Gonzato i kujton politikës rekomandimet e papërmbushura të OSBE-ODIHR-it: Anëtarësimi në BE nuk i përket partive, është ambicia e të gjithë popullit shqiptar

2 hours ago 26

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se, anëtarësimi në BE është një objektiv që nuk i përket një partie apo një tjetre, por është ambicia e të gjithë popullit shqiptar.

Në fjalën e tij në takimin e 18-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri që u mbajt në Tiranë, Gonzato u shpreh se, ky takim ndodh në një moment shumë të rëndësishme në kohë.

Së pari, u shpreh ai, “është takimi i parë pas zgjedhjeve evropiane. Kështu që këtu kemi europarlamentarë të sapozgjedhur që udhëtojnë për herë të parë në Shqipëri. Kështu që ia vlen të kremtohet një gjë e tillë”.

“Siç përmendi presidenti Tarquinio numri i madh i europarlamentarëve që kanë udhëtuar për në Shqipëri për këtë takim është në vetvete dëshmi e interesit që PE tregon kundrejt Shqipërisë dhe rajonit. Më vjen mirë të shoh që anëtarët e PE vijnë nga vendet të shumta dhe thuajse nga të gjitha familjet politike që përfaqësohen në këtë parlament”, tha Gonzato.

Ai nënvizoi se, “është inkurajuese për mua personalisht të shoh që të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë janë të pranishëm këtu sot dhe po punojnë së bashku për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE. Një objektiv, që më lini ta them shumë sinqerisht, nuk i përket një partie apo një tjetre, është ambicia e të gjithë popullit shqiptar”.

Gonzato nënvizoi se, nga perspektiva e BE, ky është një moment thelbësor në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së.

Ai shtoi se, çelja e negociatave për grup-kapitullin e “Themeloreve” po e sjell marrëdhënien mes palëve në një fazë të re.

“Është një mesazh i fuqishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor si rajon e përtej tij dhe tregon sesa dinamik mund të jetë ky proces duke forcuar kësisoj besueshmërinë e procesit të anëtarësimit në BE”, tha Gonzato.

“Vizita në Tiranë e presidentes Von der Leyen javën e kaluar që çeli turin e saj të Ballkanit Perëndimor ishte një shenjë e mëtejshëm e mbështetjes së BE-së për Shqipërinë dhe rajonin drejt anëtarësimit. Presidentja Von der Leyen përgëzoi me të drejtë arritjet e shënuara nga Shqipëria vitet e fundit dhe ashtu siç e theksoi ajo, çelja e grup-kapitullit të parë të negociatave është rezultat i shumë viteve pune të madhe, por po kështu edhe një dedikim ndaj një objektivi të përbashkët dhe Shqipëria ka treguar vizion dhe durim në këtë drejtim. Presidentja Von der Leyen theksoi se zgjerimi do të mbetet një përparësi kryesore në mandatin e Komisionit të ri”, theksoi ai.

“Për Shqipërinë ajo po ashtu vendosi objektivin ambicioz për çeljen e të gjitha grup-kapitujve deri në fund të vitit 2025. Kjo është e arritshme, por absolutisht kërkon punë mjaft të madhe”, tha Gonzato.

“Marrëdhëniet midis BE-së dhe Shqipërisë, janë në një trajektore pozitive dhe të gjithë duhet të kapitalizojmë këtë pikë në kohë dhe në të njëjtën kohë progresi në negociata do të kërkojë një progres vendimtar për reformat që lidhen me BE-në dhe me një hap të konsoliduar së pari në fushën e “Themeloreve”, tha ai.

“Kështu që tashmë nuk ka vend për të hezituar apo për t’u tejzgjatur. Ndërkohë që jemi në fazën përmbajtësore të negociatave monitorimi nga afër i shteteve anëtare të BE do të rritet në mënyrë të konsiderueshme e kështu do të rritet edhe monitorimi i PE. Nuk kam dyshim për këtë”, tha ai.

“Shqipëria duhet të ndërtojë punën e të konsolidojë reformën në drejtësi të 2016-ës. Përpjekjet për të krijuar një bilanc të fortë në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar duhet të intensifikohet krah forcimit e politikave parandaluese e duke u fokusuar në sektorë më të prekshëm si prokurimi publik, shëndetësia, e të drejtat e pronësisë”, shtoi Gonzato.

“Shqipëria duhet të këmbëngulë në çuarjen më tej të sundimit të ligjit dhe në trajtimin e boshllëqeve në sistem. Hapat pas në këtë drejtim duhet të shmangen me çdo kusht. Liria dhe pluralizmi i medias, të drejtat e individëve që i përkasin pakicave etnike si dhe të drejtat e pronësisë janë të tjera fusha të rëndësishme në kuadër të grup-kapitullit të “Themeloreve” që meritojnë vëmendjen maksimale e për të cilat Shqipëria duhet të realizojë”, u shpreh Gonzato.

Ai nënvizoi se, “është po kështu thelbësore të krijohet një mjedis politik ku ndarja dhe ekuilibri i pushteteve në kuadër kushtetues të funksionojnë si duhet në një klimë respekti reciprok”.

“Reformat sigurisht do të kërkojnë që të ketë një parlament që funksionon efektivisht dhe ku mënyra sesi Shqipëria të mund të përmbushë angazhimet e saj sa më mirë drejt BE-së të debatohen konstruktivisht dhe hapur. Kuvendi i Shqipërisë i detyrohet popullsisë shqiptare për këtë, ku shumica dërrmuese duan që vendi t’i bashkohet shpejt BE-së”, theksoi Gonzato.

“Debati i hapur dhe konstruktiv në Kuvend i çel rrugën një pjesëmarrjeje më demokratike, ku shoqëria civile dhe aktorë të tjerë po kështu mund të marrin pjesë aktive”, tha ai.

Ai kujtoi se, në përputhje me kuadrin negociator qeveria shqiptare miratoi në fillim të tetorit udhërrëfyesin për funksionimin e institucioneve demokratike në bashkëpunim të ngushtë me parlamentin.

“Udhërrëfyesi ravijëzon reformat dhe masat kryesore që janë të nevojshme për të përmirësuar procesin zgjedhor të Shqipërisë për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e parlamentit dhe po kështu të krijojë një mjedis më mundësues për shoqërinë civile”, tha ai.

Gonzato u shpreh se, të gjitha këto luajnë një rol thelbësor në jetën demokratike si dhe në procesin e integrimit evropian.

“Udhërrëfyesi përfshin një grup të rëndësishëm angazhimesh si ndryshime në kuadrin zgjedhor për të zbatuar rekomandimet e papërmbushura të OSBE-ODIHR-it. Këto përfshijnë po kështu dhe masa për të garantuar mundësi të barabarta për të gjitha palët pjesëmarrëse për të pasur akses në media për të parandaluar përdorimin e burimeve publike për qëllime zgjedhore, po kështu për të rregulluar në mënyrë më efektive financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article