Gjenerali Sergei Surovikin, i cili nuk është shfaqur në publik që prej rebelimit të kryer në qershor nga mercenarët e Grupit Wagner, është rishfaqur në një fotografi të publikuar online.
Kjo gjë ka thelluar edhe më shumë misterin lidhur me fatin e komandantit rus.
Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, ndërkaq kanë thënë se Surovikin u lirua nga ndalimi disa ditë pas rrëzimit të avionit që i përkiste shefit të Wagner-it, Yevgen Prigozhin. Sipas The New York Times, Surovikin ende mban gradën e gjeneralit.
I quajtur “Gjenerali Armageddon”, Surovikin ishte komandat i forcave të hapësirës ajrore të Rusisë dhe në tetorin e kaluar ai u emërua komandant i pushtimit rus të Ukrainës. Ai u hoq nga udhëheqja e luftës tre muaj më vonë.
Më 23 gusht, në orët e para të rebelimit që nisi Prigozhin, Surovikin u shfaq në një video përmes së cilës ai u bëri thirrje mercenarëve të Wagner-it që të ndalnin rebelimin.
Një aleat i Prigozhinit – që të dy njiheshin kur Surovikin ishte komandant i forcave ruse në Siri – Surovikin shpesh ishte lavdëruar nga Prigozhinin, i cili ka qenë kritik i ashpër i komandantëve rusë lidhur me luftën në Ukrainë.
Që nga ajo video, megjithatë Surovikin nuk është parë në publik dhe ka pasur thashetheme se Kremlini e ka arrestuar pasi disa zyrtarë të ushtrisë dhe sigurisë duket se mbështetën rebelimin e Prigozhinit. Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka quajtur kryengritësit “tradhtarë” dhe rebelimin e ka cilësuar si “thikë pas shpine”.
Më 22 gusht, disa media ruse raportuan se Surovikin ishte liruar nga posti i komandantit të forcave të hapësirës ajrore.
Një ditë më vonë, më 23 gusht, një avion i lidhur me Prigozhinin u rrëzua teksa po fluturonte nga Moska për në Shën Petersburg. Autoritetet ruse më pas thanë se nga analizimi i ADN-së, Prigozhin u konfirmua se ishte në mesin e dhjetë personave që vdiqën në rrëzimin e avionit. Ai u varros në Shën Petersburg disa ditë më vonë.
Më 4 shtator u publikua një fotografi e Surovikinit. Fotografia u publikua nga Ksenia Sobchak, gazetare, babai i së cilës ishte shefi i Putinit në Shën Petersburg në vitet ’90. Në fotografi, gjenerali ishte i veshur me rroba civile dhe pranë tij qëndronte një grua, që është identifikuar se është bashkëshortja e tij.
“Gjenerali Sergei Surovikin ka dal. Gjallë, shëndosh e mirë e në shtëpi, me familjen e tij në Moskë. Fotografia është realizuar sot”, shkroi ajo në Telegram.
Nuk ka qenë e mundur që menjëherë të verifikohet fotografia apo kur dhe ku është realizuar.
Top Channel