Grafitet dhe shtypja e shqiptarëve në Kosovën Lindore, bëhet thirrje për reagim ndërkombëtar

1 month ago 12
Reklamë

Shqiptarëve që jetojnë në Kosovën Lindore po u vështirësohet jeta çdo ditë e më shumë.

Ata përveç spastrimit etnik dhe pasivizimit të adresave që po përballen tash e sa vite, tani edhe po kërcënohen nga serbët me thirrje nacionaliste në grafite të ndryshme.

Një tjetër grafit është vendosur në Bujanoc.

Grafiti i vendosur në gjuhën serbe shkruan “Vdekje shqiptarëve. Nuk ju duam. Kosova është Serbi!!!”

Për këtë grafit ka njoftuar, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu.

Ai ka thënë se ky është grafiti i dytë i tillë që shfaqet brenda pak ditësh, pas protestës së mbajtur më 12 gusht, duke lënë të kuptohet se ky akt nuk është i rastësishëm, por një përpjekje e qëllimshme për të nxitur përçarje dhe provokime.

“Edhe një grafitë tjetër në të njëjtin institucion. Grafiti i dytë pas protestës së mbajtur më datë 12 gusht, kjo fare nuk është e rastësishme. Zëri ynë po shpërfaqë nacionalistët të cilët na urrejnë neve, si shqiptarë”, ka shkruar Luftiu.

Bilalli: Grafitet serbe kanë një urrejtje të papërmbajtshme ndaj shqiptarëve

Duke folur për këtë çështje, analisti Lutfi Bilalli, ka thënë këto provokime dhe slogane raciste ndaj shqiptarëve shpalosin tre momente.

Image

Lutfi Bilall

“Grafite nacionaliste serbe për shqiptarët në shtëpinë e shëndetit në Bujanoc, tregojnë se Serbia dhe serbët kanë një urrejtje të papërmbajtshme ndaj shqiptarëve. Por, në situatën e tanishme që po kalon bota dhe gjeopolitika botërore, këto provokime me slogane raciste dhe urrejtje ndaj shqiptarëve shpalos tre momente:

1. Provokim për destabilizim të situatës në Kosovën Lindore dhe të fusë panik të banorët lokal shqiptarë që të shpërngulën nga Kosova Lindore

2. Të provokojë destabilitet në Republikën e Kosovës sidomos tensione në veriun e vendit!

3. Historikisht, Serbia ka ndjek një politikë shfarosëse ndaj shqiptarëve dhe që nuk do ndaloj as në të ardhmen deri në momentin kur Serbia llogarit që Shqipëria dhe Kosova në aspektin militarist janë në ballanca të njëjta ushtarakisht”, deklaron ai.

Sipas tij, ndërkombëtarët duhet të reagojnë fuqishëm te qeveria e Serbisë që të ndalë provokimet e tilla.

Më tej, ai thotë se Kosova duhet t’i përcjell me kujdes zhvillimet në Kosovën Lindore, dhe po ashtu të kërkojë të drejta anologe siç kanë pakica serbe në Republikën e Kosovës.

“Faktori ndërkombëtar duhet të reagoj fuqishëm tek qeveria e Serbisë që të ndaloj provokimet e tilla. Misionet diplomatike të vendeve perëndimore sidomos ata të vendeve të Quint-it duhet të jenë më të qarta dhe më serioze që qeverisë serbe dhe Vuqiqit t’i tregojnë qartë që të ndërpresë lojën me zjarr që po luan në raport me R. e Kosovës dhe me shqiptarët në përgjithësi.

Qeveria e Kosovës duhet të përcjell me kujdes zhvillimet në Kosovën Lindore tre komunat me shumicë shqiptare (Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë), njëherit në proceset politike në vijim duhet të kërkojë të drejta anologe siç kanë pakica serbe në R. e Kosovës!

Në tërë gjeopolitikën dhe gjeo-strategjinë e Ballkanit Perëndimor, shqiptarët duhet të kenë koordinim dhe reagim si një komb që do përkujdeset për gjithë shqiptarët kudo që janë e në këtë rast duhet të ngritin zërin fuqishëm ndaj provokimeve fashiste të elementeve të koordinuara serbe ndaj shqiptarëve në Bujanovc dhe Kosovës Lindore por edhe sloganeve fyese ndaj R. së Kosovës”, përmbyll ai për “Bota sot”.

Kelmendi: Shqiptarët në Luginën e Preshevës kërkohet të vazhdojnë me protesta

Image

Profesori Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi thotë se shqiptarët në atë pjesë jetojnë të diskriminuar në të gjitha fushat, duke shtuar se edhe protestat që u mbajtën atje Beogradi iu përgjigj me një përbuzje dhe me injorim e mohim të të drejtave.

“Shqiptarët në Kosovën Lindore nën Serbi gjinden në gjendje shumë të rëndë. Kjo pjesë e kombit nuk ka të drejta. Diskriminohen në punësim, në shkollim, në përdorimin e simboleve kombëtare, të gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Në të gjitha fushat kanë mbetur në gjendje të rëndë.

Në kuadër të përpjekjeve për të drejta, liri e barazi janë edhe protestat e organizuara në Bujanovc.  U kërkuan nga shqiptarët të drejta demokratike dhe nacionale. Beogradi iu përgjigj me një përbuzje dhe me injorim e mohim të të drejtave. Po konsiderohen si minoritet i pavlerë në tokat stërgjyshënore. Kundër dolën edhe disa grupe kriminale e terroriste serbe”, thotë ai.

Në fund, ai thotë se rrugë tjetër nuk ka përveç protestave sepse deri tani për shkrimet askush nuk përgjigjet e po ashtu edhe faktori ndërkombëtar i ka lënë në harresë.

“I kanë mbushur muret me shkrime antishqiptare dhe askush nuk përgjigjet. Faktori ndërkombëtar i ka lënë në harresë. Janë nënshkruar tri marrëveshje dhe asnjëra nuk është realizuar. Kosova dhe Shqipëria nuk po reagojnë. Tirana po vepron tamam sikur mos me qenë ata shqiptar. Kosova e ka lënë reciprocitetin. BE dhe SHBA nuk po merren me këtë çështje. Për ta krimineli i luftës Vuçiç është figurë pozitive. Është tjetër nënshtrimi dhe diskriminimi. Shqiptarët kërkohet të vazhdojnë me protesta. Nuk duhet të ndalen. Vetëm kundërshtimi i hapur dhe komplet i kombi i detyron qeveritarët serb të veprojnë në realizimin e marrëveshjeve të bëra. Rrugë tjetër nuk ka veç protestave”, përfundon ai.

Read Entire Article