Edita Tahiri: Ne shtrimë sovranitetin në veri, kemi zhbërë strukturat paralale, ndërsa sot nuk ka gjykata e institucione atje

2 weeks ago 32
Reklamë

Ish kryenegociatorja Edita Tahiri para pak ditësh në një intervistë që ka dhënë për ‘Bota sot’, ka folur për mbarëvajtjen e dialogut ndër vite. E pyetur se pas kaq shumë vitesh dialog me Serbinë, a mendon se ka pasur rezultate të mira nga këto bisedime, Tahiri ka shpjegur zhvillimin e dialogut gjatë gjitë kohës.

Ajo thotë se ‘dialogu i Brukselit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur fuqishëm nga SHBA, në periudhën 2011-2017 ka dhënë rezultate mjaft të mëdha për forcimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin ndërkombëtar, ka kontribuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, për integrimin e mëtejmë të pjesëtarëve të pakicës serbe në institucionet e Republikës së Kosovës, ndërkohë që ka mundësuar shuarjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë në fusha relevante.’

“Si Kryenegociatore e Kosovës në këtë dialog për shtatë vite 2011-2017, mund të theksoj se suksesi kryesor i Kosovës në këtë dialog është fakti se kemi arritur ta shtrijmë sovranitetin e shtetit të Kosovës në pjesën veriore të vendit tonë që ishte i cenuar dhe sfiduar nga Serbia menjëherë pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999. Pra kemi arritur të bëjmë integrimin e pjesës veriore të vendit në sistemin juridiko-kushtetues të shtetit të Kosovës, që rrjedhimisht ka pasur efekte qenësore në normalizimin e gjendjes në veri, vendosjen e sundimit të ligjit dhe krijimin e një situate shumë më të mirë të sigurisë dhe demokracisë. Për të parë rezultatet e këtij dialogu, duhet të kemi parasysh se  para fillimit të dialogut, gjendja në veri të vendit ka qenë mjaft e rëndë dhe e pasigurt, kjo për shkak të ekzistimit të të strukturave paralele ilegale serbe në veri dhe si dhe prezencës elementeve kriminale si dhe kërcënimeve që i janë bërë pakicës serbe nga ana e Serbisë me qëllim për të penguar integrimin e tyre në sistemin e shtetit të Kosovës”, thekson kryenegociatorja Tahiri.

Tutje, ajo nënvizoi se marrëveshjet e arritura në Bruksel kanë mundësuar që Kosova ta shtrijë dhe konsolidoj sovranitetin shtetëror në veri të vendit.

“Kemi vendosur policinë, gjykatat, doganat e Republikës së Kosovës në veri të vendit, ndërsa i kemi zhbërë strukturat paralele serbe në gjithë këto fusha e fusha tjera përfshirë zhbërjen e strukturës paramilitare të ashtuquajtur “mbrojtje civile”. Arritja kryesore dhe e parë është vendosja e kufirit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë përmes marrëveshjes së IBM në vitin 2011, duke vendosur autoritetet shtetërore të Kosovës  në dy pikat kufitare në veri, Jarinje dhe Bërnjak, të cilat ishin djegur e cenuar nga Serbia pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008. Po ashtu kemi arritur marrëveshjen për lëvizjen së lirë (në vitin 2011). Para kësaj marrëveshje qytetarët e Serbisë hynin lirshëm pa asnjë pengesë sepse pikat kufitare ishin jashtë kontrollit tonë ndërsa kontrabanda dhe dukuritë tjera negative kanë qenë prezentë. Dialogu dhe marrëveshjet e arritura kanë mundësuar që shteti i Kosovës të vendos kontrollin në tërë territorin e vet natyrisht në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in. Po ashtu kemi arritur që të rrisim integrimin e pjesëtarëve të minoritetit serb në veri në institucionet shtetërore të Kosovës në nivelin nacional dhe lokal të cilët paraprakisht morën lejet e njoftimit të Kosovës dhe u punësuan si shërbyes civil. Serbia nga ana e saj u detyrua të mos pengoj integrimin e tyre, në saje të marrëveshjeve të Brukselit”, vlerëson ajo.

Ajo thekson se në planin ndërkombëtar, Dialogu i Brukselit ka kontribuar për forcimin e agjendës europiane dhe euro-atlantike të Kosovës. Dialogu i Brukselit ka kontribuar drejtpërsëdrejti në arritjen e  Marrëveshjes Stabilizim Asocim (MSA) mes Kosovës dhe BE-së në tetor 2015, me të cilin Kosova ka vendosur marrëdhënie zyrtare me BE-në si dhe ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit në BE.

