Pas përfundimit të mbledhjes me Kryesinë dhe Kolegjin e Kryetarëve, në të cilën u vendos për rekurs të vendimit të Gjykatës të Apelit në Gjykatën e Lartë, Lulzim Basha ka prezantuar shtesën që i është bërë logos së Partisë Demokratike.
Bashkë me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”, me të cilën u prezantua programi elektoral në 1 qershor, siglës së PD i është shtuar edhe “DEMOKRATËT EUROATLANTIKË”.
Pas një diskutimi të gjatë me strukturat drejtuese, Basha deklaroi se në çdo rast shqiptarët do të kenë alternativën që presin në zgjedhjet e ardhshme.
“DEMOKRATËT EUROATLANTIKË” identifikon tashmë Partinë Demokratike, duke nënvizuar vazhdimin e angazhimeve themelore dhe identitare me të cilat kjo forcë politike ka lindur, si forca e parë properëndimore e pluralizmit shqiptar. Duke mbajtur të qartë edhe një nga dallimet parimore që ishin në qendër të përplasjeve të brendshme që nisën pas shpalljes “non grata” të Sali Berishës dhe pezullimin e këtij të fundit nga grupi parlamentar i PD.
Qëndrim që ka qenë koherent në këto 3 vite, i cili u nënvizua edhe ditën e sotme nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ku u shpreh se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar në lidhje me personat e përcaktuar si “non grata”. Në po të njëjtin mesazh, Ambasada e SHBA deklaroi se të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb