Hashim Thaçi flet nga qelia: Çdo krizë vonon Kosovën, me Serbinë duhet marrëveshje për paqen e përhershme

1 year ago 14
Reklamë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për herë të parë pas tre vitesh në burgun e Gjykatës Speciale të Hagës.

Teksa është ndalur të çështja e Serbisë, Thaçi ka theksuar rëndësinë e mbylljes sa më parë të marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve. Sipas tij, një gjë e tillë do ti sillte vetëm të mira shtetit të Kosovës.

HASHIM THAÇI

ISH-PRESIDENT I KOSOVËS

“Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e SHBA-së. Aleanca me SHBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova.”

Sa i takon marrëdhënieve me ndërkombëtarët, ish Presidenti ka thënë se janë mjaft të rëndësishme dhe mbështetja e tyre duhet merituar.

“Çdo krizë e vonon shumë Kosovën, por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, por edhe në afirmimin e saj ndërkombëtar. Përkrahja ndërkombëtare nuk duhet të merret si e mirëqenë. Ajo gjithmonë duhet merituar.”

Në intervistën për “Nacionale” ish-presidenti Thaçi ka kujtuar edhe vizitën e një viti më parë të kryeministrit Rama.

“Vizita e Edit ndodhi në vend dhe rrethana të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, përtej politikës dhe procesit gjyqësor, bisedë krejt vëllazërore. Më kishte marrë malli. Edi lufton dhe zakonisht fiton në kauzën që beson, është impresionuese se si ai po vazhdon të ndërtojë dhe afirmojë Shqipërinë evropiane.”

Ish-presidenti Hashim Thaçi, së bashku me Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, po qëndrojnë në dhomat speciale të Hagës teksa procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon. Ish-krerët e UÇK akuzohen për krime lufte, akuza që janë hedhur poshtë nga secili prej tyre.

Read Entire Article