Gjykata e Lartë e Kolorados vendosi dje që zoti Donald Trump nuk ka të drejtë të mbajë detyrën e Presidentit dhe emri i tij nuk mund të jetë në fletën e votimit në zgjedhjet paraprake të këtij shteti për shkak të rolit të tij në trazirat e Kapitolit në vitin 2021. Vendimi pritet të apelohet avokatët e zotit Trump në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara.
Gjykata më e lartë e shtetit të Kolorados mori të martën një vendim historik mbi rolin e ish presidentit në nxitjen e dhunës gjatë sulmit ndaj Kongresit të Shteteve të Bashkuara, nga mbështetësit e tij në 6 janar të vitit 2021.
Vendimi i trupit gjykues, 4 me 3 u bazua në një dispozitë të Kushtetutës Amerikane që është përdorur shumë rrallë. Neni 3 i Amendamentit të 14 të i ndalon zyrtarët publikë që, siç theksohet në të, “janë përfshirë në kryengritje për të përmbysur rendin kushtetues” të mbajnë sërish detyra shtetërore.
Zoti Trump bëhet kështu kandidati i parë për president që përjashtohet nga e drejta për t’u zgjedhur bazuar në këtë dispozitë kushtetuese.
Katër gjykatësit që mbështetën vendimin thanë se “ky nuk ishte një vendim që ata e morën me lehtësi”. Të katërt gjykatësit janë emëruar nga demokratët.
Ekipi i fushatës elektorale të zotit Trump paralajmëroi se do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë, ndërsa e cilësoi atë “të gabuar” dhe “antidemokratik”.
Ndërkohë, gjatë një tubimi në shtetin e Ajovas, zoti Trump akuzoi demokratët për ndërhyrje në garën zgjedhore.
“I korruptuari Joe Biden dhe ekstremistët e majtë po përpiqen dëshpërimisht të na ndalojnë me çdo mjet të mundshëm. Janë të gatshëm të bëjnë shkelje të pashembullta të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara vetëm për të fituar zgjedhjet”, tha ish-Presidenti Donald Trump.
Çështja nuk u dërgua në gjykatë nga zoti Biden, por nga një grup votuesish të shtetit të Kolorados të mbështetur nga organizata “Qytetarët për Llogaridhënie dhe Etikë”, me qendër në Uashington.
Në një deklaratë, organizata jofitimprurëse tha se vendimi i gjykatës është “jo vetëm historik dhe i ligjshëm, por i nevojshëm për të mbrojtur të ardhmen e demokracisë”.
“Si amerikanë na bashkon një gjë, që udhëhiqemi nga Kushtetuta. Gjykata zbatoi Kushtetutën për të dalë me një vendim pasi zotit Trump iu dha mundësia për të paraqitur prova. Ai kundërshtoi çështjen në një gjykatë më të ulët dhe në Gjykatën e Lartë të Kolorados. Pra është një proces që parashikon Kushtetuta jonë”, tha Eric Olsen, avokati i organizatës “Qytetarët për Llogaridhënie dhe Etikë”.
Padi të tilla janë ngritur në një sërë shtetesh shihen si një provë në kuadrin e përpjekjeve për të penguar që emri i Donald Trumpit të jetë në fletët e votimit të shteteve të ndryshme, bazuar në Amenadamentin 14 të Kushtetutës.
Përpjekje të tilla janë rrëzuar në 5 shtete përfshirë Minesotën, Nju Hemshër, Miçiganin, Floridën dhe Rod Iland, por vazhdojnë në 13 shtete të tjera.
Ka shumë mundësi që vendimi i Kolorados të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, e cila ka një shumicë konservatore 6 me 3, tre prej të cilëve të emëruar nga zoti Trump./VOA
Top Channel