Donald Trump bëri një rikthim historik në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kandidati republikan mposhti kandidaten demokrate, Kamala Harris, me që rast siguroi një mandat të ri qeverisës.
Fitorja e Trump, u karakterizua me reagime dhe deklarata nga më të ndryshme.
Derisa, mjaft u diskutua edhe për ndikimin e politikave të tij në dy shtetet shqiptare, Kosovë e Serbi.
E në lidhje me këtë, opinionisti Skënder Kapiti në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se politikanët shqiptarë duhet të kenë kujdes si iu qasen politikës në SHBA.
Ai në këtë pikë potencoi rolin e madh që ka SHBA me politikat e saj në Evropë dhe më gjerë, derisa e cilësoi politikën amerikane si politikën më demokratike.
“Ne shqiptarët, sidomos politika jonë duhet të ketë shumë kujdes, pavarësisht preferencave dhe simpative tona elektorale, pasi zgjedhjet në SHBA, se kush humb dhe kush fiton ato i përcakton vullneti i popullit amerikan, dhe politika amerikane është gjithmonë e qëndrueshme dhe nuk pëson lëkundje e ndryshime drastike në strategjinë e saj as në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Politika demokratike dhe patriotike amerikane është politikë jo përmbysëse dhe as mohim i asaj çfarë ka realizuar paraardhësja politike; por demokracia në SHBA është demokraci në evolucion ndryshimi të pandërprerë reformash që përmirësojnë për të mirë dhe në dobi të atdheut dhe të kombit amerikan; demokraci e cila shëmbullon dhe kontribuon shumë për zhvillimin e demokracisë globale; në garantimin, sigurinë dhe ruajtjen e paqes globale e cila kërcënohet prej regjimeve autoritariste e diktatoriale që prodhojnë varfëri, papunësi, eksod dhe destabilitet si dhe prej shovinizmave, konflikteve, luftërave dhe terrorizmit qofshin ato civile, lokale dhe rajonale të cilat përbëjnë kërcënim për paqen globale”.
Më tej, ai në disa pika sqaroi se pse ka rëndësi të madhe fitorja e Trump dhe çfarë evolucionesh politike mund të priten nga ai.
Skënder Kapiti
“Të vazhdojmë të argumentojmë atë se fitorja e Trump është vazhdimësi e një procesi evolucionist i demokracisë, patriotizmit dhe i lirisë pasi:
1-Zgjedhjet presidenciale të ShBA-së treguan nevelin, kulturën dhe pjekurinë e lartë demokratike të popullit amerikan, si një shoqëri e lirë, jo apatike dhe si një diversitet në lëvizje të përhershme progresiste.
2- Fitorja e dytë e Donald Trump si president i SHBA-së tregoi atë: se si funksionon dhe se si realizohet liria themelore e njeriut në epokën moderne, ajo e lirisë politike. Pra, e drejta politike në SHBA nuk është privilegj vetëm për politikanët e karrierës, as e drejtë privilegji dinastie dhe trashëgimie, por si e drejtë e çdo qytetari i cili e ka të garantuar lirinë dhe të drejtën politike për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, edhe President madje; mundësi që demokracia amerikane i mundëson dhe i lejon individit të lirë për të arritur dhe zhvilluar talentin dhe potencialin e tij, si në politikë ashtu dhe në çdo fushë tjetër
3-Rasti i fitores së dytë tani në nëntor 2024 të Trump, konfirmoi specifikën demokratike amerikane; atë të guximit dhe të këmbënguljes për të sfiduar dhe përballuar çdo pengesë e vështirësi për të realizuar qytetari i lirë amerikan: ambicien, talentin, dhuntinë, personalitetin dhe dinjitetin e tij. Këtë e tregoi dhe kandidati republikan, Trump, i cili triumfoi përsëri
4-Megjithatë, Trump fitoi se kishte me vete votuesit amerikan të irrituar dhe të pakënaqur nga elita politike, e cila i kishte zhgënjyer ata, pasi votuesi dhe shoqëria amerikane pret ndryshimin dhe përmirësimin dhe atyre ajo ua beson pushtetin. Demokracia amerikane nuk funksionon vetëm si politikë dhe ideologji, por më së shumti si prakticitet, si veprim që matet me rezultate konkretë, duke peshuar mirë ato çfarë ajo premton me ato seç realisht realizon. Demokracia e vërtetë është ligji moral i saj, dhe ligji moral i demokracisë janë premtimet. Tani, para Presidentit Trump qëndron vështirësia më e madhe, përballja e tij me premtimet e bëra në fushatë”.
Më tej, opinionisti tha se shqiptarëve më shumë s të gjithëve, duhet t’iu interesojë ‘Amerika e fortë’, pasi është në intereson tonë.
Në këtë pikë, kërkoi kujdes nga shqiptarët, pasi shtetet fqinje që nuk ia duan të mirën Kosovës, do përpiqen t’i dëmtojnë raportet e saj me SHBA-në, dhe në këtë pikë tha se duhet pasur vigjilencë të shtuar.
“Një Amerikë e fortë është garanci dhe siguri e madhe edhe për paqen globale, dhe ajo që na intereson ne shqiptarëve më shumë se të tjerëve është kjo: se një Amerikë e fortë është në dobinë tonë kombëtare, pasi SHBA është aleati ynë strategjik dhe jetik.
Ne Shqiptarët, tani jemi më të vetëdijshëm se kurrë, se aleati ynë strategjik janë SHBA, por duhet gjithnjë që të jemi vigjilent dhe të bëjmë kujdes se fqinjët tanë zor se mund të heqin dorë nga antishqiptarizmi dhe shovinizmi, dhe ata do të përpiqen që të intrigojnë, të diversionojnë për të na vënë gur në rrota për të na prishur e sabotuar miqësinë tonë me SHBA-në. Të kemi kujdes e të vëzhgojmë politikën dhe politikanët tanë të mbrapshtë, “tolerantë” me fqinjët, të pabesë me popullin e vet dhe të pasinqertë, hipokritë e mosmirënjohës ndaj miqve të vërtetë...”.
Në fund, Kapiti nënvizoi rëndësinë e aleancës së shqiptarëve me SHBA-në, derisa theksoi kontributin historik, diplomatik, ushtarak… të saj në mbrojtje të shteteve shqiptare dhe shqiptarëve në përgjithësi.
“Mos të harrojmë atë se çfarë deklaronte Trump se: “Amerika do të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë ata, që dëshirojnë ta kenë mirë me Amerikën”. Dhe ne shqiptarët si populli më pro amerikan në botë, ne jemi të parët që dëshirojmë ta kemi mirë me Amerikën gjithmonë, sepse për kombin shqiptar, Amerika është aleati dhe miku më i madh, dhe këtë aleancë na e ka ofruar vetë SHBA me kontributin e saj historik, politik, diplomatik, humanitar dhe ushtarak vendimtar në mbrojtje të Shqipërisë, të Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Preshevës si, prej Presidentëve Republikanë, ashtu edhe prej atyre Demokratë të SHBA-së”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.