Në projektligjin për sigurinë bazë të fëmijëve, i cili u miratua të mërkurën, nga qeveria gjermane, përjashtohen që në fillim fëmijët që marrin përfitime sipas ligjit për përfitimet e azilkërkuesve, kritikojnë 23 organizata të shoqërisë civile.
Përmes një deklarate që e ka redaksia e DW, ato i janë drejtur me një thirrje koalicionit qeveritar që të përmbushë kërkesat e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve dhe të përfshijë të gjithë fëmijët që jetojnë në Gjermani në sigurimin bazë të fëmijëve.
“Konventa për të Drejtat e Fëmijëve e ndalon diskriminimin e fëmijëve në bazë të origjinës dhe statusit të vendbanimit. Të gjithë fëmijët kanë të njëjtat të drejta – për shembull të rriten të shëndetshëm, të marrin pjesë në shoqëri dhe të mbajnë një nivel minimal të jetesës njerëzore. Prandaj, mirëqenia bazë e fëmijëve duhet të jetë një përfitim për të gjithë fëmijët në Gjermani. Fëmijët refugjatë qysh në start janë në disavantazh me bashkëmoshatarët e tyre. I bëjmë thirrje qeverisë dhe parlamentit që të sigurojnë që në asnjë mënyrë të mos diskriminohen”, thanë organizatat.
Eric Großhaus, drejtues i departamentit të Avokimit për Varfërinë e Fëmijëve dhe Pabarazinë Sociale në organizatën Save the Children Gjermani, shton: “Ajo që duhet të sjellë përmirësime për të gjithë fëmijët e prekur nga varfëria do të nënkuptojë në fakt një përkeqësim për disa. Megjithatë, Konventa për të Drejtat e Fëmijëve dhe Ligji Bazë vlejnë për të gjithë fëmijët në Gjermani dhe duhet të jenë bazë për të gjitha veprimet politike. Mirëqënia dhe pjesëmarrja sociale e fëmijëve nuk duhet të bëhen peng në politikën e migracionit.”
Projektligji i ri për sigurinë bazë për fëmijët
Qëllimi i ligjit për sigurimin bazë të fëmijëve është që të gjithë fëmijët të kenë një start të barabartë në jetë, pavarësisht nga gjendja ekonomike e prindërve. Për rrjedhojë është parashikuar që përveç ndihmës bazë për fëmijët që aktualisht është 250 euro në muaj, të ketë edhe ndihma të tjera shtesë, në varësi të të ardhurave të prindërve, edhe nëse këta jetojnë nga ndihma sociale. Por sistemi i komplikuar i ligjeve gjermane këtu lejon sërish një përjashtim: Azilkërkuesit. Pikërisht kjo bie ndesh me Konventën e OKB-së për të drejtat e Fëmijëve, thonë organizatat e shoqërisë civile.
Deri në vitin 2010 Gjermania e ushtronte konventën për fëmijët vetëm për shtetasit me shtetësi gjermane. Ky diskriminim u hoq në vitin 2010, pasi ai binte ndesh me nenin 2 të Konventës, sipas të cilit përjashtohet çdo diskriminim i bazuar në origjinën dhe statusin e lejes së qëndrimit në Gjermani. Po ashtu neni 3 i Konventës kërkon që të gjitha masat politike t’i japin përparësi mirëqenies së fëmijëve.
Përveç anës ligjore, shoqatat argumentojnë edhe me faktin që përfitimet që marrin azilkërkuesit janë më të ulëta (në vitin 2023 midis 278 euro dhe 374 euro në muaj për fëmijët dhe të rinjtë, të shkallëzuara sipas moshës) sesa tarifat standarde tashmë shumë të ulëta në sistemet e tjera bazë të sigurisë (318 deri në 420 euro) . Nga këndvështrimi i organizatave nënshkruese, kjo bie ndesh me parimin e trajtimit të barabartë, i cili duhet të zbatohet gjithashtu dhe veçanërisht për një nivel të mirë jetese.
Në një vendim historik në vitin 2012, Gjykata Kushtetuese Federale (BVerfG) e bëri të qartë se dinjiteti njerëzor nuk duhet të relativizohet për hir të politikave të migracionit. Sipas BVerfG-së, garantimi i një niveli minimal jetese është një e drejtë e njeriut që garantohet me nenin 1 paragrafi 1 të Ligjit Themelor të Gjermanisë. Veç kësaj, organizatat kritikojnë se aplikimi i sigurimit bazë të fëmijëve, heq mundësinë e shtesës së menjëhershme për fëmijë prej 20 euro, të cilën e merrnin më parë fëmijët e azilkërkuesve.
Ministrja Federale për Çështjet Familjare, Lisa Paus (Të Gjelbërit) e sheh mbështetjen bazë të planifikuar të fëmijëve si një mundësi për të nxjerrë më shumë fëmijë nga varfëria, dhe e vlerëson atë si reformë qendrore të politikës sociale” të koalicionit qeveritar. Kështu u shpreh Paus për revistën e mëngjesit të ARD, MOMA, të mërkurën. Ky është “një sukses i përbashkët i kësaj qeverie federale, por sigurisht edhe i Ministrisë së Çështjeve Familjare”. Bëhet fjalë për “një ndryshim ne sistem” me qëllim që “të fillojmë të luftojmë në mënyrë efektive varfërinë e fëmijëve të rrënjosur strukturisht në Gjermani”. /DW
Top Channel