Enigma mbi Asociacionin “problematik”, paqartësi dhe dyshime të mëdha – çka pritet të ndodhë më tej!?

10 months ago 24

Dialogu Kosovë-Serbia, sa vjen dhe vështirësohet edhe më shumë.

E në këtë pjesë, një nga çështjet më të përfolura është edhe Asociacioni.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, bëri të ditur se tashmë Kosovës i është dorëzuar një propozim–draft statut për një Asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët.

“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me kushtetutën, dua ta ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese”.

Osmani paralajmëroi edhe dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese.

“Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi e bashkërisht t`i përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të dorëzohet në këtë institucion”, ka theksuar Osmani.

Osmani tha se qëllimi i përbashkët duhet të jetë të sigurohet përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejohet një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë.

Mirëpo, duke parë dallimet e mëdha politike mes pozitës dhe opozitës, vështirë se mund të ketë unitet politik sa i përket Asociacionit.

Musliu: Serbia, si asnjëherë më parë, po insiston në themelimin e Asociacionit sipas marrëveshjeve me Thaçin dhe Mustafën

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi Skënder Musliu.

Së pari, ai falënderoi ndërkombëtarët, në këtë rast shtetet e QUINT-it dhe ambasadorin amerikan që po ofrojnë garanci se Asociacioni do jetë në përputhje me Kushtetutën.

Derisa, ai kujtoi kohën kur Lajçak kërkonte edhe ndryshim të Kushtetutës shkaku i themelimit të Asociacionit.

“Pas shumë draft statuteve që kohëve të fundit qarkulluan në opinion, më në fund BE-ja propozoi një «draft statut modern», siç e quajtën ata, i cili ende pa u bërë publik, shkaktoi polemika dhe debate, por sido që të jetë, ky draft do të jetë ai mbi të cilin do të punojnë institucionet e Kosovës, për ta nxjerrë një statut final.

Ambasadorët e QUINT-it, tani po kërkojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke ofruar garanci, e mbi të gjitha, ditë më parë, ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë Jeffrey Hovenier ishte i qartë në deklaratën e tij se, Asociacioni duhet të jet në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, se ai nuk do ti defunksionalizojë institucionet dhe Rendin juridik të Kosovës, se nuk do të ketë pushtet të tretë dhe se fjalën e fundit do ta jep Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Me këtë rast vlen të theksoj se, duke iu falenderuar qëndrimit konsistent dhe të ngurtë të kryeministrit Kurti, faktori ndërkombëtar pozitivisht ka ndryshuar qëndrimin ndaj Asociacionit, por edhe ndaj dialogut, sepse ende i kemi të freskëta deklaratat e Lajçakut, dhe jo vetëm, kur gjatë një vizite në Prishtinë dhe Beograd, kishte deklaruar se Kosova duhet t’a ndryshojë Kushtetutën për ta akomoduar Asociacionin”, deklaroi juristi.

 Po ashtu, Musliu tha se Asocaicionin e sollën në tavolinë të diskutimeve disa “politikanë matrapazë”, me qëllim të “shpëtimit të vetes”.

Image

Juristi Skënder Musliu.

“Dua të përkujtoj se, sipas Pakos së Martti Ahtisaarit, Asociacioni ishte dashur të formohet gjatë periudhës së pavarsisë trevjeçare të mbikëqyrur, dhe Kosova nuk kishte më obligim ta bëjë këtë më vonë, siç ndodhi. Fatkeqësisht Asociacionin e bënë politikanët matrapaz, të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që nuk guxonin t’ia refuzonin kërkesat e Serbisë, për ta shpëtuar veten.

