Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) me seli në Hagë ka shprehur “shqetësim të thellë” pasi Rusia ka lëshuar urdhërarrestime për disa zyrtarë të drejtësisë, përfshirë edhe për një gjyqtare ruse.
Ministria e Brendshme ruse më 27 korrik tha se gjyqtarja e GJNP-së, Tomoko Akane, është futur në listën e kërkimit të Qeverisë.
Akane ishte një prej gjyqtarëve që në mars miratoi lëshimin e urdhërarrestimeve për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe komisionaren ruse për fëmijët, Maria Lvova-Belova. Të dy akuzohen se janë përgjegjës për dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi, veprim që sipas ligjit ndërkombëtar përbën krim lufte.
“Presidenca e Asamblesë [të shteteve anëtare të GJNP-së] shpreh keqardhje për këtë përpjekje të re për të minuar mandatin ndërkombëtar të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe riktheson se qëndron fuqishëm në mbështetje të gjykatës, të zyrtarëve të saj të zgjedhur dhe të personelit të saj. Ne edhe njëherë shprehim besimin e plotë në GJNP-në, si një gjykatë e pavarur dhe e paanshme”, u tha në deklaratën e gjykatës të lëshuar më 1 gusht.
Pas lëshimit të urdhëarrestimit në mars, Putin u bë udhëheqësi i tretë shtetërorë që është shënjestruar me urdhëarrestim nga GJNP-ja, që është gjykatë e përhershme botërore për krime të luftës. Paraprakisht, urdhërarrestime ishin lëshuar ndaj udhëheqësit të Sudanit, Omar al-Bashir, dhe atij të Libisë, Muammar Qaddafi.
Rusia është hakmarrë, duke hapur rast penal ndaj prokurorit të GJNP-së, Karim Khan, dhe ndaj gjyqtarëve që kanë urdhëruar lëshimin e udhërarrestimit ndaj Putinit, përfshirë Akane dhe gjyqtarit italian, Rosario Salvatore Aitala. Moska po ashtu ka futur në listën e personave të kërkuar prokurorin Khan dhe gjyqtarin Aitala.
Në urdhërarrestimin ndaj Akane raportohet se thuhet se ajo ka shkelur Kodin Penal të Rusisë, edhe pse nuk specifikohen akuzat që rëndojnë ndaj saj.
GJNP-ja përbëhet nga 123 shtete anëtare. Por, në këtë gjykatë nuk bëjnë pjesë Rusia, Kina apo Shtetet e Bashkuara./REL
Top Channel