“Gabime të rënda!” Bytyçi: Dëmi politik që Borrell i bëri Kosovës është i jashtëzakonshëm

2 months ago 14
Reklamë

Ditë më parë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shpërndarë një blog të Përfaqësuesit të Larte të BE-së Josep Borell rreth dialogut Kosovë – Serbi i cili reflekton për këtë proces pak para largimit nga kjo pozitë.

Borell i ka bërë një përmbledhje zhvillimeve të dialogut duke përmendur edhe momentet e rrezikshme si protesta e serbëve të veriut, të cilët plagosën afër 100 ushtarë të KFOR-it dhe Banjskën ku u vra një polic i Kosovës.

Borell ka thënë se me dialogun në Bruksel së shpejti do të merren njerëz tjerë, të cilët sipas tij do t’i vëzhgojnë me kujdes Kurtin dhe Vuçiq.

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu ai ka theksuar se është thelbësore për të zhbllokuar një të ardhme evropiane për të dyja palët dhe për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Qëndrimet e z. Borrell i komentoi për gazetën “Bota sot”, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Dr. Enver Bytyçi.

Ai rikujtoi kohën kur Baronesha Katrin Ashton kishte detyruar palët të nënshkruanin më 19 prill 2913, derisa Borrell nuk u lodh për ta bindur presidentin e Serbisë ta nënshkruante marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2023.

Image

Prof. Dr. Enver Bytyçi

“I ngarkuari për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Joseph Borrell, bëri para pak ditësh një përmbledhje të konkluzioneve të tij në angazhimin disa vjeçar të tij në dialogun Kosovë-Serbi. Ai u mor me këtë dialog për kaq kohë, prej vitit 2020 e këtej, por nuk arriti aq sa kishte arritur baronesha Ashton në dy vitet e para të këtij dialogu. Të dy këta, Ashton dhe Borrell, shkuan deri te formulimi i një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë. Por ndërsa baronesha britanike i pati detyruar palët të nënshkruanin më 19 prill 2913, Joseph Borrell nuk u lodh për ta bindur presidentin e Serbisë ta nënshkruante marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2923.

Ishte Fredrica Mogherini, ajo që dialogun e çoi në qorrsokak. Ajo që mbylli hapësirën e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit 2013, duke rikthyer axhendat serbe në dialogun midis palëve. Ajo u përkushtua sidomos te opsioni I ndarjes së Kosovës, prandaj dhe dialogu mori kahje krejt të gabuar. Mogherini shtë përgjegjësja kryesore e zvarritjes së këtij dialogu”, u shpreh Bytyçi.

Ai theksoi se edhe z. Borrell nuk arriti ndonjë gjë të madhe.

“Megjithatë, ai së paku nuk pati ndonjë impenjim për ndarjen e Kosovës. Kjo ndoshta e bën atë më të suksesshëm sesa paraardhësja e tij. Por jo më të suksesshëm sesa Ashton. Borrell gaboi kur zgjodhi zotin Lajçak në detyrën e ndërmjetësit të bisedimeve. Cenoi besueshmërinë e kontestuar tashmë edhe me qenien e tij në krye të tryezës së dialogut. Sepse ata të dy ishin dhe mbeten përfaqësues të dy vendeve që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Të dy këta kishin qenë shefa të diplomacisë në vendet e tyre dhe kishin shpallur hapur qëndrimin e tyre kundër kësaj pavarësie. Për pasojë të dy këta ishin të besueshëm në Beograd, por jo edhe në Prishtinë”, u shpreh profesori.

Pse mungoi besimi

Prandaj, ai tha se Borrell në ekspozenë e tij për dialogun Kosovë-Serbi do të duhej të fliste e të shkruante për gabimet e tij të rënda.

“Besimi është alfa e nisjes dhe procesit të çdo dialogu për paqen, sidomos besimi në ndërmjetësit e tij. Ky besim mungoi nga dita e parë e deri të e fundit në Kosovë. Jo vetëm për faktin se këta ta dy kishin qenë kundër pavarësisë së Kosovës. Por edhe për faktin se nga fillimi e deri në fund këta mbajtën anën e Serbisë dhe u pozicionuan kundër Kosovës, madje duke i vënë asaj sanksione. Ishte propozimi i Borrell ai që çoi në vendosjen e këtyre sanksioneve kundër Kosovës. Edhe sikur të mos kenë shkaktuar asnjë dëm ekonomik, dëmi politik që Borrell i bëri Kosovës është i jashtëzakonshëm. Ndërkohë kurrë nuk kërkoi t’i vendosen sanksione Serbisë, edhe pse vepri me akte terroriste kundër Kosovës, policisë së saj e madje edhe kundër KFOR-it, I cili është aty me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, theksoi ai.

Më tej, profesori tha se deklarata përmbledhëse e Joseph Borrel fajëson vetëm palët në bisedime për dështimet e tij, ndërsa përpiqet të justifikohet në atë deklaratë se “nuk ishte, veçse një moderator në bisedime” dhe se çdo dështim qenka i palëve në dialog, delegacionit të Kosovës e të Serbisë.

“Ai hedh fajin tek të dy palët për dështimet. Flet për menaxhimin e situatave që i shkaktuan palët, por nuk thotë se situatat e tilla, për çka veproi Kosova, ishin pasojë e moszbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia. Nuk e kritikon Serbinë për shkak të akteve të saj të dhunshme e terroriste në Kosovë. Nuk prononcohet askund për faktin se dialogu ka pikënisje pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj nga ana e Serbisë”, nënvizoi Bytyçi.

Duke evituar këtë fakt, Borrell dhe Lajçak u përpoqën të sjellin frymën mohuese të pavarësisë së Kosovës nga vendet e tyre, Spanja dhe Sllovakia.

Kurrë nuk i thanë ata Aleksandër Vuçiq, se pavarësia dhe integriteti i Kosovës nuk diskutohet në këtë dialog. Përkundrazi e lejuan që këto dy të vërteta absolute të vihen në diskutim përmes këtyre bisedimeve.

Prandaj të dy këta janë e duhet të mbahen përgjegjës për dështimet e dialogut Kosovë-Serbi. Të dy këta nuk duhet të mburren me përvojën diplomatike në rajon apo gjetkë për të fshehur dështimin e tyre. Të dy këta janë përgjegjës për atë çfarë kanë bërë kundër Kosovës dhe për çfarë nuk kanë bërë në favor të saj e të drejtës që asaj I takon! Këto janë të vërteta të hidhura, për të cilat Joseph Borrell do të duhej të reflektonte. Megjithatë nuk reflektoi. As në përfundimet e tij rreth dialogut. Përkundrazi, e hodhi përgjegjësinë te palët në bisedime. Ndërkohë që sa herë ka dështuar dialogu i radhës ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e paraqitur presidentin e Serbisë si “konstruktiv”! “, potencoi ai.

Në fund, Bytyçi theksoi se dështimi e ka emrin Borrell e Lajçak dhe shënohet për shkak të diplomacisë së disbalancuar dhe të qëllimshme kundër Kosovës nga ana e tyre!

“Ky është dhe duhet të jetë përfundimi i asaj që është bërë e nuk është bërë në këto vite në dialogun Kosovë-Serbi!”, përfundoi profesori.

Read Entire Article