Foli dhe Luli…

6 months ago 13
Reklamë

Nga Artur Ajazi

Pas protestës “apo uraganit popullor”, duhej të fliste edhe Luli. Foli duke patur në krah shefin e zyrës Juridike, dhe për mungesë mikrofonash në sallë, dëgjohej vetëm përgjigja e tij, dhe jo pyetja e gazetarit. Nejse, ka rëndësi që Luli foli. Tha dhe deklaroi prerë se “ne opozita reale e vendit, deklarojmë se, nesër nuk do të marrim pjesë në punimet e Parlamentit dhe nuk do të votojmë Amnistinë Penale”.

Kësaj i thonë “Dridhe Luli dridhe”. Duke dashur të bëjë “politikë të madhe”, Luli kërkon ndoshta pazare me grupin parlamentar socialist. Mendon se “në këto kohë të turbullta, duhet shfrytëzuar momenti”. Edhe pse deputetët e tij kanë rënë dakort në Komisionin Parlamentar se “do votojmë Amnistinë Penale ditën e enjte”, marifetçiu Basha ka nxjerrë 1 ditë para seancës, shkakun e mospjesëmarrjes. Na u dashka që “drejtësia dhe policia të lirojë gjithë dhunuesit e arrestuar, pastaj të votojë Amnistinë Penale”.

Në fakt, Luli vjen nga shkolla e Saliut, nga auditoret e partisë së pazareve, dhe nuk ka si të marrë drejtimin e duhur, edhe pse ndjehet aktualisht “kryetar PD-je”. Një herë çdo 6-muaj, Luli flet. Merret ose me Ramën, ose me ndonjë ministër, ose me ish-liderin pa ja përmendur emrin. Kjo në fakt ka arsyet e veta. Duket sheshit, që të dy, si Basha dhe Berisha, i fshehin diçka shqipëtarëve. Por më “diskreti” duket Luli. Ndoshta Berisha, apo dhe vetë Basha, i ka ndonjë dosje të vjetër, njëri-tjetrit, dhe nuk guxojnë të flasin hapur.

Një periudhë e gjatë bashkë në qeverisje, nuk mund të kalojë ashtu “kot”, pa patur diçka tjeter nën rrogoz. Por megjithatë Luli foli, dhe i vendosur tha se “Amnistia Penale nuyk kalon pa ne”. A thua ta mbajë fjalën deri nesër? Mendoj se kjo ishte trokitja e tij “shakatore”, për t’i treguar demokratëve se “ja unë nuk bëj ujdira me Edi Ramën”, apo për ti kërkuar ndonjë favor ndonjë ministri.. Këtë mbetet ta shohim nesër apo dhe ditët në vazhdim. Gjithsesi Luli foli, dhe mirë bën që flet ndonjëherë, sidomos për amnistitë, veçanarisht ato penale.

Nuk i dihet. Ndoshta një ditë mund të hapet dosjet e vjetra, ajo e Rrugës së Kombit, ato të Bashkisë së Tiranës, kur ai ishte kryetar me “vota plebishitare”, etj, etj.vetëm se, për ish-liderin e tij shpirtëror, nuk ka folur asgjë. Dhe as ka gjasa të flasë deri ditën që gjykata të vendosë se kujt i përket, vula, firma, selia, partia, anetarësia.

Read Entire Article