Hasani flet për samitin e 16 Tetorit: Jemi shpresëplotë se do ketë rezultate konkrete

1 year ago 33
11:49 13/10/2023

Në Konferencën për Rolin e Parlamenteve në Procesin e Berlinit, ka qenë i pranishëm dhe ministri i Jashtëm Igli Hasani. Ai u shpreh se Procesi i Berlinit kërkon transformim jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në çështje të brendshme.

“Realizimi i objektivave të Procesit të Berlinit kërkon një angazhim gjithëpërfshirës, jemi shpresëplotë që Samiti në Tiranë do të dalë me rezultate konkrete, si përshembull zona e lirë roaming dhe ulja e tarifave me BE”, tha Hasani.

Sipas ministrit, nëse arrihen këto rezultate atëherë përshpejtohet dhe rruga e vendit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se Parlamenti duhet të angazhohet në këtë proces duke i kthyer ‘rezultatet e procesit’ në legjislacion.

“Në mënyrë që këto procese të rëndësishme të kurorëzohen me sukses, kanë nevojë për përfshirjen e parlamentit. Kuvendi i Shqipërisë dhe parlamentet e vendeve të tjera të Procesit, duhet të kenë edhe një rol praktik. Ekzistojnë të gjithë mundësitë, për një përfshirje më të madhe të parlamentit në Procesin e Berlinit.”

Hasani theksoi se dhe bashkëpunimi parlamentar rajonal lidhet direkt me procesin e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit.

“Parlamentet kanë të drejtën të bashkëpunojnë për zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Kanë të drejtën dhe detyrimin për të bashkëpunuar për promovimin e dimensionit ekonomik.Duhet të bashkëpunojnë edhe për thellimin e dimensionit social.”

Një bashkëpunim më i ngushtë mes qeverisë e Kuvendit, do të përmirësojë arritjet e Procesit të Berlinit për vendin tonë”, përfundoi ministri./tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article