Hapja e urës së Ibrit dhe qëndrimet e presidentes – zbërthehen prapaskenat: A po kundërshtohet Kurti edhe nga Osmani?

1 month ago 10
Reklamë

Çështja e hapjes së urës së Ibrit është kthyer në një debat publik, ku në vazhdimësi ka pasur reagime dhe deklarata nga më të ndryshmet.

Qeveria e Kosovës po insiston në hapjen e kësaj ure, derisa ndërkombëtarët kanë dalur kundër këtij vendimi.

E së fundi, për këtë temë kishte edhe deklarime nga ana e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Megjithatë, Osmani potencoi se Kosova nuk duhet asesi ta diskutojë çështjen e urës me Serbinë në Bruksel.

“Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptarë që pajtohet me këtë. Ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë, ata na kanë shpëtuar”, tha ajo.

Përmes kësaj deklarate, Osmani nuk duket se ka gjithë përkrahjen e saj për kryeministrin Kurti, pasi ngjashëm si ajo u deklaruan edhe partitë opozitare.

Pasi, edhe partitë opozitar mbështesnin hapjen e urës, por që fillimisht thoshin se duhet të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët, të cilët po kundërshtojnë këtë gjë.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka ngulur këmbë në hapjen e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin e vazhdueshëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.

E në lidhje me qëndrimin e Osmanit për hapjen e urës për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.

Preqi: Hapja e urës mbi lumin Ibër, nuk paraqet rrezik për asnjë popull që jeton dhe frymon në Kosovë

Si fillim, opinionisti Dedë Preqi potencoi se Osmani është në linjë me Kurtin, sa i përket kësaj çështje.

Image

Dedë Preqi

“Presidentja e Kosovës, z.Vjosa Osmani, në një tubim rasti tha, ura mbi lumin Ibër, duhet të hapet, sepse ura është në të mirën e popullit, të njëjtin mendim dhe qëndrim do ta kishte edhe kryeministri Albin Kurti, dhe sikur nga asnjëri nuk do të kishim shtuar, apo hequr ndonjë presje dhe pikë.

Presidentja Vjosa Osmani, tha, ura duhet të hapet në bashkërendim me aleatët tanë dhe të mos nxisë konflikte me miqtë perëndimor, po ashtu edhe kryeministri Kurti, e dëshiron të njëjtën gjë, që aleatët tanë në asnjë mënyrë të mos ndjehen të lënduar, por edhe të bien ndesh me vullnetin e qytetarëve të këtij vendi”.

Gjithashtu, Preqi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se edhe qëndrimet e Kurtit janë të tillë që aleatët ndërkombëtarë të mos brengosen.

“Presidentja tha, njëherit duhet t’i dëgjojmë edhe thirrjet e Uashingtonit dhe Brukselit, për shmangien e ndonjë mosmarrëveshje me forcat ndërkombëtare, po ashtu edhe qëndrimet e kryeministrit Kurti, janë të atilla, që miqtë tanë të mos ndjehen të brengosur për një gjë të tillë, e cila nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë në programin tonë.

Dikush do të thoshte se deklarata e z. presidente është e ngjajshme me deklaratat e opozitës dhe të atyre, që ura e Ibrit, të mos hapet njëherë dhe pa një koordinim me aleatët ndërkombëtarë, që do të thoshte se edhe pa një miratim të Beogradit dhe Vuçiqit, kjo urë të mbetët pezull sikur deri më tani, duke mbetë në një gjendje të tillë dhe simbol i ndarjes ndëretnike”, vlerësoi ai.

Siç po duket dhe po dokumenton me këtë domethënie se, ndalimin e kësaj ure, Serbia dhe dikush nga ndërkombëtarët që kanë qenë me hile për këtë vend e kanë projektuar menjëherë pas luftës, një plan të tillë, që Kosova të ndahet përmes lumit Ibër, në vija etnike”, vlerësoi ai.

Krahas kësaj, opinionisti foli edhe mbi mosmarrëveshjet e mundshme mes Osmanit dhe Kurtit, derisa tha se nuk beson se ka diçka të tillë.

“Tani lind pyetja se, presidentja z. Vjosa Osmani dhe kryeministri z. Albin Kurti, kanë një mosmarrëveshje në mes vete për shkak të urës dhe tjera «muhabete»?

Me siguri, secili do të mendonte në këtë mënyrë dhe ndryshe, duke formuar këtë bindje, për një acarim, apo ndarje në mes këtyre dy krerëve shtetëror, për të cilët po flitet se nuk flasin një kohë të gjatë në mes vete, sikur kjo do t’ua plotësonte dëshirat dhe apetitet e opozitës dhe të shumë kujna tjetër, por e vërteta qëndron ndryshe, sepse këtu nuk ka mëdyshje dhe asnjë mosmarrëveshje, edhe pse është e natyrshme se për disa çështje mund të ketë kundërthënie dhe mospajtime në mes tyre, mirëpo për çështjet madhore të shtetit dhe kombit, janë në një linjë dhe rrugë të përbashkët.

