Greqia veto Shqipërisë/ Presidenti Begaj: Si puna e studentit me pedagogun, ke punuar mirë por ngele në klasë

10 months ago 35
11:57 14/12/2023

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj e ka krahasuar veton e Greqisë ndaj Shqipërisë për negociatat me historinë e studentit me pedagogun.

Nga Bullgaria ku ndodhet për vizitë zyrtare, kreu i shtetit shqiptar tha se në të gjitha takimet ndërkombëtare që ka patur, është lavdëruar puna e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në, por në mënyrë të pakuptueshme “ngel në klasë” në momentin e fundit.

“Në çdo takim ndërkombëtar që kam pasur është vlerësuar jashtëzakonisht shumë Shqipëria për punën që ka bërë dhe është folur jashtëzakonisht shumë për profesionalizmin e treguar nga ekipi shqiptar. Çuditërisht ndodh si puna e studentit që pedagogu i thotë gjatë gjithë vitit është i shkëlqyer, ke punuar shumë mirë, dhe te nota e fundit e ngel në klasë”.

Begaj thotë se procesi i zgjerimit të BE-së me vendet  e Ballkanit është investim gjeostrategjik, ndërsa për Shqipërinë anëtarësimi në Bashkimin Europian është jetik dhe strategjik.

“Procesi i zgjerimit është investim gjeostrategjik i BE, ndërsa për ne është jetik dhe strategjik. Është ëndërr për t’u përmbushur. Siguroj se do vazhdojmë të jemi studentë të dalluar, do trokasim në dyert e BE dhe kur të hapet dera besoj se do jemi të lutur të futemi”.

Presidenti Begaj vlerësoi edhe Bullgarinë që i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces.

“Bullgaria më së miri e ka bërë këtë, e ka hapur derën, na ka mbështetur. Ne duhet të jemi mirënjohës”.

Këto komente, Presidenti Bajram Begaj nga Sofja i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin bullgar.

Greqia nuk firmos hapjen e kapitujve të parë të Shqipërisë me BE-në, duke vendosur veto për shkak të çështjes Beleri.

Qëndrimi i Greqisë është kritikuar edhe nga shtete të BE-së, një ndër to Gjermania.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article