Hapet Ankandi Fotovoltaik Hibrid 300 MW, Balluku: Shteti blen energjinë, detyrë e ofertuesve trualli dhe gjithçka tjetër

9 months ago 11
15:37 15/01/2024

U hap ditën e sotme Ankandi Fotovoltaik Hibrid 300 MW, një tjetër burim për prodhimin e energjisë së gjelbër. E pranishme në hapjen e këtij ankandi ka qenë edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është shprehur se dita e fundit për dorëzimin e ofertave do të jetë 17 Maj dhe më pas do të shqyrtohen nga ekspertët deri më 10 Korrik 2024.

Balluku është shprehur se kapaciteti minimal do të jetë 10 megavat/orë, ndërsa maksimali 100 megavat për orë teksa ka shtuar se çmimi maksimal i pranueshëm do të jetë 59.97 Euro për megavat/orë. Balluku ka deklaruar se ky ankand quhet hibrid, pasi shteti shqiptar do të blejë energjinë, ndërsa për gjithçka tjetër, duke përfshirë edhe truallin do të jetë në dorën e ofertuesve.

Belinda Balluku: I gjithë diskursi sot bëhet mbi burimet njerëzore. Në 2024, me një iniciativë të kryeministrit, do të jemi të fokusuar në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, me inovacionin që vjen edhe përmes njerëzve. Nëse ky ankand do të jetë i suksesshëm, është për kontributin njerëzor dhe të gjithë bashkëpunëtorëve tanë dhe të gjithë partnerëve të tjerë që do të jenë dhe kanë qenë kontribues në sektorin energjetik.

Sot, quhet dita e parë, e cila do të zgjasë deri më 10 Korrik, që do të jetë afati përfundimtar i daljes së fituesve të kësaj gare. Ofertuesit kanë kohë deri më 17 Maj për paraqitjen e ofertave. Ankandi i quajtur “hibrid”, i quajmë ato ankande ku shteti shqiptar është i gatshëm të blejë energjinë e prodhuar nga këto ankande. Në ankande, ne kemi angazhuar dhe asete publike, ndërkohë në ankandin e sotëm, shteti blen energjinë dhe është detyrë e ofertuesve që të marrin masa për truallin dhe gjithçka tjetër.

Kapaciteti minimal 10 megavat orë, maksimali 100 megavat orë, duke i dhënë mundësinë që pjesë e këtij ankandi të jenë 3 entitete. Pjesëmarrësit mund të marrin pjesë edhe përmes projekteve të ndryshme. Çmimi maksimal i pranueshëm 59,97 Euro për megavat orë, ky çmim që ka dalë nga të gjitha analizat që kemi bërë, bazuar në ankandet e mëparshme. Ky do të jetë ankand me transparencë të plotë, kompanitë do të kenë suport për të marrë informacionin e duhur dhe të përgatiten siç duhet që të kemi respektim të afateve. 17 Maj, dorëzimi i ofertave dhe për të na lënë mundësinë ne për këto oferta deri në 17 Korrik 2024. Ankandi nis menjëherë në këto momente.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article