GJKKO i refuzon lejen, Beleri “humb” betimin si kryebashkiak i Himarës, “Rithemelimi”: Vendim politik

1 year ago 37
Reklamë

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Grupi i “Rithemelimit” në Partinë Demokratike e cilëson një vendim politik atë që Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vulosi sot, duke lënë në qeli Fredi Belerin dhe duke mos i dhënë atij mundësi të jetë i pranishëm në ceremoninë e betimit si kryetari i Bashkisë së Himarës.

Beleri, i cili fitoi garën elektorale të 14 majit nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” u arrestua pak ditë para zgjedhjeve të. Ai akuzohet për blerje votash, ndërsa u prangos duke paguar një agjent të infiltruar të policisë në këmbim të tetë votave gjatë fushatës zgjedhore. Beleri ka mohuar akuzat, por pavarësisht kësaj, GJKKO ka vendosur qëndrimin në qeli të tij deri në përfundim të hetimeve.

Në një reagim për mediet, “Rithemelimi” thekson se vendimi i GJKKO për të mos lejuar kandidatin fitues në Himarë të marrë pjesë në procesin e betimit është shkelje normave të shtetit të së drejtës.

“Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Belerit, i është refuzuar kërkesa për leje të posaçme për të marrë pjesë në konstituimin e këshillit bashkiak të Himarës dhe betimit si kryebashkiak. GjKKO ka zbatuar kështu urdhrin partiak, dhe jo normat e shtetit të së drejtës, duke ia mohuar kandidatit fitues të bëjë betimin dhe qytetarëve të Himarës frutin e votës së lirë dhe përfaqësimit. Partia Demokratike e konsideron vendimin si politik dhe dënon me forcë çdo hap që i bën gjykatat e vendit shkelëse të parimit të ndarjes së pushteteve”, njofton “Rithemelimi”.

“Për Partinë Demokratike, Fredi Beleri mbahet në arrest si i burgosur politik, si kandidat i opozitës dhe si kryetar i zgjedhur i qytetarëve të Himarës, dhe jo si abuzues votash. Po të ishte për manipulime, vjedhje dhe abuzime në qelitë e paraburgimit, do të ishin 53 kandidatët e PS me në krye Edi Ramën”, vijon njoftimi.

“Fredi Beleri nuk i prishi Edi Ramës ëndrrën totalitare të hartës politike rozë, por i zuri rrugën e planeve të tij për investime strategjike me ministrat e familjes dhe familjarët e ministrave në bregdetin e Bashkisë së Himarës. Për këtë, ai e shënjestroi që nga fillimi dhe urdhëroi arrestimin e tij. Për këtë, atij i refuzohet lirimi me kusht, ndërsa ish-ministrave të tij u lejohet. Për këtë, Edi Rama luan nacionalistin në Himarë dhe internacionalistin në Beograd e Prishtinë”, nënvizon grupi i “Rithemelimit”.

GJKKO mori sot në shqyrtim kërkesën për leje të Fredi Beljerit, i cili u ndalua pak ditë para zgjedhjeve me akuzën e blerjes së votës. Bejleri kërkoi leje për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të këshillit bashkiak të Himarës dhe të atij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës, por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë, me argumentin se ceremonia e betimit si kryetar bashkie nuk parashikohet në ligj si argument për të marrë leje.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Read Entire Article