“Fushata” ka filluar, pritet garë e ashpër - Këto janë çështjet që do të “përplasen” partitë

2 weeks ago 30
Reklamë

Duhen edhe disa muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, por partitë politike tashmë kanë filluar afrimet me qytetarë, premtimet, por edhe akuza në mes veti.

Lëvizja vetëvendosje të martën dhe të mërkurën ka vendosur që t’i rris pagat, ta ngrisë pagën minimale, por edhe të miratojë projektligj për sigurime shëndetësore.

Lidhja Demokratike e Kosovës është përqendruar në kritika ndaj qeverisë dhe në “lavdërim” të punës në komunën e Prishtinës, komunë kjo nën qeverisjen e LDK-së, Partia Demokratike e Kosovës  po ndjek “tempon” e LDK-së, me kritika ndaj qeverisë, por edhe me takime, ndërsa Aleanca për ardhmërinë e Kosovës, i ka premtimet në radhë të parë, por nuk iu mungojnë kritikat dhe vizitat ndër qytetarë.

Gjersa, fushata zgjedhore pritet të fillojë nga 7 janari, pas përfundimit të disa festave kalendarike, analistet politikë thonë se para fushata ka filluar dhe sipas tyre, ajo është më e keqja.

Fushata ka filluar!

Analisti politik, Rexhep Elezaj, parasheh garë të ashpër në mes tri partive opozitare, LDK, PDK, AAK dhe partisë në pushtet, LVV.

Sipas tij, fushata pritet të jetë mjaftë e nxehtë, ndërsa ajo para zgjedhore tashmë veç ka filluar.

Image

Rexhep Elezaj

“Ndonëse është bukur herët të jepen parashikime reale, se çfarë natyre dhe diskursi do ketë fushata e ardhshme zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, a do të jetë një garë e ashpër, apo diç më e balancuar, duke marrë parasysh polarizimet dhe akuzat e ashpra mes tri partive opozitare, LDK, PDK, AAK dhe partisë në pushtet, LVV-je, gjatë tri viteve e gjysmë, qëkur kjo e fundit është në pushtet, mendoj se fushata për zgjedhjet e ardhshme mes partive garuese për pushtet, do të jetë mjaft e ashpër. Shto kësaj faktorë tjerë, siç është mos zhvillimi i duhur ekonomik, gjendja e rënd sociale, ikja e të rinjve nga Kosova, si dhe dështimet në fushën e politikës së jashtme dhe diplomaci, posaçërisht në arenën ndërkombëtare, siç ishte dështimi për anëtarësim e Kosovës në KiE, mos sjellja e asnjë njohjeje të re për pavarësinë e Kosovës, etj., do ta bëjnë këtë fushatë mjaftë të nxehtë. Pra, fjala është për kohën e fushatës zyrtare zgjedhore një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, e jo për muajt në vijim, shtator 2024 - janar 2025, mbase qysh sot mund të themi se fushata parazgjedhore, në një mënyrë, veç ka filluar nga të gjitha partitë garuese, certifikimi i të cilave pritet të bëhet së shpejti nga ana e KQZ-së, meqë rast edhe do dihet numri i partive që do garojnë, si dhe numri i koalicioneve parazgjedhore, e që pas kësaj date mund të presim fillimin aktiv të garës në mënyrë “ilegale”, që si zakonisht në Kosovë ndodhë thyerja e ligjit zgjedhor, sipas të cilit nuk mund të zhvillohet fushate zgjedhore përveç asaj të paraparë me ligj, një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, që i bie diku nga data 7-8 janar 2025 e deri me 7-8 shkurt 2025”, deklaron Elezaj.

Në anën tjetër, tash e disa ditë LVV dhe LDK, përkatësisht ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, po hedhin akuza e kundër akuza,  madje edhe me terme të ndryshme për të ulur poshtë punën e secilit.

Analisti politik, Rexhep Elezaj, thotë se akuzat që bëjnë ata, por edhe çështje tjera do të jenë objektive kyçe në fushatën e ardhshme zgjedhore.

