Hetimi për konçensionet në Shëndetësi, opozita bojkoton Komisionin/ PS vijon me pyetjet e dëshmitarëve, Bejtja jep sqarime për Check Up

1 month ago 29

Deputetët e PD-së kanë bojkotuar mbledhjen e Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi, në vijim të zbatimit të vendimeve politike, që kanë kushtëzuar raportet e opozitës me Kuvendin, pasi ish-deputeti Ervin Salianji u burgos me vendim të Gjykatës së Apelit.

Por mungesa e deputetëve të opozitës nuk ka penguar mazhorancën që të vijojë punën e Komisionit Hetimor, duke dëgjuar dëshmitë e personave që janë thirrur për të dhënë qëndrimet e tyre lidhur me këto konçensione.

Gazment Bejtja, i cili ka qenë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë prej 2007-ës, ishte i pari që u paraqit në Komisionin Hetimor, ku ka folur lidhur me koncensionin e check up apo kontrollin bazë shëndetësor.

Bejtja tha se financimet për kujdesin shëndetësor ka qenë në kuotën 2.8 % të GDP dhe në kushte të tilla partneriteti ishte një opsion, me qëlllim që bashkëpunimi mes publikut dhe jopublikut të arrinin në të njëjtin qëllim.

“Kontrolli mjekësor bazë është diçka që ka qenë e këshilluar, rekomanduar. Vende të ndryshme e kanë të organizuar në forma të ndryshme. Kontrolli bazë mund të ishte çdo vit, njëherë në 2 apo 3 vjet, për një fashë të caktuar të popullatës.

Vende të ndryshme kanë modele të ndryshme, në varësi të problematikave. Ne kemi thirrur shumë ekspertë nga QSUT, departamenti i mjekut të familjes, shërbimi endokrin, laboratorit, shëndeti publik, u thirrën grupe të ndryshme për të parë se çfarë testesh duhen bërë për këtë kontroll bazë, dhe më pas u përcaktuan edhe se si do të ndiqeshin.

Pra, nëse nga ky kontroll diagnostikoheshin me një problem të caktuar, nuk mund të liheshin në mes të rrugës, duhej të ndiqeshin. Ndaj dhe ky është një proces që vijon”, tha Bejtja.

Ai tha se nuk mund të pretendohet të kemi programe të njëjta si në Shqipëri ashtu edhe në Angli, pasi kemi të tjera situata.

“Por ne kemi studiuar modelet anglo-sanksone, por nuk kemi aplikuar të njëjtat skema”, tha ai. Bejtja tha se mjeku i familjes ishte pro aktiv në këtë proces, pasi rekomandonte se çfarë do të bëhej me pacientin pas diagnostikimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article