Historiani gjerman parashikon fatin e Kosovës dhe Serbisë në rast se rikthehet Trumpi, përmend trazira

4 months ago 16

Opozita në Kosovë vazhdimisht e ka akuzuar Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, se ka prishur marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.

Këto akuza i ka analizuar eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg, Konrad Clewing.

Për gazetën “Bota sot”, historiani gjerman i ka dhënë të drejtë kryeministrit Kurti, për pakënaqësinë e tij me procesin e dialogut që zhvillohej më herët. Mirëpo, sipas tij, Kurti do të duhet të zhvillonte diplomaci më të mirë, në raport me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

Image

Konrad Clewing

“Në radhë të parë, e konsideroj mjaft të kuptueshme që kryeministri Kurti dhe qeveria e tij ishin shumë të pakënaqur me status quo-në e mëparshme të dialogut “të lehtësuar nga BE-ja” me Serbinë dhe gjithashtu të pakënaqur me mungesën e mbështetjes nga partnerët e Kosovës për të shpërbërë strukturat paralele shtetërore serbe brenda Kosovës. Megjithatë, e thënë kështu, gatishmëria e Albin Kurtit për t'u përballur me qasjen tradicionale të partnerëve të Kosovës, natyrisht, duhet të shoqërohej me diplomaci më të mirë dhe me më shumë besueshmëri (dhe sigurisht me më pak veprime të njëanshme afatshkurtra)”, ka deklaruar Clewing.

Ai i ka cilësuar si “thellësisht të tensionuara” raportet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në.

“Shkurtimisht, marrëdhëniet aktuale duket se janë thellësisht të tensionuara, të paktën në aspektin e atmosferës së përgjithshme të ashpër dhe të mungesës së besimit në vullnetin e mirë të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe partnerëve të saj në të dy anët e Oqeanit Atlantik”, ka thënë ekpserti.

Ai është pyetur nga gazeta edhe për mundësinë e rikthimit të Donald Trumpit në krye të SHBA-së. Clewing nuk e ka përjashtuar mundësinë që Trump të rikthejë sërish idenë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai madje parashikon që fitorja e Trumpit, do të mund të forconte pozitën e Serbisë dhe të dobësonte atë të Kosovës.

“Është pothuajse e pamundur të parashikohet shkalla e trazirave që një fitore e mundshme e Donald Trump mund të shkaktojë për Evropën dhe për Ballkanin dhe Kosovën. Nuk është e domosdoshme që fitorja e mundshme e Trumpit do të përfundojë në mënyrë të pashmangshme me forcimin e pozitës së Serbisë dhe me dobësimin e pozitës së Kosovës. Por, është gjithashtu shumë e mundur që të përfundojë kështu”, ka theksuar Konrad Clewing për “Bota sot”.

Ai I ka dhënë një këshillë Qeverisë së Kosovës.

"Loja me kohën nuk duhet të jetë një opsion në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët kryesorë evropianë dhe me SHBA-në”, ka thënë Clewing.

comment

Read Entire Article