Greqia pengesë për Shqipërinë, Rama: E paarsyeshme që çështjet dypalëshe të pengojnë integrimin

10 months ago 10
12:52 14/12/2023

Kryeministri Edi Rama e konsideron të paarsyeshme faktin që çështjet dypalëshe mes dy vendeve të pengojnë integrimin e një shteti, duke iu referuar ngërçit mes Shqipërisë dhe Greqisë, që kjo e fundit ka vendosur veto për shkak të Fredi Belerit.

Në një konferencë shtypi me gazetarët ditën e sotme, Rama bëri të ditur se çfarë tha në samitin e së mërkurës mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri bëri të ditur se e ngriti shqetësimin që mosmarrëveshjet mes dy vendeve nuk duhet të pengojnë procesin e anëtarësimit.

“Është trajtuar nga ana ime edhe çështja e vështirësisë që prej vitesh krijojnë eksportimet e mosmarrëveshjeve bilaterale në tryezën e BE. Për hir të së vërtetës ka një sensibilizim shumë të lartë, sidomos nga shtetet më me eksperiencë, më me jetëgjatësi në familjen e bashkuar europiane lidhur me faktin se si çështjet bilaterale të eksportuara nga një vend anëtar në tryezën e KiE krijojnë pengesa të paarsyeshme. Çështjet bilaterele janë çështje që duhen të zgjidhen midis dy vende dhe aq më tepër është e paarsyeshme që në një proces integrimi ku një vend hyn në negociata, që hyn në një fazë përfundimtare të shtetbërjes europiane duke përfituar përditë nga transferimi i dijes nga BE, të pengohet të vonohet sepse ka një çështje dypalëshe. Mbase do ishte më e kuptueshme që kur vjen momenti që vendi i ka përfunduar të gjitha dhe është vota, atëherë cilido mund të thotë që unë s’jam dakord. Por kjo pengesë është e paarsyeshme, jo vetëm por edhe jo euriopiane në frymë dhe natyrisht rastet dhe historitë kanë qenë më shumë se sa 1 e 2 dhe nuk është rastësi që të gjitha këto raste vijnë nga zona e Ballkanit. Dhe nëse nuk do gjendet një rrugë për të ndarë njëherë e mirë çështjet dypalëshe nga procesi i negociatave, Ballkani dhe vendet që janë të përfshirë në këtë proces në rajonin tonë mund ta parashikojmë pa vëshirësisë se sa probleme mund të nxjerrim rrugës mes njëra-tjetrër aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje të natyrës historike, të natyrës krejtësisht politike dhe jo për çështje që prekin ndonjë aspekt që lidhet me vlerat dhe parimet e BE”.

Rama tha se çështja me Greqinë duhet të zgjidhet mes dy vendeve, teksa theksoi se fqinjin tonë jugor e konsideron si partner strategjik.

“Ndërsa në raport me çështjen e dallimit aktual mes nesh dhe Greqisë, unë nuk jam zgjatur por kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh që ne duhet ta trajtojmë mes nesh dhe që në të gjitha rastet është një çështje që përsa na takon si Shqipëri nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave por as me përmbajtjen e marrëdhënies tonë me Greqinë që  është partner strategjik i Shqipërisë, vend fqinj me të cilin duam t’i thellojmë marrëdhëniet e fqinjësisë, të thellojmë bashkëpunimin dhe të forcojmë miqësinë duke bërë gjithçka që na takon ne”.

Kryeministri Rama shprehu bindjen se Shqipëria do të bëhet Europa e Ballkanit, dhe jo një vend ballkanik në BE.

“Dhe ne duam të jemi një vend europian në Ballkan, jo një shtet ballkanik në BE. Shqipëria duhet, mund dhe me punën tonë të përbashkët do të bëhet Europa e Ballkanit, i ka të gjitha ato që i duhen për t’u bërë Europa e Ballkanit. Transformimi i brendshëm i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne dhe ndryshimi i Shqipërisë nga një vend i prapambetur, vendi i një rrumpalle ballkanike, në një vend që funksionon si shtet anëar i BE është po aq i rëndësishëm sa anëtarësimi i Shqipërisë në BE”.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article