Florenzi: Sfida ndaj Newcastle gjithçka ose asgjë për Milanin

10 months ago 42

Alessandro Florenzi e di se sfida ndaj Newcastle United në udhëtim në Ligën e Kampionëve është “gjithçka ose asgjë” për Milanin.

“Rossonerët” gjenden në pozitën e tretë në Serie A përkundër humbjes me rezultat 3-2 ndaj Atalantas në Bergamo.

Sidoqoftë, ata kanë bërë një hap prapa në garën për titull duke u larguar nga Inter dhe Juventus që tashmë duken si dy ekipet më serioze për titullin e kampionit.

Tani, ata e kanë përqëndruar vëmendjen e tyre në sfidën ndaj Newcastle që do të luhet të mëkurën, teksa vetëm një fitore dhe në të njëjtën kohë një humbje e PSG-së ndaj Borussia Dortmundit, do t’i siguronte atyre kalimin në fazën me eliminim direkt.

“Shpresa është e përjetshme. Është një ndeshje ‘gjithçka ose asgjë’. Nëse fitojmë, të paktën do të sigurojmë një pozitë në Ligën e Evropës, që është një kompeticion i rëndësishëm dhe Milani mund ta fitojë atë”, ka thënë Florenzi për DAZN.

Skuadrat që përfundojnë në pozitën e tretë në grupet e Ligës së Kampionëve do të luajnë në play-off në muajin shkurt me njërën nga skuadrat që është në vendin e dytë në grupin e tyre në Ligën e Evropës.

Kur u pyet nëse Milani mund t’i thotë tani lamtumirë Scudettos, Florenzi insistoi se është ende herët për të ardhur në një përfundim të tillë.

“Ne kishim një objektiv të qartë kur u bashkuam gjatë verës dhe kjo ishte që të ishim konkurrues në të gjitha garat. Ne e dimë rëndësinë që ka ndeshja e së mërkurës, ose Evropa ose vetëm të fokusohemi në Serie A”.

“Unë nuk e shikoj tabelën e renditjes deri në mars. Mendoj se gjatë marsit ose prillit është koha kur e kuptoj se cilat janë ambiciet e skuadrës. Natyrisht, ne e nisim sezonin me ambicie të larta”, përfundoi Florenzi./Telegrafi/

Read Entire Article