EMRI/ Mijëra euro të fshehura në trup dhe çantë, arrestohet 34-vjeçari në hyrje të Shqipërisë, çfarë gjeti tjetër policia

2 hours ago 27

Një 34-vjeçar është arrestuar në hyrje të Shqipërisë, pasi kishte fshehur në trup dhe çantë, 88 000 euro që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale.

Po ashtu, në vijim të kontrolleve me metoda bashkëkohore, në kamionin që drejtonte ky shtetas u gjetën 18 shishe me verë, të dyshuara të kontrabanduara.

“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm dhe të sigurtë të shtetasve dhe mallrave, Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, finalizuan operacionin policor të koduar “Pakot”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Elton Balliu, 34 vjeç, banues në Tiranë.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, me metoda bashkëkohore, kamioni që drejtonte 34-vjeçari. Nga kontrollet, këtij shtetasi i janë gjetur të fshehura në trup dhe në çantë, me qëllim mosdeklarimin, 88 000 euro (të ndara në 4 pako të mbështjella me natriban) që kanë burim të dyshimtë, ndërsa në kamion janë gjetur 18 shishe me verë që dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse nuk ishin të shoqëruara me faturë blerjeje”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”. /vizionplus.tv

Read Entire Article