“Ndërsa, lidhur me akuzat e ndërsjella mes LDK-së dhe LVV-je, gjegjësisht deputetes Hykmete Bajrami dhe ministrit Hekuran Murati, meqë rast ajo e akuzon rënd qeverinë Kurti për situatën e rënd ekonomike në vend, duke marrë si shembull konkret sondazhin e “World of Statistics”, ku Kosova radhitet si vendi i tretë më i varfër në Evropë sipas GDP-së, pas Moldovës dhe Ukrainës, si dhe akuzat e saj për dështimet e qeverisë Kurti në planin financiar dhe investime kapitale, pastaj për mos reformën e ligjit për paga, për rritjen e fundit të pagave përmes uljes së tatimit në pagat minimale, etj., e që pa dyshim, këto dhe shumë çështje tjera do të jenë objekte kyçe në fushatën e ardhshme zgjedhore, varësisht nga programet konkurruese të secilës parti veç e veç që do ua ofrojnë votuesve dhe elektoratit të tyre zgjedhor.  Ajo që zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, të caktuara për t’u mbajtur me 9 shkurt 2025, i bën mjaft të favorshme për partitë garuese, është caktimi me kohë i datës së mbajtjes gjashtë muaj përpara, duke pasur kështu kohë të mjaftuar që partitë garuese t’i bëjnë përgatitjet e duhura për të hyrë në garë sa më të përgatitura, fakt ky që besoj se do ta shfrytëzojnë për të hyrë në zgjedhje sa më të përgatitura, sidomos kjo vlen për partitë vogla që t’i shpalojnë më mirë programet e tyre para votuesve, me shpresë që në zgjedhjet e ardhshme do ta rrisin përqindjen i fitores nga ajo që morën në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021”, shton analisti.

Më 16 gusht të këtij viti, presidentja Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin datë për zgjedhjet e reja parlamentare. Me anë të dekretit, e para e shtetit e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina, kishte deklaruar se kjo datë është caktuar pasi Presidentja shqyrtoi me kujdes rrethanat dhe çështjet që duhen marrë parasysh.

“Ashtu siç e parasheh ligji, Presidentja ka mbajtur konsultime me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe ka marrë propozime të ndryshme, që variojnë nga 26 janari e 2 shkurti deri te 9 e 16 shkurti 2025. Lidhur me datën e zgjedhjeve, Presidentja ka pasur diskutime edhe me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka paraqitur disa aspekte teknike dhe logjistike, të cilat sipas KQZ-së, do të duhej të shqyrtoheshin para nënshkrimit të këtij dekreti” kishte thënë Kupina në sqarimin e tij.

Veriu, ekonomia-tema dominuese

Analisti Blerim Burjani, thotë se KQZ mund të marrë vendim ta shkurtojë fushatën, ta lejojë dy javë.

Por, sipas tij, më e keqja është para fushata, ajo e jashtëligjshmja.

Image

Blerim Burjani

“Fushata bëhet deri në një muaj, por KQZ me vendim mund të shkurtojë fushatën, mund të jetë 2 javë, mendoj se dy javë është mjaftueshëm fushata. E keqja është para fushata, që është e jashtëligjshme dhe fillon pothuajse menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve. Diskursi debatuese mund të jetë i ashpër dhe pa pardon”, deklaron Burjani.

Sipas tij, pritet ashpërsi debatuese dhe kthesa interesante.

Analisti shton se parafushata që ka filluar një herë për një herë është e plogësht.

“Duke parë ngjarjet katër vjeçare të ndodhura me shumë dyshime për vendime të drejta nga pushteti aktual, mund të pritet ashpërsi debatuese dhe kthesa interesante në fushata dhe premtime tjera, më tepër partitë në Kosovë kapen për tema abstrakte sesa konkrete. Temat dominuese mund të jenë: çështja e veriut, çështja ekonomike, ikja e qytetarëve, raporti me bashkësinë ndërkombëtare. Para fushata ka filluar, njëherë për një herë është e plogësht, por shtatori e tetori janë muajt që mund të intensifikohet”, përfundon Burjani.

Read Entire Article