LVV-ja derisa ishte në opozitë, që nga fillimi ishte kundër «Zajednicës», madia ajo kishte organizuar protesta të dhunshme në sheshin e Prishtinës, por edhe në Kuvendin e Kosovës, për çka ata ishin rrahur brutalisht dhe burgosur, mirëpo pushteti i atëhershëm përmes koalicioneve të pista dhe inkriminuese dhe arrogancës së numrave në Kuvend, miratuan formimin e Asociacionit, respektivisht atë që e mbjelli Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, tani Albin Kurti domosdoshmërish po e korr, sepse Asociacioni u miratua në vitin 2013 dhe 2015 në Kuvendin e Kosovës duke u shndërruar në obligim ligjor”, theksoi ai.

Gjithashtu, juristi nga Belgjika tha se shteti serb po tenton ta përdor Asociacionin si instrument për manipulimin e serbëve të Kosovës për qëllime politike.

“Serbia, si asnjëherë më parë, po insiston në themelimin e Asociacionit sipas marrëveshjeve me Thaçin dhe Mustafën, jo për t’iu siguruar më tepër të drejta serbëve të Kosovës, sepse këto të drejta, ata i kanë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës sikur në asnjë shtet tjetër në rajon, por Serbia Asociacionin do ta ketë si instrument për manipulimin e serbëve të Kosovës për qëllime politike dhe ushqimin e apetiteve hegjemoniste derisa Asociacionin ta funksionalizojë dhe transformojë në Republika serbe.

Ku draft Statut, ditë më parë doli në opinion, dhe personi i parë që publikisht u deklarua, ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se vërejtjet dhe komentet do t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese, madje ajo deklaroi se lidhur me këtë në ditët në vijim do ta ftojë spektrin politik për konsultime dhe harmonizimin e qëndrimeve”, vlerësoi Musliu.

“PDK-ja dhe AAK-ja janë sinonim i partive politike të korruptuara dhe të lidhura me krimin e organizuar”

Në vazhdim, ai kërkoi unitet nga pozita dhe opozita në këtë çështje, megjithatë potencoi se nuk beson që një gjë e tillë mund të ndodhë, kjo nisur nga seanca e fundit e mbajtur në Kuvend.

“Meqenëse bëhet fjalë për çështje vitale në interes të shtetit, konstatoj se do të ishte më se e nevojshme, që lidhur me draftin e Statutit por edhe për dialogun, të ketë një konsensus mes pozitës dhe opozitës, mirëpo përvoja politike e vërteton të kundërtën, fatkeqësisht dhe kryesisht bëhet fjalë për inate primitive politike, që dëmtojnë procesin në përgjithësi. Këtë e dëshmon edhe mbledhja e fundit e Kuvendit të Kosovës, ku presidentja Osmani mbajti fjalimin vjetor, me ç’ rast i bëri thirrje spektrit politik për unifikim, sidomos për dialogun dhe Asociacionin, mirëpo PDK-ja dhe AAK-ja, që janë sinonim të partive politike më të korruptuara dhe të lidhura me krimin e organizuar, e bojkotuan fjalimin e presidentes, që nuk është hera e parë. Pikërisht kjo opozitë kur ishte në pushtet, ka rrezikuar rendin kushtetues, tërësinë territoriale dhe sigurinë e Kosovës, duke iu falë tokë shqiptare Maqedonisë, Malit të Zi, formuan Gjykatën Speciale si dhe formuan « Zajednicën, kurse tani, po të njëjtit derdhin lot krokodili se kinse Kurti e paska pranuar « Zajednicën », çfarë hipokrizie dhe demagogjie!!!” – shpjegoi juristi.

Krahas kësaj, Musliu tha se ndonëse Gjykatat e Kosovës janë skajshmërisht të politizuara, shpreson që për Asociacionin Kushtetuesja do të marrë vendim konform interesave të shtetit tonë.

“Në këto kushte dhe rrethana por edhe sipas marrëveshjes së Brukselit dhe Ohërit, tani përgjegjësia dhe roli kryesor për draft Statutin do ta ketë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila do t’a vlerësojë kushtetutshmërinë e këtij drafti. Edhe përkundër faktit se Prokuroritë dhe Gjykatat e Kosovës janë skajshmërish të politizuara, sepse ato janë zgjedhur nga politikanë të korruptuar dhe inkriminuar, shpresoj dhe dua të besoj se Gjykata Kushtetuese do të jetë në lartësinë e detyrave dhe obligimeve kushtetuese dhe me profesionalizëm do të merr vendim konform interesave të Kosovës. Këtë e them se, në të kaluarën, kjo gjykatë ka marrë edhe vendime të ndikuara politikisht dhe në shkelje të Kushtetutës, siç ishte rasti me tokat që kjo gjykatë ia fali manastirit të Deçanit, si dhe pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, në vend që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme, prapë kjo gjykata me vendimin e saj ia mundësoi partive humbëse të zgjedhjeve, përmes koalicionit ta formojnë Qeverinë Hoti, kurse për të njëjtin rast vite më parë po kjo gjykatë kishte vendosur ndryshe”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, juristi nga Belgjika tha se Kurti nuk duhet ta miratojë Asociacionin, deri sa të ketë zbatim të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, gjë të cilën Serbia po refuzon ta bëjë.

“Meqenëse Serbia nuk është e interesuar për përmbylljen e proçesit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por përmes manipulimeve ajo dëshiron ta shtyjë proçes deri në një momentum më të favorshëm gjeopolitik për Serbinë, andaj kryeministri Kurti nuk duhet ta funksionalizojë Asociacionin, deri sa të ketë zbatim të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, ku ndër te tjera parashihet edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Personalisht në tekstin definitiv të këtij Statuti për Asociacionin, përveç tjerash, do të kisha insistuar që shqiptarët në vendimmarrje të kenë të drejtën e vetos ; për zgjidhjen e kontesteve, domosdoshmërish të largohet arbitrazhi, nga se me këtë Asociacionit mund t’i jepet karakter me atribute ndërkombëtare, sepse në atë arbitrazh bëjnë pjesë përfaqësues nga Kosova, Serbia dhe BE-ja  dhe në vend të saj vlerësimin e kontesteve ta bëjë Gjykatës Kushtetuese ;  të largohet nga Preambula Rezoluta 1244 ; si dhe një Asociacion me statut të njëjtë të formohet në tre komunat, respektivisht Preshevë, Bujanoc dhe Medvegj”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

Burjani: Situata është e komplikuar për draftin, ka pak vullnet në themelimin e këtij asociacioi enigmatik

Image

Juristi Blerim Burjani

Kurse, juristi Blerim Burjani Asociacionin e sheh si një marrëveshje të komplikuar dhe enigmatik.

Madje, ai tha se është vështirë të ketë statut themelimi për Asociacionin, duke parë qëndrimet e Serbisë dhe Kosovës.

“Situata është e komplikuar për draftin, ka pak vullnet në themelimin e këtij asociacioni enigmatik me pasoja për sigurinë pas themelimit të tij, për çfarë asociacioni po pyetet Serbia, por jo pakica serbe në Kosovë. Serbia nuk do asociacion pa kompetenca ekzekutive, Kosova ndryshe nuk pranon, vetëm në pajtim me kushtetutën, në dërgimin në Gjykatën Kushtetuese prodhon një draft që nuk e pranon Serbia, ky është fundi për asociacionin, pra vështirë të ketë statut themelim të Asociacionit”, deklaroi ai.

Gjithashtu, ai kërkoi që arbitrazhi të largohet, pasi është antikushtetuese.

“Asociacioni duhet të jetë mekanizëm vullnetar në anëtarësimin e komunave, jo obligativ, financimi të bëhet nga buxhetet komunale, donacionet, të mos jetë mekanizëm vendimmarrës për komunat. Asociacioni nuk mund të ushtrojë kompetenca në emër të komunave, arbitrazhi duhet të hiqet nuk duhet folur më për të, ai është plotësisht antikushtetues”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

Read Entire Article