorin e lindjes, Fatos Nano nuk mori një urim të zakonshëm nga pasardhësi i tij në Partinë Socialiste, Edi Rama.

Me fjalë të përzgjedhura e të mbushura plot meritë, kryesocialisti e nis duke u rikthyer shumë pas në kohë, te tranzicioni i dhunshëm dhe i zhurmshëm.

“Fatos Nano u gjend në krye kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysëm shtizë, moralin nën shuajt e këpucëve të rraskapitura nga marshimi 45-vjeçar drejt horizontit që vetëm largohej derisa u zhduk dhe gurmazin e konsumuar të komunizmit që nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë botën, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit, në një fishkëllimë sa çjerrëse aq edhe qesharake”.

Meritat për daljen nga shkretërira dhe fillimin e shtetndërtimit Edi Rama ia atribuon ish-liderit të PS.

“Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur të PS e unikale mes partive politike në Shqipëri. Në krye të PS ai i nxorri socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës, duke i futur në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re dhe duke e bërë shpirtin e ndryshimit motor të lëvizjes përpara”.

Marrëdhënia e tyre mes ekstremesh është përshkruar nga Edi Rama, nëpërmjet këtyre rreshtave.

“Historia e marrëdhënies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga “birësimi” im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht. Po në ndërkohë që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm, me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë”.

Teksa i uron ditëlindjen, Edi Rama shpreson që një ditë së bashku të shkruajnë një libër, që të shërbejë si busull për ata që do vijnë pas tyre.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article