Gjithçka që fansat duhet të dinë për festivalin “Unum” këtë vit

3 months ago 9
Reklamë

Rana e Hedhunit në Shëngjin është zgjedhur të presë mijëra vizitorë nga e gjithë bota nga data 6 deri më 11 qershor, ku do të zhvillohet edicioni i pestë i festivalit të njohur ndërkombëtar të muzikës elektronike “Unum”.

Organizatorët e festivalit kanë zbuluar të gjitha detajet që priten për këtë ngjarje të madhe. Në një intervistë në emisionin “Mëngjesi me Jehonën” në Radio Prishtina, Ardin Badivuku, një nga figurat kyçe të organizimit, ka zbuluar informacione shtesë rreth asaj që do të përjetojnë pjesëmarrësit.

Badivuku ka konfirmuar se do të ketë tri skena aktive, ku do të përformojnë artistë nga skena lokale dhe ndërkombëtare, duke i dhënë ngjarjes një karakter të veçantë dhe kozmopolit. Ai gjithashtu ka theksuar synimin e organizatorëve për të promovuar rajonin verior të Shqipërisë si një atraksion turistik.

“Përmes muzikës dhe peizazheve mahnitëse, synojmë të tërheqim vëmendjen ndërkombëtare dhe në veçanti nga Europa, duke promovuar njëkohësisht festivalin në platforma dhe medie ndërkombëtare të ndryshme,” tha Badivuku për Zërin.

Rana e Hedhun, një zonë e njohur për kapacitetet e saj të mëdha, do të përshtatet për deri në 20 mijë pjesëmarrës, ku do të vendosen tri skena të ndryshme. Skena e plazhit pritet të jetë aktive nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 21:00 të mbrëmjes, ndërsa skena kryesore do të hapet nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në 07:00 të mëngjesit të ditës pasardhëse. Skena e pishave, në anën tjetër, është planifikuar të ofrojë muzikë pa ndërprerje për 24 orë.

Festivali “Unum” do të ofrojë gjithashtu një sërë aktivitetesh dhe argëtimi gjatë ditës, duke përfshirë seanca jogaje dhe një pazar të madh të dizajnerëve dhe artistëve artizanal nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët do të prezantojnë dhe do të shesin punimet e tyre ndaj një audiencë ndërkombëtare.

Biletat e festivalit, sipas Badivukut, kanë pasur çmime tepër konkurruese në fazat e hershme të shitjes, ndërsa tani një biletë mund të blihet për 79 euro nëpërmjet faqes zyrtare unumfestival.com. Organizatorët kanë përqëndruar vëmendjen po ashtu në promovimin e pasurisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, duke theksuar kalatë dhe muzeumet që gjenden në afërsi të Shëngjinit dhe Lezhës.

Për të lehtësuar transportin në Shëngjin gjatë ditëve të festivalit, do të organizohet një shërbim lokal me bileta që kushtojnë pesë euro për gjatë gjithë periudhës së festivalit. /Telegrafi/

Read Entire Article