Kosovës, do t’i ndodhte ndonjë rrezik i mundshëm nga Serbia, sikur të mos ishte NATO, me forcat e veta paqeruejtëse në këtë vend, siç është KFOR-i, mirëpo hapja e urës mbi lumin Ibër, nuk paraqet rrezik për asnjë popull që jeton dhe frymon në Kosovë, dhe qëndrimet e qeverisë Kurti, nuk janë të njëanshme, siç po i paraqet bashkësia ndërkombëtare, kur nëpër këtë urë kalojnë dhe shkëmbehen nevoja të përditshme mes këtyre popujve padallim”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Kapiti: Mitrovica është e Kosovës, hapjen e urës si vendim e marrin institucionet e Kosovës

Kurse, opinionisti nga Shqipëri, Skënder Kapiti vlerëson ndryshe.

Image

Skënder Kapiti

Ai thotë se ka parë disa lëkundje të presidentes Osmani në aspektin politik, derisa tha se lidhen me qëllimet e saj për një mandat të dytë presidencial.

“Te presidentja Osmani, kohët e fundit janë vënë re lëkundje dhe devijanca të mëdha dhe parimore të saj, të cilat nuk mund të shpjegohen ndryshe përveçse përpjekje e akrobacira me qëllim që ajo të ketë mbështetje te ndërkombëtarët për një mandat të dytë si Presidente e Kosovës. Kjo për faktin se ajo e shikon se nuk ka mbështetje te elektorati I LDK-së dhe tjetra është se lëvizja GUXO e saj po shkon drejt shkrirjes politike. Koha nxjerr të vërtetat dhe zbulon hipokrizitë dhe duket sikur po vërteton atë se Osmani edhe rugovizmin siç pretendonte ajo se ishte rugoviste e zjarrtë e ka shfrytëzuar vetëm për të siguruar mandatin e presidentes të cilin ajo e ka pasur ëndërr”, deklaroi ai.

Më tej, Kapiti kishte disa pyetje publike për presidenten Osmani, e të cilat lidhen pikërisht me ndërkombëtarët dhe qasjen e tyre ndaj urës së Ibrit.

“Vetëm Vjosa Osmani mund të na e shpjegojë atë se çfarë ajo kupton me deklaraimin e saj “se ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të hapet në bashkërendim dhe të mos nxisë konflikt me aleatët perëndimorë”. Tani e pyesim znj. Presidente se kjo ura e Ibrit a është në Kosovë apo diku tjetër në Serbi, apo në ndonjë shtet perendimor?

E pyesim këtë zonjë që pretendon se është rugoviste, se a je me rugovizmin dhe Rugovën I cili punoi me aq përkushtim për një shtet të pavarur e të pandarë dhe pa ura ndarëse. Pyetja tjetër për znj. Osmani është kjo, se Presidentja a e di se lufta UÇK-së u bë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare dhe jo të një Kosove me ura ndarëse. Vjen pyetja tjetër se çfarë konflikti mund të sjellë me perëndimoret nëse hapet ura që bashkon Kosovën, dhe si ka mundësi që të shprehet kështu një presidente e Kosovës, deklarimi cili hedh dyshim mbi ndërkombëtarët sikur ata paskan ardhur në Kosovë, jo për të çliruar shqiptarët por të mbrojtur serbët”, shpjegoi ai.

Në fund, Kapiti shtoi se ura duhet patjetër të hapet, pavarësisht kundërshtimeve të ndërkombëtarëve, pasi duhet të “kërkosh ta marrësh atë se çfarë të takon”.

“Mitrovica është e Kosovës, hapjen e urës si vendim e marrin institucionet e Kosovës dhe kjo nuk sjellë as hatërmbetje dhe as konflikt me aleatët e vërtetë dhe të sinqertë të Kosovës, përveçse në mendjen e paqëndrueshme dhe të logjikën e lëkundshme të politikanëve dështake dhe interesaxhinj për interesa personale. Një deklarim i tillë shkon kundër Kosovës, dhe Presidentja e Kosovës e di mirë që veriu i Kosovës është tokë shqiptare dhe qeveria Kurti po ia bashkon Kosovën dhe po e çliron veriun e saj, pasi veriu i Kosovës nuk është tokë e askujt siç thoshte kryeministri i Shqipërisë, por ëshë tokë shqiptare. Znj. Presidente, edhe Ibrahim Rugova lëvizjen gjithëkombëtare për liri e shtet të Kosovës e mori dhe e filloi pa u konsultuar as me Beogradin dhe as me ndërkombëtarët, dhe ai punoi shumë pastaj për të gjetur mbështetje ndërkombëtare, dhe tani edhe qeveria Kurti duhet të marrë vendim për hapjen e Uës së Ibrit pa marrë leje nga askush, por që edhe Kurti nuk është se po kërkon që të mos e mbështesin ndërkombëtarët. Më parë duhet të kërkosh ta marrësh atë se çfarë të takon dhe pastaj nëse është e nevojshme të gjesh edhe mbështetje te miqtë”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

Read Entire Article