Fondacioni Nobel ndryshon qëndrim, fton përsëri Rusinë dhe Bjellorusinë

1 year ago 18

Fondacioni Nobel që administron çmimet prestigjioze, ka ndryshuar politikën e tij të ftesave dhe ka ftuar Rusinë, Bjellorusinë dhe Iranin, si dhe udhëheqësin e një partie të ekstremit të djathtë në Suedi, e cila më parë ishte ndaluar të merrte pjesë.

Vidar Helgesen, drejtori ekzekutiv i fondacionit privat tha në një deklaratë se ka një prirje globale në të cilën ” dialogu ndërmjet atyre me pikëpamje të ndryshme, po tkurret”.

Për të luftuar këtë prirje, tha ai, “ne po i zgjerojmë ftesat në shërbim të kuptimit të çmimit Nobel dhe rëndësinë e shkencës së lirë, kulturës së lirë dhe shoqërive të lira dhe paqësore”.

Fondacioni tha se ftesa për ngjarjet e vitit 2023 iu dërgua të gjitha vendeve me misione diplomatike në Suedi dhe Norvegji dhe partive “që kanë përfaqësues në parlament përmes zgjedhjeve demokratike”, duke shtuar se “kjo qasje e përbashkët forcon mundësitë për të përcjellë tek të gjithë mesazhet e rëndësishme të çmimit Nobel, dhe se në të ardhmen kjo praktikë do të jetë e zakonshme për të gjithë organizatën.”

Vitin e kaluar, të dërguarit diplomatikë të Rusisë dhe Bjellorusisë u ndaluan të merrnin pjesë në ceremonitë dhe drekat plot shkëlqim të çmimeve, të cilat zhvillohen gjithmonë më 10 dhjetor, për shkak të luftës në Ukrainë. Edhe ambasadorit të Iranit nuk iu lejua pjesëmarrja për shkak të “situatës së rëndë dhe në përshkallëzim” në vend.

Të gjithë çmimet Nobel ndahen në Stokholm, përveç Çmimit Nobel për Paqen, i cili jepet në Oslo.

Fondacioni i dërgoi ftesë edhe udhëheqësit të Partisë Demokratike Suedeze, Jimmie Akesson, i cili e refuzoi atë, duke shkruar në Facebook se “për fat të keq jam i zënë atë ditë”.

Tradicionalisht, udhëheqësit e partive politike suedeze janë të ftuar në banket, por zoti Akesson, i cili kryeson një parti nacionaliste të ekstremit të djathtë, është lënë mënjanë në të kaluarën. Demokratët suedezë, të cilët shihen nga disa si kërcënim për vlerat themelore të shoqërisë së vendit skandinav, duke përfshirë tolerancën ndaj azilkërkuesve nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, u renditën të dytët në zgjedhjet parlamentare të 2022-shit.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha të premten se nëse do të ishte në dorën e tij, nuk do ta kishte lejuar Rusinë të merrte pjesë në ceremoni.

“Është e nevojshme të izolosh Rusinë në çdo mënyrë të mundshme, ushtarakisht, ekonomikisht,” tha ai për agjencinë e lajmeve suedeze TT. “Në këtë rast, nuk do ta kisha ftuar.”

Fituesit e çmimit Nobel të këtij viti do të shpallen në fillim të tetorit.

Top Channel

Read Entire Article