“MSA-ja për Kosovën ka qenë njeri nga kushtet tona për BE-në për ta pranuar këtë dialog me Serbinë dhe kjo u realizua. Serioziteti i angazhimit tonë në këtë dialog bëri që edhe pesë vendet jonjohëse të votojnë pro MSA-së për Kosovën. Pra angazhimi jonë në dialog përmirësoi imazhin e Kosovës si shtet sepse ne treguam se angazhohemi për paqe, për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet në rajon, gjë e cila u vlerësua nga vendet anëtare të BE-së që rrjedhimisht bëri që ata t’i japin mbështetje për MSA-së për Kosovën duke konfirmuar se Kosova ka ardhmëri evropiane. Duhet të theksohet se edhe pesë vendet mosnjohëse të BE-së i dhanë mbështetje integrimit evropian të Kosovës duke votuar pro MSA-së mes Kosovës dhe BE-së. Përveç kësaj, dialogu ka mundësuar që Kosova të bëhet anëtare e shumë organizatave rajonale dhe ndërkombëtare ndërsa Serbia nuk ka mundur ta pengoj këtë proces meqenëse se ka nënshkruar marrëveshjet përkatëse në dialogun e Brukselit që kanë bërë zgjidhjen e këtij problemi. Po ashtu, Kosova mori kodin shtetëror telefonik 383 nga ana e ITU pikërisht si rezultat i marrëveshjes së Brukselit, i cili tashmë ka filluar të zbatohet, ndërkohë që nga qershori 2018 do të realizohen thirrjet ndërkombëtare telefonike përmes kodit 383”, theksoi ajo.

Tahiri thotë poashtu se, dialogu ka mundësuar lëvizjen e lirë dhe tregtinë e lirë mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, duke ndihmuar përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dyja shtetet që nga fundi i vitit 2011, si dhe janë hapur përfaqësi diplomatike/zyra ndërlidhëse në të dyja shtetet për të ndihmuar qytetarët dhe relacionet mes dy shteteve.

“Ka edhe shumë rezultate të tjera që ka sjellë ky dialog në planin politik, social, sigurisë dhe ate ekonomik. Sidomos fakti që në buxhetin e Kosovës derdhen taksat doganore që grumbullohen në Jarinje dhe Bërnjak që nga dhjetori 2013 e sot e kësaj dite. Një arritje tjetër shumë e rëndësishme është se në dialog kemi arritur qe integrimi i Serbisë në BE të kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën përmes Kapitullit 35 të cilin BE-ja ia vendosi Serbisë si kushtëzim ndaj Serbisë e cila është rekonfirmuar zyrtarisht vitin e kaluar nga ana e Komitetit te Ministrave të BE-së. Si rezultat i marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit , Serbia e ka njohur de facto shtetin e Kosovës në secilën nga fushat ku janë arritur marrëveshjet ndërkaq në përfundim të këtij dialogu do ta njeh Kosovën si shtet të pavarur. Po ashtu me diplomacinë që kam zhvilluar unë derisa isha kryenegociatore kam arritur që Gjermania tja bëj të qartë Serbisë nuk mund të integrohet në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës”, vlerëson Tahiri për ‘Bota sot’.

Mirëpo, ajo thotë se me ardhjen e Kurtit kryeministër, Kosova jo vetëm që ka dështuar në Dialogun e Brukselit, por nuk e arriti marrëveshjen me njohje reciproke de jure mes Kosovës dhe Serbisë duke qenë se duhej të ishte rrjedhojë e domosdoshme e fazës paraprake të dialogut ku e rritëm njohjen de facto mes dy shteteve ne të gjitha fushat ku arritëm marrëveshjet në Bruksel.

“Po ashtu Qeveria Kurti e la veriun pa sovranitet, sepse tashmë atje nuk veprojnë institucionet e Kosovës, nuk funksionojnë gjykatat, nuk funksionojnë komunat në veri, ndërsa minoriteti serb u larguan nga institucionet. Jo vetëm kaq Kurti ka prishur marrëdhëniet me partnerët amerikan dhe evropian por sot është e ndëshkuar nga Amerika dhe BE-ja ndonëse u sulmua nga Serbia ndërkaq kjo e fundit nuk u ndëshkua. Pastaj Kurti i cili erdhi në pushtet së saje të kundërshtimit të asociacionit,  e pranoi asociacionin, madje Kurti pranoi ‘Asociacion Plus’, duke i dhënë pakicës serbe në Kosovë asociacionin dhe ‘vetëmenaxhimin’  që të dyja së bashku nënkuptojnë vetëqeverisje etnike të pakicës serbe në Kosovë. Me fjalë tjera Kurti pranoi asociacionin me kompetenca ekzekutive dhe si nivel i tretë i qeverisjes etnike serbe në Kosovë, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe cenojnë karakterin unitar të shtetit të Kosovës të përkufizuar në Kushtetutën e Kosovës”, thotë ajo.

Ish kryenegoaciatorja Tahiri thotë se është dështim strategjik i Kurtit duke e lënë pa sovranitet veriun e Kosovës.

“Sot kur po flasim Kosova nuk ka institucionet e saja shtetërore në veri, atje nuk kemi gjykata, nuk funksionojnë katër komunat, funksionon vetëm policia e Kosovës por e cila nuk ka policë serb në strukturën e saj. Unë ftoj mediat edhe mediumin tuaj të shkoni në veri ta monitorojnë vet mungesën e sovranitetit në veri”, theksoi ajo.

Read Entire Article