Heqja e imunitetit të Berishës, Fevziu: Moment i vështirë për opozitën dhe mbështetësit e saj

9 months ago 29
21:08 21/12/2023

Gazetari Blendi Fevziu thotë se me heqjen e imunitetit të Berishës, opozita dhe mbështetësit e saj ndodhen para një momenti të vështirë. I ftuar në Klan News, Fevziu shprehet se lajmi i heqjes së imunitetit të Berishës është i rëndësishëm pasi në një farë mënyre, ai luan një rol në fatin e opozitës.

Mirela Milori: Vendimi i sotëm i parlamentit, heqja e imunitetit e Berishës, një lajm në fakt i rëndësishëm për një personazh si Berisha. Ju si e shihni?

Blendi Fevziu: Po patjetër, por një gjë e pritshme sepse komisioni kishte votuar pro që në momentin që SPAK ju drejtua Kuvendit dhe Berisha vetë tha që “nuk mbrohem me imunitetin”. Lajmi në vetvete ishte i pritshëm, pastaj eventi si event, pra fakti që kërkohet masë e kufizimit të lirisë në këto përmasa për Berishën është lajm i rëndësishëm sepse në njëfarë mënyre, Berisha luan një rol në fatin e opozitës.

Mirela Milori: A mendoni se është në propocion të drejtë drejtësia fillon me një masë të ashpër ndaj Berishës?

Blendi Fevziu: Në gjykimin tim, në momentet e hetimit sepse këtu nuk ka një akuzë, nuk ka nevojë për një masë kaq ekstreme, por nuk e di si e kanë gjykuar dhe cilat kanë qenë argumentat që kanë dhënë dhe në fakt drejtësia ka pasur të tilla masa ekstreme në momentet e para. Ky është standardi që ka vendosur gjykata, por natyrisht që në këtë rast ka impakt të fortë politik. Në këtë rast ka impakt të madh politik. Në këtë rast ka edhe një sërë pikëpyetjesh: Çfarë arresti do të vendosë gjykata? Nëse ky arrest do të jetë me apo roje? Do të lejojë të hyjnë dhe të dalin njerëzit? A mund ta lejojnë të përdorin adresat sociale? A mund të japë adresë, atë të partisë dhe të presë dhe të takojë njerëz në izolim? Nëse arresti zgjat më shumë se 6 muaj, e humb apo jo mandatin e deputetit Berisha? Pikëpyetja më e madhe nëse Berisha do të respektojë vendimin e gjykatës. Janë një sërë pikëpyetjesh. Ky është moment i vështirë për opozitën e për mbështetësit e saj. Opozita duhet të ketë disa masa, disa plane. Duhet të ketë veprime konkrete, të cilat nuk po i shoh.

Mirela Milori: Si e ndikon opozitën ky moment me Berishën?

Blendi Fevziu: Këtë nuk dimë ta themi. Në gjykimin tim, tentativa për të ngritur një valë proteste nuk ka për të qenë e suksesseshme sepse të hënën dhe sot nuk kishte aq pjesëmarrje. Një arrest shtëpie dhe një burgim i Berishës mund të luajë krejtësisht procesin e kundërt, pra të ndezë një valë opozitare. Ne kemi një ngërç që shumë veta nuk duan ta analizojnë. Unë po referoj disa sondazhe të fundit, pavarësisht besueshmërisë së tyre: Pakënaqësia ndaj qeverisë është mbi 50%, mbështetja ndaj opozitës është tek 20 e ca %. Pra ku qëndron mospërputhja midis kësaj mase të madhe që është kundër qeverisë dhe kësaj pjesë shumë më të vogël që mbështet opozitën? Kush lufton për këtë 30%? Duket se strategjia e deritanishme e opozitës është të mobilizojë atë 22% e vet që është krejtësisht i pamjaftueshëm për të fituar zgjedhjet./tvklan.al



Të ngjashme

Read Entire Article