Gjenden persona të tjerë të pajetë nën rrënoja, të paktën 48 të vdekur në Japoni pas tërmetit fatal

10 months ago 36

Një sërë tërmetesh të fuqishme që goditën perëndimin e Japonisë kanë lënë të paktën 48 persona të vdekur dhe kanë shkaktuar dëme masive.

Autoritetet në Japoni u bënë thirrje njerëzve në disa zona që të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut se vendi mund të goditet nga tërmete të tjera të fuqishme.

Dridhjet pasuese të tokës kanë goditur prefekturën e Ishikawas dhe zonave përreth një ditë pasi një tërmet i fuqishëm prej 7.6 ballësh goditi këtë zonë.

Gjashtëmbëdhjetë të tjerë janë të plagosur rëndë, sipas zyrtarëve. Nga ana tjetër mijëra ndërtesa janë dëmtuar, megjithëse primare për autoritetet aktualisht është shpëtimi i njerëzve që janë nën rrënoja.

Në disa zona nuk ka ujë, energji dhe as shërbime të telefonisë. Kryeministri Fumio Kishida njoftoi se ushtria japoneze ka në gatishmëri  1.000 ushtarë në zonën e fatkeqësisë për t’iu bashkuar përpjekjeve të shpëtimit.

“Shpëtimi i jetës është prioriteti ynë dhe ne jemi në betejë me kohën. Është thelbësore që personat e bllokuar në shtëpitë e tyre të shpëtohen menjëherë”, tha ai.

Paralajmërimet e lëshuara nga Agjencia Meteorologjike e Japonisë për cunam u tërhoqën disa orë më vonë, pas qetësimit të situatës.

Të paktën 57 mijë banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe janë strehuar në shkolla dhe qendra të komunitetit. Sipas parashikimeve të motit, Japonia do të përballet me reshje shiu, që ka rritur shqetësimet për ndërtesat veçse të dëmtuara.

Japonia shpesh goditet nga tërmetet sepse gjendet përgjatë asaj që njihet si “Unaza e Zjarrit”, që është një hark vullkanesh dhe pllakash tektonike në Pellgun e Paqësorit.

Që nga 1 janari 2024, kur ndodhi tërmeti i fuqishëm prej 7.6 shkallësh të Rihterit, Japonia është goditur nga rreth 100 dridhje të tjera pasuese të tokës.

Top Channel

Read Entire Article